Srebrenica e Sirisë

0
496

Dy gazetarë Perëndimor u vranë të mërkurën, si pasojë e sulmeve të ndërmarra nga forcat siriane të sigurisë, në qendrën e kryengritësve, Homs. Të rrethuar nga snajperistët dhe të uritur, aktivistët po i cilësojnë sulmet si një gjenocid dhe po kërkojnë ndihmë nga Perëndimi.

“Nuk po mund t’i tërheqim. Trupat e tyre mbesin të shtrirë në rrugë. Or nëse shkojmë për t’i tërhequr, do të përballemi me zjarrin e snajperistëve”. Të mërkurën, për disa momente kishte mundësi që të kontaktohej Omar Shakiri në qytetin Homs, qendrën e rezistencës në Siri. Shakir është një prej zëdhënësve të kryengritësve në lagjen Baba Amër, ku gazetarja amerikane, Marie Colvin dhe fotoreporteri francez, Remi Cochlin, u vranë pas një sulmi të forcave qeveritare të mërkurën në mëngjes.

Ata kanë qenë në pjesën e prapme të ndërtesës, e cila shërbente si qendër mediale, kur raketa e parë dridhi dhomën.

“Deshëm të zhvendosemi në një ndërtesë tjetër, por sulmet ishin masive. Më pas, kishte një qetësi prej dy minutave dhe ata vrapuan dhe u qëlluan nga raketa, e cila goditi hyrjen e ndërtesës. Që të dy vdiqën menjëherë”, rrëfeu Shakir.

Baba Amër në dhjetor të vitit të kaluar u bë zona e parë e çliruar në pjesët qendrore të Sirisë. Ushtarët, të cilët kishin dezertuar nga radhët e ushtrisë, për t’iu bashkuar Ushtrisë së Lirë të Sirisë, mbrojtën këtë lagje në jugperëndim të qytetit, nga forcat besnike të regjimit.

Por në ndërkohë, situata në Homs është përkeqësuar dukshëm. Që nga 4 shkurti, disa qarqe në perëndim dhe veri të Homsit janë bombarduar pa ndërprerë. Epiqendra e tmerrit është lagjja Baba Amër. Kjo pjesë e qytetit është shndërruar në gërmadhë. Mjekët që kanë mbetur punojnë pa pushim në xhaminë e vogël në të cilën janë evakuuar, pasi që më herët klinika e tyre ishte bombarduar. Ata po kryejnë amputime pa anestezion, nuk kanë pothuajse fare më medikamente, e lëre më gjak për transfuzion. Dhe ata më nuk dinë se çfarë të bëjnë me kufomat e të vdekurve.

Nuk ka furnizim me rrymë, nuk ka lidhje telefonike, e as ujë. Deri të martën, Omar Shakir nuk ishte në gjendje të përcillte lajmin se është i gjallë.

“Është një mrekulli që antena satelitore ende po qëndron në kulm. Ka disa qindra luftëtarë kryengritës në lagje, por ata janë të pafuqishëm kundër tankeve”, thotë Shakir.

Kur granatat qëlluan qytetin të mërkurën, përveç vrasjes së Colvinit dhe Ochlikut, u lënduan edhe disa gazetarë tjerë Perëndimor. Fotoreporteri britanik, Paul Conroy, pësoi lëndime të rënda në këmbë, ndërsa gazetarja franceze, Edith Bouvier, ka thyer këmbën e majtë.

Aktualisht, që të dy gjenden në një spital nëntokësor në Baba Amër. “Por nëse nuk e largojmë Edithin nga aty, ajo nuk do të mbijetojë. Ajo duhet të operohet menjëherë, ka nevojë për transfuzion të gjakut dhe ilaçe”, deklaroi një mjek.

Gazetarët Perëndimor po kërcënohen që të përjetojnë fatin e qindra sirianëve, të cilët po vdesin ngadalë, ngase nuk ka mundësi që të trajtohen. Vetëm të mërkurën, në Baba Amër kanë vdekur prej 50 deri në 100 persona, si pasojë e sulmeve nga ana e forcave të presidentit Baschar Al Assad.

Më shumë se 20 mijë persona, shumica prej tyre gra, fëmijë dhe të moshuar, kanë mbetur ende të ngujuar nëpër shtëpitë e tyre në Baba Amër. Ata kishin vendosur të qëndrojnë, kur ende patën mundësi që të largohen. Ata që jetojnë ende në Baba Amër mbesin në mëshirën e granatave, të cilat Marie Colvin i dëgjoi duke shpërthyer 14 herë brenda 30 sekondave, lajm ky të cilin e përcolli gjatë intervistës së saj të fundit, të cilën e dha të martën.

“Ajo që po ndodh këtu është gjenocid. Assad dëshiron të fshijë nga harta Baba Amrin. Ai mendon se atëherë populli do të dorëzohet”, thotë Shakir, i cili detyrohet të përsëris disa herë fjalët e tij, për shkak se ndërpritej nga shpërthimet e fuqishme.

Ai e krahasoi situatën në Homs me atë në Srebrebnicë, qytetin në Bosnje, ku në vitin 1995 u masakruan mbi 8 mijë meshkuj boshnjakë.

“Edhe këtu, bashkësia ndërkombëtare do të dërgoi një komision hetues, pasi që të jenë vendosur faktet. Por neve nuk na nevojitet një Komision hetues. Kemi nevojë për përfundimin e sulmeve. Ju lutemi, na ndihmoni, apo në të kundërtën të gjithë këtu do të vdesin?, thotë Shakir me një zë të hidhur.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu