Statusi i UÇK-së, për 14 vite asnjë zgjidhje

0
727

UCK

14 vite nga konflikti i vitit 2001 në Maqedoni, akoma nuk është zgjidhur statusi i familjeve të dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së.

Shumë veteranë, invalidë dhe familjarë të dëshmorëve përballen sot me kushte të vështira të jetës, skamje dhe probleme sociale, mungesë të punës dhe sigurimit të ekzistencës dhe një varg peripeci të tjera.

Ata  theksojnë se nuk duan më të flasin për luftën, sepse ajo është bërë si çështje keqpërdorimi nga ana e shumë individëve që përfituan nga ajo.

“Jemi lënë në harresë, kush nuk kujdeset për ne. Isha i punësuar në një institucion për vetëm 3 mijë denarë dhe  u detyrova të largohem dhe të shoh ndonjë rrugëzgjidhje, sepse nuk jetohet me premtime dhe mashtrime, duke humbur dinjitetin tim në ditë zgjedhjes, për të siguruar vota për profiterët e luftës, që sot mbajnë kolltuqe pushteti”, thekson për INA një ushtarë i UÇK-së.

Partitë politike këtë çështje vazhdimisht e kanë përdorur për fushata dhe konfrontime politike, ndërsa Shoqatat e Veteranëve të Luftës vite me radhë kanë ngritur zërin, duke kërkuar zgjidhje emergjente dhe rregullimin e statusit të familjeve të dëshmorëve, në përputhje me Ligjin për përkujdesje institucionale për të rënët maqedonas gjatë konfliktit të vitit 2001, informon INA.

BDI si një partitë e dalur pas luftës së 2001 dhe e cila gati se ka udhëhequr me pushtetin që nga ndalimi i konfliktit, akoma nuk ka arritur që të kalojë edhe një gjysmë – ligj për zgjidhjen e statusit të UÇK-së.

Nismat e ndryshme ishin përdorur si pjesë e fushatave zgjedhore dhe kishin ngelur nëpër sirtaret e Parlamentit, ndërsa shumica e lidershipit të kësaj partie kanë shfaqur arsyetimet se shumica e veteranëve, invalidëve dhe pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve janë të sistemuar dhe punësuar dhe se është siguruar një ekzistencë e tyre.

Edhe partitë e tjera politike gjithashtu kanë përdorur këtë çështje kryesisht në programet e tyre partiake dhe gjatë fushatave zgjedhore.

Shoqatat e veteranëve kanë vazhduar me ngritjen e zërit për këtë çështje, mirëpo kërkesat e tilla vazhdojnë vetëm të përsëriten, duke mos gjetur përkrahjen nga spektri politik.

Kërkesa për zgjidhje për statusin e UÇK-së është bërë edhe nga diplomatë perëndimor, të cilët kërkojnë që kjo zgjidhje të jetë në pako dhe një formë pajtimi me zgjidhjen e statusit edhe të branitellave maqedonas. (INA)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu