Sokol Dobruna i bashkohet LVV-së

0
79
Sokol Dobruna i bashkohet LVV-së

Ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Zeri.info.

Këtë e konfirmoi kreu i saj, Albin Kurti, për të cilin publikoi edhe një biografi të shkurtër.

“Në vitin 1961 ishte student në Zagreb, mirëpo u detyrua t’i ndërprejë studimet atje e t’i përfundojë në Fakultetin Juridik në Prishtinë, për shkak se familja e tij konsiderohej politikisht e papërshtatshme në ish Jugosllavi. Baca Sokol është ish i burgosur politik dhe veprimtar i kahmotshëm i çështjes kombëtare, pjesëmarrës në lëvizje e organizata të ndryshme legale e ilegale të kohës”, tha mes tjerash Kurti.

Ai kujtoi edhe një takim me Dobrunën gjatë luftës.

“Në dimrin e ashpër 1998/1999, jemi takuar në Shtab të Përgjithshëm në malet e Berishës kur Adem Demaçi përfaqësonte dhe mbronte UÇK-në duke udhëhequr zyren e saj në Prishtinë. Gjatë luftës, Baca Sokol asnjë ditë të vetme nuk ka qenë jashtë Kosovës dhe e ka ecur në këmbë Kosovën nga Shala e Bajgora deri në Vrri të Prizrenit. Me tetë dekadat e jetës së tij ai është dëshmi e gjallë se është e mundur të plakesh duke qenë edhe patriot edhe i ndershëm”, tha Kurti.

Por, kush në të vërtet është Sokol Dobruna?

Në një deklaratë për Klan Kosovën të para disa viteve, Dobruna kishte treguar se e kishte dënuar me pushkatim Blerim Kuçin, ministrin aktual të Ambientit, por që i njëjti ishte liruar po në bazë të Ligjit të luftës, mbi të cilin edhe ishte dënuar.

“Unë dua të tregoj se në Gjykatën Ushtarake kemi patur Kodin penal të luftës, Kodin e Procedurës Penale, Kodin e ekzekutimeve penale. Unë personalisht e kam dënuar njeriun me pushkatim, Blerim Kuçin ish-kryetarin e Suharekës. Mirëpo i njëjti ligj që e ka dënua, ligji i ekzekutimeve penale i cili është në arkiv, e ka liruar, unë jo por ligji. Bile unë i kam thirr prindërit për me pa për herë të fundit, këtë opinioni nuk e di. Kodi ka qenë i ish-Jugosllavisë i modifikuar për te na. Si jurist me kompetencë ju them se ligjet e Jugosllavisë kanë qenë të mira, por janë aplikua për shqiptarë në mënyrë selektive, negativisht”, kishte thënë Dobruna.

Ai ishte shprehur se UÇK-ja nuk ka bërë krime, por mund të ketë patur individë brenda saj.

“Koncepti UÇK nuk mund të përdoret këtu, por njerëzit nga UÇK. Këtu populli jonë gabon, edhe shteti edhe populli edhe ndërkombëtarët, shumë, se në Kosovë e patëm një dhunim të një ushtrie por thamë një ushtar i ‘filan’ shtetit dhunoi një vajzë, këtu vërehet vetëdija jonë e të çenurit rob. Unë kam prova ndërkombëtare dhe kombëtare, vendore se unë personalisht kam dorëzuar serbë në OSBE, sepse nuk kam pranuae që robi i luftës të persekutohet, e kam dorëzuar por si pasojë kemi pas, sa di unë që na i kanë liru edhe neve. (Mund të garantoj për) pastërtinë e UÇK-së. Por se ka pas individë që kanë devijuar, si në çdo ushtri, devijojnë. Por neve na shihet shumë për të madhe, se jemi të vegjël. Krejt kjo është pasojë e politikës globale. Se neve në shkollë na kanë mësuar çka është demokracia e unë demokraci në Kosovë nuk po shoh, shkelin ligjet vendorët edhe ndërkombëtarët”, ishte shprehur në atë kohë Sokol Dobruna.

Kujtojmë se Dobruna është ftuar nga Gjykata Speciale. /Zëri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu