Strukturat paralele shpallin gjendje të jashtëzakonshme

0
725

Strukturat paralele në veri të Mitrovicës kanë shpallur të mërkurën gjendje të jashtëzakonshme në veri. Këto struktura kanë apeluar te qytetarët serbë të jenë në gjendje gatishmërie për çdo situatë që mund të krijohet, ndërkohë që kanë ftuar të gjithë serbët që janë të aftë të përgjigjen në rast të çdo nevoje.

Të mërkurën në Zveçan është mbajtur një takim midis komandantit të KFOR-it në Kosovë, Erhard Buhler dhe kryenegociatorit serb në bisedime me Prishtinën, Borko Stefanoviq, në të cilin është biseduar rreth zbatimit të marrëveshjes që është arritur një natë më parë për tërheqjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës, si dhe kthimin e policëve serbë të Kosovës në pikat kufitare si më parë.

Burime të Kosovapress-it bëjnë të ditur se epilogu i këtij takimi mes gjeneralit dhe kryenegociatorit është në disfavor të serbëve, andaj ka indikacione të organizimit të protestave dhe tensionimit të gjendjes në veri.

Në veri mbyllen dyqanet, për të dalë në barrikada

Këshilli komunal paralel në veri të Mitrovicës të mërkurën mori vendim që për shkak të rrethanave të krijuara, të përkufizojë orarin e punës për dyqanet e pavarura zejtare dhe objekteve hoteliere në veri të qytetit të Mitrovicës, në periudhën kohore prej orës 7 deri në 15.

Sipas këtij Këshilli, në rast të mosrespektimit të këtij vendimi, do të merren masa ligjore ndaj atyre që thyejnë vendimin.

Burime të Kosovapress-it nga veriu, kanë bërë të ditur se një vendim i tillë është marrë me qëllim që të ketë prezencë sa më të madhe të qytetarëve serbë gjatë orëve të pasdites, por edhe të natës, në Rudare, Jarinje, si dhe në disa lokacione të tjera të komunës së Zubin-Potokut, ku janë të ngritura barrikadat për qarkullimin e automjeteve të policisë së Kosovës në rast nevoje.

Ka indikacione që njësitë e RSU-së të nisen sërish në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak në shenjë hakmarrjeje për vdekjen e policit të kësaj njësie, andaj ne duhet të jemi syçelë dhe të bëjmë rojë në numër sa më të madh pranë këtyre pikave”, ka thënë njëri nga udhëheqësit e strukturave paralele, citojnë burimet. (kp)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu