Skënderbeu, Vdekja e pinjollit të fundit dhe trashëgimtarët jashtë martese

0
1214

Vdekja e Skënderbeut më 17 janar 1468, qe një gjëmë e madhe për Shqipërinë. Po aq e madhe qe edhe për familjen e Heroit. Donika Kastrioti dhe djali i saj Gjon Kastrioti, 13-14-vjeçar, e patën të vështirë të jetonin në Shqipëri pa kryefamiljarin e tyre. Rreziku i vazhdueshëm i invazorëve osmanë i detyroi Donikën me të birin të largoheshin nga Shqipëria.
Nga njoftimet që kemi del se dy ishin vendet ku familja e Heroit do të gjente mikpritje: Venediku dhe Napoli.
Republika e Venedikut e kishte shpallur Gjonin, birin e Skënderbeut, “Qytetar Nderi”. I kishte siguruar edhe një shtëpi banimi në ishullin Kurcola. Por Donika preferoi Mbretërinë e Napolit. E para, se ajo trashëgonte nga i shoqi në Apuli dy feude me të ardhura, të cilat mbreti i Napolit, Ferdinandi, ia kishte dhuruar me dekret Heroit më 1464 – njërën në Monte Sant’Angelos, tjetrën në San Giovanni Rotondo. E dyta, se Mbretëria e Napolit nuk bënte si Venediku kompromise të papritura me turqit.
Ndonëse mbreti Ferdinand e ftoi të vinte sa më parë në Napoli, Donika me të birin u nisën me disa javë vonesë. Arsyeja është se kur vdiq Skënderbeu, lundrimi në Adriatik ishte për shkak të konflikteve midis shteteve italiane, i pasigurtë. Si rrjedhim, ata u nisën pas 23 prillit kur me ndërmjetësinë e Papës, u arrit e ashtuquajtura “paqe paulinë”. Amatori ynë këtë vonesë e shpjegon duke korrigjuar në mënyrë arbitrare datën e vdekjes së Skënderbeut (datë që nuk mund të ndryshohet) për ta afruar kështu sa më tepër me fundin e muajit prill. Ky është një veprim tepër fëmijënor.
Nisja e Donikës me të birin u bë nga Rodoni. Kronisti Gjon Muzaka duhet të jetë i mirinformuar për nisjen e Donika Kastriotit, mbasi së bashku me të u nisën si shoqëruese të saj edhe dy motrat e tij. Në lidhje me nisjen e saj, Gjon Muzaka shkruan tekstualisht: “Zonja Skanderbega, gruaja e Heroit, kaloi në këtë mbretëri të Napolit pasi vdiq i shoqi ajo me të birin, Gjonin. Së bashku me zonjën e përmendur u nisën edhe dy motra të mija, burrat e të cilave kishin vdekur në ato lufta. Njëra qe zonja Maria, e cila qe gruaja e zotit Muzak Komninit, i quajturi nga populli Muzaka i Angjelinës; tjetra ishte zonja D. Helena, e cila ishte martuar me zotin Gjergj Karli. Zonja e thënë D. Maria mori me vete vajzën e saj, e cila quhej zonja Donna Porfida e Madhe, kurse zonja Donna Helena mori me vete një tjetër vajzë, e cila quhej Donna Visava”. Kronisti shton pastaj se përveç këtyre, me Donika Kastriotin shkuan edhe disa gra të tjera. Shpura e Donikës dukej se përbëhej nga njëzet gra të burrave ose të etërve dëshmorë të luftës, të cilat siç thuhet në një burim të asaj kohe, u pritën me përzemërsi në Napoli.
Donika me Gjonin në fillim u vendosën në Napoli, pastaj së bashku me shpurën e tyre në Monte Sant’ Angelo. Donika u pranua në oborrin mbretëror aragonez. Më vonë ajo u trajtua si “Zonjë Nderi” (Dame d’Honneur) e mbretëreshës së Napolit, Johana III. Në kryeqytetin e mbretërisë ajo jetoi 30 vjet. Në fillim të shekullit XVI, kur nëna mbretëreshë e Napolit, Johana III, e veja e Ferrantit, shkoi në Spanjë, e mori Donikën me vete gjithnjë si “Zonjë Nderi” në pallatin e saj mbretëror në Valencia. Donika u trajtua si “Zonjë Nderi” në Spanjë edhe nga Johana IV, e veja e mbretit Ferrantin, pasardhësja e Johanës III, derisa vdiq rreth vitit 1508. Është varrosur në manastirin e Trinisë së Shenjtë në Valencia.
Vite më vonë, shënon P. Petta, në testamentin e saj nëna mbretëreshë Johana III, porosiste që të silleshin në Napoli nga Valencia eshtrat e “së dashurës e të devotshmes Skannalibecha”, gjë që tregon se ajo e ruajti emrin Skanderbega derisa vdiq. Biri i saj Gjoni mbeti në Mbretërinë e Napolit, në kështjellën e Monte Sant’Angelos, ku jetoi 17 vjet, deri më 1485, kur mbreti i shkëmbeu dy feudet, Monte Sant’Angelo dhe San Giovanni Rotondo, me një tjetër feud, me kontenë e Soletos dhe të San Pietros të Galatinës.
Gjoni u martua (vitin nuk e dimë), me Irenën, vajzën e despotit serb, biri i Gjergj Brankoviçit, despoti i dikurshëm i Serbisë, e cila jetonte në mërgim në Itali. Gjon Kastrioti duket se u martua me Irenën për hir të titujve të saj të fisnikërisë bizantine, që rridhnin nga e ëma. Kjo për arsye se e ëma e Irenës, Helena Paleologa, e shoqja e Llazar Brankoviçit, ishte e bija e despotit bizantin të Moresë, Thoma Paleologut. Sipas thashethemeve, Irena, e shoqja e Gjonit, qe një grua e vrazhdë, natyrë krejt e ndryshme nga ajo e Gjonit, të cilin Leandro Alberti, pasi e vizitoi në vitin 1505 e përshkruan si person bujar e njerëzor. Gjon Kastrioti edhe pse u largua i ri nga Shqipëria, nuk e harroi atdheun. Vepra madhështore e të atit të tij e mbajti të gjallë tek ai frymën e luftës së çlirimit të atdheut. Rasti trokiti në vitin 1481. Një vit më parë, më 1480, turqit zbarkuan në Otranto të Puljes në Itali. Ashtu si Italia, mbarë Evropa u trondit. Por, me mobilizimin e forcave liridashëse, në të cilat mori pjesë edhe Gjoni, ushtritë osmane pas gjashtë muajsh u zbuan nga Otranti. Fitorja ngjalli shpresa se mund të zboheshin turqit edhe nga Ballkani. Një vend të veçantë në këto projekte zinte Shqipëria, ku mendohej të kryhej zbarkimi i ushtrive italiane. Në këto rrethana, Gjon Kastrioti vendosi ta udhëhiqte vetë si dikur i jati luftën çlirimtare, për të rimëkëmbur shtetin e dikurshëm shqiptar. Me anijet që i dha duka i Kalabrisë, Alfonsi biri i mbretit Ferdinand, ai zbarkoi në Shqipëri, diku në Kepin e Rodonit. Që këtej, vullnetarët pjesërisht duke marshuar nëpër tokë dhe pjesërisht duke lundruar nëpër det, gjithnjë duke përhapur thirrje për kryengritje, arritën në Himarë. Hollësira rreth veprimeve ushtarake të Gjon Kastriotit dhe vullnetarëve të vet në Himarë, janë trajtuar në punimin tim me titull: “Himara dhe përkatësia etnike e himarjotëve”. Tiranë 2005. Meqenëse zbarkimi i forcave të rregullta të ushtrisë napolitane, siç ishte parashikuar, nuk u krye, kryengritja më në fund u shtyp dhe Gjon Kastrioti u kthye në Itali.
Gjon Kastrioti pati katër djem dhe një vajzë. Djali i parë mori emrin e gjyshit. U quajt Gjergj Kastrioti. Së bashku me emrin e pagëzimit, mori edhe emrin e dytë të gjyshit, Skënderbe. Për t’u dalluar nga gjyshi u quajt Skënderbeu-i-Ri. Ky pati një djalë, Alfonsin, të cilin duket se e rriti Donika, gjyshja. Donika e mori me vete Alfonsin ende fëmijë, kur shkoi më 1503 në Spanjë. Atje Alfonsi në moshën 15-vjeçare vdiq. Në lapidarin në spanjisht të varrit të tij që ndodhet në manastirin e Trinisë së Shenjtë (Real San Trinidat), thuhet: AQVI IACE ALFONSO, HIJO DEL FAMOSO GEORGIO CASTRIOTO, REY DE ALBANIA, AÇOTE DE LOS TVRCOS YMVRO INEXPVGNABLE DE LA CHRISTIANIDAD, A QVIEN LLAMARON LOS TVRCOS EXARDARBECH. Y? QVIEN POR SV DEXENDENCIA, VALOR Y MAGNITUDIE ANIMO, LE COMPARABAN AL REY ALEXANDRO DE MACEDONIA. MVRIO DE EDAD 15 ANOS EN EST, CIUADADE VALENCIA, ANO 1508″.
Në përkthimin shqip: “Këtu prehet Alfonsi, bir i të famshit Gjergj Kastrioti, Mbret i Shqipërisë, mposhtësi i turqve, mbrojtës i pathyeshëm i krishterimit, të cilin turqit e quajtën Skënderbeg dhe për nga prejardhja, vlera dhe shpirtmadhësia e krahasuan me mbretin Alekandër të Maqedonisë. Vdiq në moshën 15-vjeçare, në qytetin e Valencias, viti 1508.”.
Djali i dytë i Gjonit ishte Kostandini. Më 1497 kur qe 20 vjeç, u bë peshkop i Izermias. Vdiq në vitin 1500. Në varrin që i ngriti gjyshja, Donika Kastrioti në kishën Santa Maria Nuova në Napoli, thuhet në epitaf: “DUM PROBE VIVIT INTEMPESTIVE MORITUR” (Mbylli para kohe një jetë të jetuar me nder). Si peshkop, ai natyrisht nuk pati fëmijë. Djali i tretë ishte Ferdinandi, i cili jetoi gjatë. Meqenëse edhe djali i katërt i Gjonit, Frederiku, vdiq i ri, pa lënë fëmijë Ferdinandi mbeti i vetmi trashëgimtar i Skënderbeut. Si i tillë, ai trashëgoi dhe zotërimin feudal që i ati kishte në San Pietro të Galatinës.
Gjon Kastrioti pati edhe një vajzë, Marien, e cila nuk u martua. Ajo përmendet si një grua e kulturuar, e njohur në rrethet letrare të provincës, për të cilën disa poetë provincialë thuhet se i kanë thurrur edhe poezi. Maria jetoi gjatë. Pleqërinë e kaloi me mbesën e saj Irenën, vajzën e Ferdinandit, deri sa vdiq më 1565.
Shkurt, nga pasardhësit direkt të Skënderbeut jetoi gjatë vetëm djali i tretë i Gjonit, Ferdinand Kastrioti. Ky u martua me Adriana Acquaviva-n, vajza e Belisarit dukë i Nardos. Pati dy fëmijë – një djalë, Alfonsin, i cili vdiq nga murtaja kur qe foshnjë dhe një vajzë Irenën (Jerinën), e cila mori emrin e gjyshes së saj, Irena Paleologës.
Për Ferdinandin kemi një njoftim interesant nga historiani i shquar italian Paulo Jovi, i cili e vizitoi në vitin 1528, në shtëpinë kur ai banonte në Gargano. Sipas përshkrimit të Jovit, del se Ferdinandi, nipi i Skënderbeut, i ngjiste për nga shtati dhe për nga pamja Heroit. Tekstualisht ai shkruan: Pamjen madhështore të Skënderbeut “po e shohim se e kanë akoma pasardhësit e familjes së tij, të cilët u vendosën në Pulje, po ashtu siç mund të shihet në portretin që ne kemi në Muze. Sidomos atij i ngjet Ferdinandi, nipi i tij, markezi i Sant’Angelo në Gargano, i cili e gjeti vdekjen në luftën e Ticinos nga dora mbretërore”. (P. Jovius, Elogia visorum bellica virtute illustrium veria imaginibus supposita quae epud Museum spectantus etj, Florentiae 1551, f. 232).
Përfundimisht del se asnjë nga djemtë e Gjon Kastriotit nuk la trashëgimtar mashkull. Vajza e tij Irena, sipas burimeve, një grua e bukur dhe shtatlartë si i ati, mbeti e vetmja trashëgimtare e pasurisë që kishte gjyshi dhe i ati në Itali. Megjithatë, i ati i saj Ferdinandi pati nga pikëpamja morale, një jetë të shthurur. Siç del nga thashethemet që përmbajnë kronikat e kohës, ai pati dymbëdhjetë fëmijë jashtë martese, nga të cilët asnjëri prej tyre nuk u njoh si trashëgimtar legjitim i të atit. Midis tyre, një farë trajtimi të veçantë pati nga i ati vetëm Akili, djali jashtë martese që pati me një vajzë 20-vjeçare arvanite me origjinë nga Korona e Moresë, e vendosur në Kalabri. Ajo quhej Dianora (Eleonora) Koronica.
Si e vetmja trashëgimtare e Gjonit, së bashku me pasurinë, Irena trashëgoi edhe objektet e vyera të Skënderbeut – dy shpatat, përkrenaren dhe lutjesoren. Përveç pasurisë, trashëgoi edhe titullin dukeshë. Ajo u martua me princin Pier Antonio di Sanseverino, por i shoqi, siç thonë historianët italianë, ishte një plëngprishës. Me shpenzimet me vend e pa vend, brenda një kohe të shkurtër e bëri pasurinë e tij rrush e kumbulla. Kur vdiq, ai i la së shoqes, Irenës një pasuri të shkatërruar dhe 700.000 dukatë ari borxhe, një shumë kjo jashtëzakonisht e madhe. Për të kapërcyer gjendjen e shkatërruar ku e katandisi i shoqi, Irena në bashkëpunim me vëllain e saj jashtëmartese, Akilin, u detyrua të shiste pasurinë. Duket se nga kjo situatë financiare kritike, Irena Kastrioti u detyrua të shiste edhe objektet e Skënderbeut, të cilat kaluan në duart jo të një, por të dy blerësve. Në vitet ’70 përkrenarja dhe shpata e shkurtër ndodheshin në duart e Dukës së Urbinos, kurse shpata tjetër në ato të dukës së Areskotit. Por të dy pronarët e rinj, objektet e Skënderbeut ua kaluan pronarëve të tjerë. Përkrenaren dhe shpatën e shkurtër e bleu nga duka i Urbinos, Konti Volfang i Sturbenbergut, kurse shpatën tjetër që zotëronte Duka i Areskotit e bleu arkiduka i Stirisë, Karli, biri i dytë i perandorit të Austrisë, për muzeun e tij, që kishte ngritur në qytetin e Gratzit. Kjo vërtetohet nga shënimi që përmban inventari i Muzeut të Gratzit, i mbajtur më 1 nëntor 1500, ku thuhet: “Më 30 tetor (pra dy ditë më parë – K.F.), shpata e Skënderbeut prej Bossega e lyer me argjend hyri në koleksionin e armëve”. Ai që i bashkoi të dy shpatat ishte biri tjetër i perandorit gjerman (vëllai i Karlit) arkiduka Ferdinand i Tirolit. Kancelari i tij J. Shrenke (Jacob Schrenk von Gotzing), pasuroi me to muzeun që, Ferdinandi kishte ngritur në kështjellën e Ambrasit, pranë Innsbrukut në Tirol, me vepra arti dhe pajime luftarake të njerëzve të shquar të shekujve XV-XVI. Prania e tyre në këtë muze vërtetohet nga inventari i hartuar më 1593, ku janë shënuar të dy shpatat së bashku me përkrenaren e Heroit. Aty thuhet: “Gjergj Skënderbeu. Një përkrenare në metal të bardhë me një rrip të larë në ar, me në majë një kokë dhie të larë në ar, së bashku me brirët e saj; dy shpatat, njëra me një mëhill lëkure, që besohet se është e vërtetë për nga pesha dhe sepse në të shikohen ende njolla gjaku, tjetra një mëhill prej kadifeje; edhe kjo ka qenë njësoj e nderuar si shpata që i takonte Skënderbeut”.
Sot këto objekte të vyera të Skënderbeut ndodhen në Muzeun e Artit Mesjetar në Vjenë. Përkundrazi, trashëgimia gjenentike dhe ligjore e Skënderbeut mbyllet me Ferdinand Kastriotin, birin e Gjon Kastriotit, i cili vdiq më 1561.
* * *
Nuk janë të rralla rastet kur disa njerëz kanë dashur të përfitojnë nga zulma e heronjve të shquar për ta paraqitur veten sikur janë pasardhës të tyre. Kjo ka ndodhur edhe me Heroin Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotin Skënderbeun. Pas vdekjes së tij ndeshim nëpër arkiva dhe punime jo vetëm shqiptarë por edhe të huaj, të cilët kanë pretenduar se janë pasardhës gjenetikë të Heroit. Për të provuar tashëgiminë gjenetike të pasardhësve të Skënderbeut disa prej tyre kanë përgatitur edhe pema gjenealogjike, të cilat nisin me emrin e Heroit dhe vazhdojnë me një mori pasardhësish të njohur dhe të panjohur, të cilët arritin deri në ditët tona. Por, themeli i këtyre pemëve gjenealogjike rrëzohet posa që me Ferdinandin, birin e Gjon Kastriotit, merr fund trashëgimia gjenetike e Skënderbeut.
Ku mbështeten këto pretendime? Ndonjëri mbështetet te një katragjysh i supozuar i tij, i cili mbante në kohën e Heroit mbiemrin Kastriot. Sigurisht që në shekullin XV shqiptarët me mbiemrin Kastriot, sikurse u pa, nuk kanë munguar, por kjo nuk do të thotë se janë pasardhës të Skënderbeut. Të tillë pretendentë shfaqen fill pas vdekjes së Skënderbeut. Për shembull, kur më 1474 kalaja e Krujës u pushtua nga Sulltan Mehmeti II, një nga mbrojtësit e saj, i cili e quante veten Gjon Kastrioti, e paraqiti identitetin e tij sikur ishte farefis i Skënderbeut. Nuk munguan edhe raste kur ndonjë nga fëmijët e motrave të Skënderbeut, të prezantohej para opinionit të kohës se i përkiste familjes së Kastriotëve.
Një nga këta pretendentë që pati një farë suksesi në opinionin italian ishin pasardhësit e Vrana Kondit, një nga gjeneralët më të shquar të Skënderbeut. Në të vërtetë, Vrana Kondi është një deformim i emrit Konti Uran. Meqenëse në shekujt XVI-XVII, Evropa ishte e pushtuar nga ethet për të qenë familje fisnike, pasardhësi i Kont Uranit, alias Vrana Kontit, e ngriti familjen e vet në shkallë fisnikërore dyfishe – hem si pinjoll Kastriotas, fisnik shqiptar, hem si pinjoll Vranaj, fisnik bizantin.
Një kategori tjetër pretendentësh të emrit Kastriotë ishin pasardhësit nga vija femërore, pra stërnipër të mbesave të Skënderbeut, madje dhe stërnipër të mbesave të mbesave të Skënderbeut.
Pati, më në fund, edhe një kategori të tretë pretendentësh Kastriotë, të cilët prejardhjen e tyre nga Skënderbeu e mbështetnin te fëmijët jashtëmartesorë të Ferdinandit, kryesisht te Akili, fëmijët e të cilit mbajtën brez pas brezi jo rrallë emra shqiptarë, si Akili, Pirro, Gjergji, etj.
Nga ky fenomen Italia u mbush me dhjetëra familje Kastriotësh. Madje, të tillë pretendentë u shfaqën edhe jashtë Italisë, si në Dalmaci, në Spanjë, ndoshta edhe në Poloni. Pasojë e këtij fenomeni ishte edhe gara që lindi midis këtyre pretendentëve se cilit prej tyre i përkiste përparësia e trashëgimisë dhe, më saktë, cila prej tyre gëzonte të drejtën e vërtetë të trashëgimisë gjenetike të Skënderbeut. Kjo është një histori e gjatë, e cila nuk vlen aq tepër për t’u trajtuar, mbasi nuk nxjerr në shesh ndonjë rezultat të dobishëm. Të merresh me të është një kohë e humbur, si i thonë, një punë pa bukë. Mjafton të lexosh monografinë që i kushton këtij problemi historiani italian Carlo Padiglione, me titull “Di Giorgio Castriota Scanderbech e de suoi discendenti”, Napoli 1879, për t’u bindur se çfarë produkti pa vlerë nxjerr mania për t’u mburrur si trashëgimtar i Skënderbeut. Megjithatë, Padiglione ka patur një synim në trajtimin e këtij problemi. Ka dashur të provojë se në morinë e këtyre pretendentëve Kastriotas, vetëm njëri ka mbështetje historike. E ka fjalën për D. Antonio Castriota Scanderbech, Marchese D’Auletta, i cili për të ishte i vetmi pasardhës i Skënderbeut. Po të kemi parasysh se kjo monografi është botuar në vitin 1879, në valën e lëvizjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pra kur ishin ngjallur shpresa se Shqipëria mund të shpallej shtet më vete, qoftë dhe autonom si Bullgaria, kuptohet se së bashku me këto shpresa lindi edhe lakmia për fronin e Shqipërisë. E kush mund të ishte më i përshtatshëm për mbret të Shqipërisë më shumë se stërnipi i Skënderbeut? Pavarësisht se më 1879 ëndrrat nuk u realizuan, shpresat se një ditë atdheu i Skënderbeut do ta rifitonte pavarësinë nuk u shuan. Dihet se në lidhje me krijimin e shtetit shqiptar më shumë se kushdo ishte e interesuar Italia. Dihet gjithashtu se Roma ishte shumë e interesuar që në krye të këtij shteti të vihej një sovran i lidhur ngushtësisht me interesat e Italisë. Vetëm kështu mund të shpjegohet përse në vitin 1895 mbreti i Italisë, Umberti I, nënshkroi një dekret me të cilin vërtetonte se familja e tij d’Auletta ishte pasaradhëse e Skënderbeut. Ishte si dekret një non sens mbasi pallati mbretëror nuk mund të jetë zyrë e gjendjes civile, e cila vetëm ajo ka të drejtë të vërë vulën në një gjenealogji.
Ky fenomen u përsërit edhe në pragun e Pavarësisë Kombëtare. Dëshmi është pema gjenealogjike që mysafiri i fundit italian dorëzoi në Muzeun e Krujës, me shënimin se ajo ka dalë nga zyrat e qeverisë italiane të Romës. Në ditët tona ëndrrat për t’u bërë sovran i Shqipërisë kanë perënduar njëherë e përgjithmonë. Por krenaria për të qenë pasardhës i Skënderbeut as nuk është shuar, as do të shuhet në të ardhmen. Herë pas here do të vijnë në Shqipëri “miq” që do të kenë në çantat e tyre “gjenealogji” të fantazuara si ato që kemi parë deri sot. Ne, si shqiptarë mikpritës e kemi për detyrë t’i presim me përzemërsi dhe kur të largohen t’u themi “mirupafshim”.

 

Prof. Kristo Frasheri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu