SMS dhe zarfa e Ambasadorit Dell

0
660

PTK po privatizohet sikur që është privatizuar dhe u mëvetësua ambasadori Kristofer Dell. Duke u angazhuar që ta ndihmoj politikën kosovare, nganjëherë po i humb fijen lëmshit. Në zgjedhjen e parë të Presidentit (Pacolli), ambasadori futi në funksion të gjitha kapacitetet në I’Phone e tij për dërgim të SMS’ve. Me që kjo metodë i dështoi dhe SMS’të i shkuan huq që i’a dogji Kushtetuesja duke e cilësuar zgjedhjen e të parit si antikushtetuese, herën e dytë ju kthye metodës më “primitive” të kohës së vjetër.

Herën e dytë, përdori Kuvertën (zarfin) për ta luajtur lojën me lidershipin kosovar A TURR A JAZ. Dhe kësaj here si duket i “ndezi” ideja. I la me gojë të hapur “tre musketarët” të cilët nuk e kishin guximin as të bëzajnë, ngase nuk i kthehet fjala “djalit të mikut të madh”.

Foto: Buzëqeshja e triadës së papërgjegjshme të Kosovës

Propozimi ishte “Bingo” për zv.drejtoreshën e Policisë së Kosovës, e cila nuk kishte ëndërruar se një ditë nuk do të ketë politikanë apo politikane për ta udhëhequr shtetin dhe ajo të ketë fatin ti kontribuojë vendit. Lartmadhnia Dell propozoi dhe e zgjodhi Presidente ashtu siq e kishte menduar. Kjo dëshmon sa është i rëndësishëm privatizimi i PTK’së për faktorin ndërkombëtar, ngase vendorët nuk ja dinë “kimetin” kësaj kompanie dhe nuk dinë kur duhet të përdoren SMS’të  dhe Zarfet. Nuk kam hasur të dijë se në cilin shtet të botës, sundojnë Ambasadorët. Këtu tek ne ambasadorët e mësuan lojën e vjetër popullore të odave “degergjik” të cilën po e luajnë mjeshtërisht në këtë hapësirë, duke e shfrytëzuar paaftësinë e liderëve tanë që me egon e tyre fitimprurëse mbyllin çdo rrugë zgjidhje.

Presidentja e re do të jetë një Kukullë e bukur dhe e butë që do të kënaq apetitet politike të atyre që para ekraneve qeshen me cinizëm duke harruar se janë aty me votat e popullit që po e injorojnë me veprimet e tyre. Presidentja – police do të ketë rastin të sheh nga afër tash hajnitë institucionale që bëhen nga ata që me apo pa dije e shkelin, dhunojnë dhe lakojnë Kushtetutën e vendit. Në fakt, ajo do të jetë presidente formale, ngase këtu dihet kush është “Zot”-Dell e  Piter Feith.

Tani së fundi, për ti hequr vajin nga buza atij që doli i lagur nga marrëveshja (Pacollit), kreu i Qeverisë së shtetit i jep një post të veçantë, si zëvendës i parë i tij me detyra të caktuara për njohje dhe investime, duke e ditur se i shkojnë për dore dhe ka përvojë për  këto dy çështje. E ne, do të vazhdojmë edhe për një kohë, të presim Zarfet e ambasadorëve sepse vetë po u japim imunitetin me votat tona këtyre liderëve tanë të cilët për të satën herë e dëshmojnë se interesin individual e kanë në gjak, kurse shteti e populli janë prioritet vetëm me fjalë në tubimet elektorale.

Shkruan: Agron Abazi – 10. 04. 2011

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu