Aleanca Kuq e Zi ka mbledhur sot paradite Këshillin Kombëtar për të deklaruar finalizimin e strukturave në të 12 qarqet e vendit dhe deklaron të hapur fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentar. Kreu i Aleancës, Kreshnik Spahiu, i bëri thirrje anëtarëve të afrojnë elektoratin e zhgënjyer të dy partive të mëdha me qëllimin kryesor largimin e Berishës në zgjedhjet e 23 qershorit. “Punoni të afroni çdo demokrat që po largohet. Ata janë më të përdorur se çdo kush tjetër. Demokratët votuan por jo që 5 familje mafioze të mbajnë peng shtetin shqiptar. Afroni ata se ndihen si limon të shtrydhur ne do u kthejmë dinjitetin. Afroni socialistët dhe demokratët e zhgënjyer”, u shpreh Spahiu.
Kryetari i AK-së akuzoi politikanët se synojnë pushtet të përjetshëm dhe deklaron se vetë si AK do të ketë parim kufizimin e mandateve.
“Programi është i qartë. Pranvera duhet të largojë këtë njeri para zgjedhjeve të 23 qershorit. Ky është detyrimi ynë, tha kreu i AK-së, duke deklaruar dhe hapjen e fushatës zgjedhore. “Që nga sot të hapim fushatën zgjedhore në Vlorë, Sarandë, Korçë, Shkodër, Pogradec e çdo qytet për të përgatitur njerëzit për pranverën shqiptare. Shkoni e gjeni njerëzit më të guximshëm”,- tha më tej Spahiu. Ai kërkoi të nënvizonte se, “Nuk është synimi ynë në vetvete pushteti, por krijimi i një shteti të fortë juridik me parime të reja.
Kreshnik Spahiu tha se, do të jetë vetëm dy mandate dhe do të tërhiqet nga Aleanca Kuq e Zi. “Standardet demokratike duhet të fillojmë nga vetja. Aleanca duhet të krijojë modelin për kufizimin e mandateve. Ky është kufizimi që do bëjmë në mbledhjen e kongresit në qershor”, – tha kreu i AK-së duke deklaruar se ata që duhet të bashkëpunojnë me AK-në duhet të kufizojnë fillimisht mandatet. “Asnjë parti nuk ka kufizimin në dy mandate për krerët e partive”,- tha Spahiu duke i akuzuar për partitë e mëdha se kanë krijuar monopol në ekonomi, politikë e media.
“Ridvan Bode, Genc Pollo, Arben Imami dhe të gjithë ministrat kanë mandate të përsëritshme dhe nuk lëshojnë karriget e pushtetit duke keqpërdorur elektoratin e tyre në çdo zgjedhje. Ata u kërkojnë votën dhe kanë krijuar një oligarki që është e pathyeshme”,- tha Ai.
Spahiu komentoi dhe sloganin e Partisë Demokratike, të propozuar nga vetë kryeministrit, ‘Ne jemi ndryshimi- Përpara’. “Ndryshimi për para duhet të kthehet në slogan”, – tha Spahiu duke e akuzuar Berishën se nuk mund të ketë asnjë slogan as për çështjet kombëtare, shiti detin. Ai është kërcënuesi më i egër i stabilitetit dhe paqes në rajon, kërcënon Brukselin e SHBA-në, në 1997 donte të fuste në luftë toskët dhe gegët”, – tha Spahiu duke nënvizuar se “shpëtimi i vetëm është Aleanca Kuq e Zi”.