“Srpska” nuk do qeveri me “Vetëvendosje”

0
846

aleksander jablanovic

Lista “Srpska” përfundimisht nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re të Kosovës, nëse së bashku me Bllokun opozitar: LDK, AAK, Nisma është pjesë e saj edhe Lëvizja “Vetëvendosje”. Ky vendim është marrë të mërkurën, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe janë takuar në Beograd me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në anën tjetër, koalicioni: VLAN thotë se “Srpska” nuk ka zgjidhje tjetër pos ta mbështesë VLAN-in.

Drejtori i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq, ka thënë se pavarësisht se kush e formon qeverinë e re, “ai që llogarit në përkrahjen tonë, duhet të llogarisë në punën që duhet të drejtohet në rritjen dhe forcimin e interesit të bashkësisë serbe në Kosovë”.
“Principi i dytë është zhvillimi ekonomik për të gjithë banorët e Kosovës, pasi që në 15 vjetët e fundit ekonomia ishte në hijen e politikës dhe për këtë e kanë pësuar të gjithë ata që jetojnë në Kosovë, shqiptarët dhe serbët”, ka thënë Gjuriq.
Qeveria, sipas tij, duhet ta ketë prioritet forcimin ekonomik dhe që tregtia të funksionojë pa pengesa në të dy anët e kufirit administrativ.

“Principi i tretë dhe tejet i rëndësishëm është se ne nuk duam që bashkësia serbe të marrë pjesë në qeveri, aty ku marrin pjesë ata, që veprimtaria politike e tyre është drejtuar haptazi kundër interesave serbe, me ata që dalin në shtyp dhe thonë se nuk do të lejojnë kurrë formimin e komunave serbe”, ka thënë Gjuriq.
Ai ka thënë se kanë iluzione shumë në elitën politike, në Prishtinë, se nuk kanë simpati për popullin serb dhe për interesin shtetëror të serbëve. “Nuk duam të jemi në qeveri me ata që janë kundër interesave serbe, ata që nuk i duan komunat serbe”, ka thënë Gjuriq. Ndërkaq, i nominuari për kryeministër nga koalicioni VLAN, Ramush Haradinaj, thotë se Kushtetuesja e garanton që Lista Serbe të jetë në qeverisje.

“E ka ketë pozicion. Është e mirëpritur në këtë situatë, për shkak se ashtu e parasheh Kushtetuta e jonë dhe është interes i Kosovës integrimi i mëtejmë i serbëve, i atyre në brendi të Kosovës, por edhe në veri. Pra, janë të mirëpritur në hapësirën që e kanë”, ka thënë Haradinaj. Sipas tij, këto punë nuk janë zgjedhje dëshirash se me kënd do, por cila është zgjidhja reale. “Në ketë rast, kuptohet se ata nuk kanë shumë zgjidhje dhe zgjidhja e vetme që ju mbetet për pjesëmarrje në qeverisje, ju mbetet me koalicionin: LDK, AAK, Nisma dhe “Vetëvendosje””, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq, rreth votimit të deputetëve të Listës “Srpska” në seancën e Kuvendit të Kosovës ata ende nuk kanë marrë qëndrim.

“Sa i përket votimit të kandidatëve për kryetar Kuvendi nga nëntë deputetët e Listës ‘Srpska’ ende nuk kemi qëndrim. Kjo do të publikohet pak para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit”, ka thënë një burim i gazetës “Zëri” brenda Listës “Srpska”.

Ndryshe, të mërkurën pas takimit të liderëve të VLAN-it, Ramush Haradinaj ka thënë se ky koalicion është i përgatitur për seancën e së enjtes. “Takimi i sotëm ka qenë një takim konsultativ për seancën e nesërme. Kuptohet, mbetet vetëm ta përsëris se ne jemi plotësisht të gatshëm për seancë. Nuk dua të jap detaje, sepse në vija të trasha epilogu i seancës dihet. Kandidati i PDK-së nuk do të votohet. Presim pikën 126, pra dështimin e kandidatit të parë për të pasuar me pikën 127”, ka thënë Haradinaj, pas takimit të LAN-it dhe LVV-së.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu