SKV: Kamishi me diplomë false

0
971

Lëvizja studentore “Studim, Kritikë,Veprim” pohon se diploma e doktoratës së deputetit të Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu, është false. Durim Jashari, nga kjo lëvizje studentore, e cila njihet për gjetjen e skandaleve brenda UP-së, ka bërë të ditur dje, në një konferencë për medie, se Bekim Haxhiu, i njohur si Kamishi, përveçqë është zgjedhur në mënyrë antiligjore asistent në Fakultetin e Mjekësisë, nuk dihet se në cilin fakultet e ka kryer doktoratën.

“Komisioni do të pranonte një diplomë doktorate nga Haxhiu të fituar në “Corllins University” dhe në këtë mënyrë të bëhej më i lehtë kontrabandimi i Haxhiut si pjesë e stafit akademik në Fakultetin e Mjekësisë, meqë ai nuk i përmbushte kushtet e konkursit, doktorata do t’i jepte një përparësi me kandidatë e tjerë”, tha ai.

Sipas Jasharit,“Universiteti Corllins” nuk ka adresë fizike dhe person kontaktues, çka e bën edhe atë një universitet virtual.“Në bazë të hulumtimeve në internet, kemi mësuar se IP-të e e-maileve që vijnë nga ky universitet janë nga Pakistani, ndërsa kemi mësuar që pakot që vijnë me postë origjinën e kanë në Arabinë Saudite! Përfaqësues të kësaj lëvizje tregojnë se me një kërkim të thjeshtë në internet mund të gjesh shumë viktima të mashtrimit të këtij universiteti dhe universiteteve të tjera”.

Në një dokument, të cilin e prezantuan zyrtarët e SKV-së, del se Haxhiu është i diplomuar në “Universitetin Corllins” si doktor i Kineziologjisë, më 21 qershor të vitit 2011.

Me gjithë këtë, deputeti Haxhiu nuk i pranon, siç i quan ai, shpifjet e disa rrugaçëve dhe thotë se ende nuk ka diplomuar në atë universitet dhe se është vetëm student. Lëvizja ‘Studim, Kritikë, Veprim’ është degë e lëvizjes ‘Vetëvendosje’ dhe nuk i përfaqëson studentët, por rrugaçët shkruan “Kosova Sot”.

Unë nuk kam diplomë të doktoratës, ky është një trillim enorm. Ata nuk dinë se çka është regjistrimi në fakultet dhe diplomimi dhe jam regjistruar në qershor të vitit 2011 dhe ende nuk e kam përfunduar asnjë semestër atje.

Ata rrugaçë nuk dinë çka është teza e doktoratës, çka është diploma e doktoratës dhe çka është studimi, ata janë analfabetë të llojit të vet dhe për këtë do të përgjigjen në gjyq. Shumë shpejt do t’i padis, sepse ata nuk i përfaqësojnë studentët, ata thjesht janë rrugaçë dhe për këto njollosje do të japin përgjegjësi”, ka thënë Haxhiu përmes telefonit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu