Spahiu: Politika, e shitur te serbët dhe grekët

0
936

Aleanca Kuq e Zi ka nisur të dielën turneun e takimeve me emigrantët shqiptarë të cilët kthehen gjatë sezonit veror pranë të afërmve të tyre për të kaluar pushimet. Kreu i lëvizjes Aleanca KuqeZi çeli fushatën e takimeve me emigrantët shqiptarë në qytetin e Durrësit. Takimi u zhvillua në pistën “Iliria” ku u mblodhën me qindra emigrantë shqiptarë nga qyteti bregdetar i Durrësit.

“Aleanca KuqeZi i ka kthyer sytë tek emigrantët shqiptarë që janë larguar nga Shqipëria gjatë 22 viteve të tranzicionit, jo me qëllim për t’i marrë atyre votën një muaj përpara zgjedhjeve, por sepse Aleanca KuqeZi është vetmja forcë politike që shqiptarët i trajton pa ndasitë që politika 22 vjeçare e dështuar është mësuar t’i trajtojë ata”, deklaroi kryetari Aleancës KuqeZi Kreshnik Spahiu.

Ai u shpreh se dy forcat kryesore kanë dështuar në zbatimin e premtimeve dhe kontratës me qytetarët.

“Ka ardhur koha që të gjithë t’i ktheni sytë nga Shqipëria, nga toka jonë e cila po dergjet, shitet dhe copëtohet për interesat personale të Sali Berishës dhe Edi Ramës. Sot më shumë se kurrë ju duhet të kuptoni që politikat e PS dhe PD kanë dështuar dhe këto dy forca politike duhen ndëshkuar. Duhen ndëshkuar me votë për qëllimin e vetëm për t’i dhënë Shqipërisë një faqe të re në historinë e saj moderne, ku zhvillimi, integrimi dhe prosperiteti të mos ketë as ngjyrën blu e as atë rozë por të mbajnë vulën kuqezi, vulën e shqiptarëve kuqezi”, u shpreh Kreshnik Spahiu.

Sipas Kreshnik Spahiut forca e bashkimit dhe fuqia e zërit të arsyes do të bëjë të mundur që shqiptarët të shpëtojnë njëherë e përgjithmonë nga kjo klasë politike e shitur tek Serbi dhe Greku.

“Ju jeni larguar nga vendi juaj, familjet dhe të afërmit tuaj për një jetë më të mirë. Paguani taksa në vendet ku jetoni dhe jeni sërish të huaj. Ju trajtoheni si qytetarë të dorës së dytë sepse politika e Sali Berishës dhe Edi Ramës ka bërë që imazhi i Shqipërisë të rrënohet vit pas viti duke vënë në vështirësi kombin shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve. Kjo epokë e errët e politikanëve të dështuar dhe klientelistë duhet të marr fund”, deklaroi Kreshnik Spahiu.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu