“Srpska” bojkoton institucionet, por jo edhe privilegjet

0
660

Veturat zyrtare

Përfaqësuesit politik të Listës Serbe nuk janë duke marr pjesë në punët e Qeverisë dhe të Kuvendit, prej se është shkarkuar Aleksandër Jabllanoviq nga posti i ministrit për Kthim dhe Komunitete, por ata nuk kanë hequr dorë nga shfrytëzimi i resurseve publike të Kosovës.

Burime të Gazetës Tribuna në Qeveri kanë bërë të ditur se zëvendëskryeministri, Branimir Stojanoviq dhe ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq vazhdojnë t’i kenë në shfrytëzim veturat zyrtare.

Bile, ky i fundit sipas burimeve ka pësuar një aksident me veturën e tij duke shkaktuar një dëm prej mbi pesë mijë euro për riparim.

Pos kësaj, të njëjtat burime kanë pohuar se zyrtarët serb udhëtojnë shpesh nga veriu i Kosovës për në Beograd.

Edhe në qeverinë e Kosovës pranojnë për privilegjet që po i përdorin përfaqësuesit e Listës Serbe.

“Po, zv/kryeministri Stojanoviq dhe ministri Mariq janë anëtarë të kabinetit qeveritar, dhe ju takojnë ato çfarë parashihet me ligj për persona zyrtar në pozitat respektive”, ka thënë zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi.

Sa i përket aksidentit të shkaktuar nga ana e ministrit Lubomir Mariq me veturën qeveritare, zëdhënësi Abrashi nuk e ka mohuar dhe as pohuar një gjë të tillë.

“Deri më tani nuk është raportuar për aksidentin e pohuar, sido që të jetë, raste të tilla evidentohen nga organet kompetente”, ka thënë Abrashi.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu