Skulptori nga Çamëria po përfundon në Durrës “Isa Boletinin” 3.6 metra që do vendoset në Kosovë

0
665

“Shekulli” po para-publikon sot fotot e një skulpture monumentale të “Isa Boletinit”, e cila do të vendoset ne vendlindjen e heroit ne fshatin Isniq. Ajo është ngjizur në studion e skulptorit Idriz Balani. Skulptorin Balani e takuam në studion e tij në Durrës duke bërë korigjimet përfundimtare mbi skelën e drunjtë.

 

2 vite punë

Vepra ka përfunduar si konceptim i plotë dhe është përfunduar si proces skulpturimi në argjil, pikërisht ditën e dielë, kur u përkujtua në Kosovë 134-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.  Ditën e hënë është nisur për të bërë procedurat e derdhjes në bronx në fonder dhe me pas “Isa Boletini”, me përmasa rreth  3 m e 65 cm gjatësi do të vendoset në fshatin e tij Isniq të Kosovës në afërsi të një rrapi shekullor.

Për këtë objekt është bërë një tenderim  në vitin 2010 në Kosovë dhe Balani ka paraqitur një bocet të skulpturës, i cili ka dalë fitues. Skulptori ka rreth 2 vite që punon me të.

Skulptura e Isa Boletinit

E bija e donte pa pushkë

Për ta konceptuar artistikisht paraqitjen përfundimtare kanë marrë pjesë me konsultime e gjithë familja e tij, duke filluar nga e bija. Balani thotë se e kishte konceptuar me pushkë, por kur e shikon e bija i thotë se Isa Boletini nuk ka qënë vetëm luftëtar, por edhe diplomati që ka përfaqësuar lëvizjen shqiptare në Londër. Të njëjtën ide ka patur edhe i biri. Po ashtu edhe poeti nga Durrësi, Agim Bajrami.

Atëherë Balani i ka lënë vetëm koburen e famshme me të cilën ishte i armatosur kur u rrethua dhe u vra nga forcat malazeze. Pas këtyre konsultave vepra e re monumentale për Boletinin u transformua kështu siç po e paraqesim sot para lexuesit të “Shekullit”.

 

Balani, 9 vepra në Kosovë

Skulptori Idriz Balani ka realizuar rreth 9 vepra monumetale të heronjve të Kosovës. Ai thotë se ndihet i lidhur shumë shpirtërisht me këtë vend, pasi ai i jep atë hapësirë të madhe shpirtërore që sot nuk mund t’ia japë krahina e tij Çamëria. Para disa muajsh, më 17 janar të ketij viti, ai përuroi në vendlindjen e Jusuf Gervallës, Pejë, një vepër tjetër monumentale me përmasa të mëdha. Krahas tyre i ka dhënë hapësirave të Kosovës, Haxhi Zekën si dhe shumë bashkëudhëtarë të tjerë të historisë politike e kulturore të Kosovës.

Idriz Balani ka realizuar:

Busti i Heroit të Popullit, Kozma Nushi, (vendosur në lulishten para “Fabrikës së Gomës” në Shkozet, Durrës). – Busti i dëshmorit Telat Noga (vendosur në lulishten para “Fabrikës së Cigareve” në Durrës)  – Busti i rilindësit Naim Frashëri (vendosur në oborrin e “Shkollës së Mesme” në Durrës). – Triptikun në Basoreliev (vendosur në fasadën e Shkollës së mesme të përgjithshme Leonik Tomeo”) etj.

Historia  jetës dhe vrasja e Isa Boletinit

Mbiemri origjinal i familjes Boletini është Maksutaj, nga fisi Shalë i vendosur në Isniq pranë Deçanit. Më vonë migruan drejt fshatit Boletin në Kosovën Rastet e dobingut në sportin shqiptarë .Pse ndodhim këto fenomene Veriore, prej nga morën dhe mbiemrin. Bëmat e tij u bënë legjenda, sidomos arratisjet e tij nga turqit e serbët. Në moshën 17-vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në betejën e Slivovës (22 prill 1881) kundër forcave osmane. Përkrahu Haxhi Zekën në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900).

Në ditët e Pavarësisë, në krye të përfaqësuesve të Kosovës, u ndodh përkrah Ismail Qemalit në Vlorë dhe ishte pjesë aktive në organizimin e forcave të armatosura për mbrojtjen e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.

Tregohet se kur Ismail Qemali i ofroi një post ministri, Isa ìa ktheu “Jo Ismail, se duhen njerëz të shkolluar”. Më pas krijon Gardën e parë të Ushtrisë Shqiptare. Më 1913, së bashku me Ismail Qemalin shkoi në Londër, kundër vendimit të Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë.

 

Vrasja

Vrasësit e njeriut më të fortë në krah të Ismail Qemalit, ishin xhandarët malazezë, kurse ata që “e prenë në besë” ishin disa diplomatë francezë. Ishte janari i vitit 1916. Sipas rrëfimeve të një të afërmi të Isa Boletinit, të pasqyruara në librin e Skënder Luarasit “Isa Boletini”, botim i vitit 1971, kthesa përfundimtare e jetës së shqiptarit të madh nis me përfshirjen e Kosovës nën Jugosllavinë, sipas vendimeve të fuqive më të mëdha të Evropës në takimin e Londrës më 1913.

Në 1915, malazezët pushtojnë Shkodrën dhe legjendës së rezistencës për bashkim kombëtar i mbetet të kërkojë ndihmën e ndërkombëtarëve. Francezët ofrohen dhe konsulli i tyre në Shkodër, Bikok, i thotë Isa Boletinit dhe njerëzve të tij që të shkojnë në Ambasadën Franceze në Cetinë, asokohe kryeqytet i Malit të Zi, nga ku do të merrnin vizë për të shkuar në ndonjë vend neutral.

Isa Boletini dhe shpura e tij mbërrijnë në Cetinë dhe më tej bëjnë një vizitë në ambasadën franceze, ku u tregohet një telegram i paraqitur si urdhër i ministrit të Jashtëm francez për t’i nxjerrë në një vend neutral. Ndërkohë, anglezët, më bujarë, e ftojnë Boletinin që ta marrin nën mbrojtje, por nisur nga ligjet e maleve, ai preferon “mikun që i hapi derën i pari”. Pak orë më pas, në mëngjes, Isa Boletini sheh se shtëpia ku bujti ishte rrethuar me xhandarë malazezë. Shqiptarët merren dhe dërgohen në Nikshiq.

Ekzekutimi

Brenda disa minutave, të rrethuar nga të gjitha anët nga dhjetëra xhandarë, vriten të gjithë, Isa Boletini dhe dy të bijtë, Halili dhe Zahidi, që ishte student në Vjenë, dy nipërit, Jonuzi dhe Halili, Hajdar Selim Radisheva, kunati i Isait, djali i vëllait të Hajdarit, Idriz Bilimi dhe Misin Bala nga Isniqi. Nga ana tjetër mbetën të vrarë tetë xhandarë dhe plagosen dyfishi. Shfaqja u sodit nga disa ministra malazezë të strehuar në prefekturën e qytetit”, – rrëfen i mbijetuari.

Me rastin e 50-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 1962, shteti Shqiptar Isa Boletinin e shpalli Hero të Popullit.

Kush është Idriz Balani

Idriz Balani lindi në Konispol më 3 Tetor 1953. Në 1954 familja e tij u vendos në Durrës në zonën e “Plazhit të Durrësit” ku jeton edhe sot. Nga viti 1975-1980 vazhdoi “Institutin e Lartë të Arteve” në degën Skulpturë Monumentale.

Pas mbarimit të studimeve u emërua mësues vizatimi në fshatin Ishëm ku punoi deri në 1984. Në 1980 (viti i diplomimit) punoi së bashku me kolegët e tij Vasiliev Nini dhe Makri Mustaka pranë “Skulptorit të Popullit”, Mumtaz Dhrami, për realizimin e monumentit të Drashovicës. Nga viti 1984 deri më 1992 punoi si mësues i skulpturës dhe lëndëve të tjera profesionale në Liceun Artisitik “Jan Kukuzeli ” në Durrës. Nga viti 2001 deri në vitin 2004 ka punuar si drejtor i Arsimit, Kulturës, Rinisë, Sportit e Komuniteteve Fetare në Bashkinë e Durrësit, kurse në 2005-2006 ka punuar drejtor në “Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës”, dega Durrës.

 

Nga Mark Brunga

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu