Skënder Çeku e drejtoi luftën në Loxhë (6)

0
862

“E vërteta për luftën në Loxhë” (6). Ish-ushtari i UÇK-së, Fatos Çeku, kujton se më 6 korrik të vitit 1998 në Loxhë, që nga mëngjesi deri rreth orës 13:00, ishte zhvilluar një luftë e rreptë ndërmjet ushtarëve të UÇK-së dhe forcave serbe, të cilat e kishin humbur këtë betejë, duke mos mundur të depërtojnë në fshat.

“Ushtarët e UÇK-së, falë strategjisë së Skënder Çekut, i cili e drejtoi këtë betejë në Loxhë, nuk i lejuan forcat serbe të depërtojnë në Loxhë. Ai e bëri strategjinë e luftës. Me ide të tij hapëm istikame të reja në bashkëpunim me fshatarët e Loxhës”, ka thënë Çeku.
Fatos Çeku ka treguar se në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës është kyçur në vitin 1998. Ai ka thënë se bashkë me disa djem të tjerë të Qyshkut të Pejës, por edhe të fshatrave të tjera të lugut të Drinit, kishin marrë udhë për në Gllogjan të Deçanit, ku ishin stërvitur rreth një muaj dhe më pas ishin nisur për në Shqipëri për të marrë armatim. Çeku ka treguar se në Shqipëri, konkretisht në Tropojë, pas shumë vitesh kishte takuar Skënder Çekun. “Isha i vogël kur Skënder Çeku ishte larguar nga Kosova për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare. Takimi me të ishte emocional”, ka thënë Çeku. Ai ka treguar se pas qëndrimit njëditor në Tropojë së bashku me Skënder Çeku ishin nisur për të hyrë në Kosovë. “Grupit tonë i printe Skënder Çeku. Kemi bërë një rrugë të gjatë, tri ditë e tri net. Me vete kishim një kamion me armatim. Këtë rrugëtim e kemi bërë deri në Syzlbicë, te posta kufitare. Aty Skënderi i ka marrë disa kuaj për ta futur armatimin në Kosovë. Pasi nuk kemi mundur të depërtojmë për në Rugovë, Skënderi, i cili kishte një hartë me vete, na ka drejtuar të marrim rrugë për në Babaj, nga ku kemi dalë në Junik, Dujakë, Gllogjan e nga Gllogjani në Raushiq. Në orët e vona të natës së 5 korrikut të 1998-s jemi ndalur të pushojmë në Raushiq, në shtëpinë e Binak Dinajt, kurse të nesërmen ka filluar lufta në Loxhë”, ka treguar Çeku.
Lufta në Loxhë, 6 korrik 1998

Fatos Çeku së bashku me grupin e ushtarëve të tjerë, të prirë nga Skënder Çeku, me të marrë lajmin për fillimin e luftës në Loxhë, vendosin të shkojnë në këtë fshat për t’iu bërë krah ushtarëve të tjerë të UÇK-së. “Fillimisht për në Loxhë është nisur Skënder Çeku së bashku me disa ushtarë të tjerë, më vonë kam shkuar edhe unë me bashkëluftëtarët e tjerë. Skënder Çeku ishte pozicionuar afër shtëpive të morinëve, mes Raushiqit dhe Loxhës”, ka thënë Çeku.
Ai kujton se më 6 korrik në Loxhë, që nga mëngjesi deri rreth orës 13:00, ishte zhvilluar një luftë e rreptë ndërmjet ushtarëve të UÇK-së dhe forcave serbe, të cilat e kishin humbur këtë betejë, duke mos mundur të depërtojnë në këtë fshat. “Ushtarët e UÇK-së, falë strategjisë së Skënder Çekut, i cili e drejtoi këtë betejë në Loxhë, nuk i lejuan forcat serbe të depërtojnë në Loxhë. Ai e bëri strategjinë e luftës. Me ide të tij hapëm istikame të reja në bashkëpunim me fshatarët e Loxhës”, ka thënë Çeku. Ai ka treguar se gjatë luftimeve në Loxhë ishin vrarë katër ushtarë, Xhavit Qufaj, Enver Alaj, Ilmi Surdulli dhe Rrustem Bruqi, kurse janë plagosur disa të tjerë, në mesin e tyre Binak Dinaj, i cili e kishte humbur dorën e majtë dhe Xhavit Dreshaj. Po ashtu, ka treguar se Tahir Zemaj kishte shkuar në Loxhë pasi kishin marrë fund luftimet. “Zemaj erdhi vonë, pasi përfunduan luftimet. Dhe kur mori vesh se janë vrarë katër ushtarë, tha se nuk duhet të ‘humbim më shumë’”, ka thënë Çeku. Ai ka treguar se së bashku me luftëtarë të tjerë të UÇK-së ka qëndruar në Loxhë deri më 15 gusht 1998, ku në këtë fshat, pas granatimeve të shumta dhe përdorimit të aeroplanëve ushtarakë, kanë depërtuar forcat serbe. Çeku ka thënë se Zemaj nuk kishte luftuar as në betejën e dytë e as në të tretën. “Tahir Zemaj me ushtarët e tij nuk luftoi as në betejën e dytë e as në të tretën. Ushtarët e tij kanë ardhur deri afër Loxhës, duke kënduar këngë, por nuk na ndihmuan të luftojmë kundër forcave serbe”, ka thënë Çeku. (VIJON)
Në numrin e ardhshëm të gazetës do të lexoni: Pse kishin shkuar disa ushtarë UÇK-së nga Loxha për ta takuar Tahir Zemajn në Prapaqan? Pse Zemajt nuk i kishte pritur në takim këta ushtarë? Si ishte penguar një grup i ushtarëve të UÇK-së të hynin në fshatin Isniq? Kush u tha atyre t’i dorëzojnë armët? Për këto dhe shumë detaje të tjera të luftës, rrëfen Fatos Çeku.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu