Studentët letër të hapur Kuçit, për rastin “Kleçka”

0
824

Një grup studentësh të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, i janë drejtuar ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, me një letër të hapur, ku i kërkohet atij që të merret më shumë me drejtësi sesa me punë të tjera. Këta studentë i janë drejtuar Kuçit, duke e pyetur se si ndihet kur i burgosen shokët, madje duke e akuzuar atë për gjakftohtësi kur drejtësia devijohet nga të tjerët.

“I nderuar z. Ministër, mundësia e dështimit me mundësinë e suksesit dallojnë, sepse me miliona mundësi keni për të dështuar, e shumë pak mundësi për të pasur sukses. Ju si ministër i ministrisë më të ndjeshme duhet të keni patjetër sukses, sepse këtë sukses indirekt do ta kenë edhe qytetarët e Kosovës”, thonë studentët.

Ata e kanë pyetur atë se si mund të jetë kaq indiferent dhe gjakftohtë kur në vendin tonë drejtësia devijohet nga të tjerët. “Z. Kuçi, a mund të më thoni se si ndiheni ju kur shokët tuaj pa asnjë të drejtë i burgosin, a mund të më thoni se si mund të rrini aq i qetë dhe gjakftohtë në atë pozitë që jeni ju, kur “drejtësinë”në shtetin tonë mundohen ta devijojnë të tjerët, a mund të na thoni arsyet e qëndrimit tënd në këtë pozitë, përderisa ju nuk merreni fare me rastin më të ndjeshëm në Kosovë, rastin “Kleçka”?”, thuhet pos tjerash në letër.

Ndërsa pyetjet e radhës ministrit Kuçi i bëhen për rastin Limaj.

“A nuk ju pengon aspak që bashkëpunëtori juaj politik, z. Fatmir Limaj po vuan padrejtësisht në burg? Të paktën nuk po mund të dilni me një deklaratë si ministër dhe t’iu thoni stop këtyre manipulimeve që i bëhen këtij njeriu? Kaq paska kontribuar ai për këtë vend saqë s’po e merituaka një mbështetje nga ju, asgjë nuk i paska dhënë Kosovës që tash të vuajë? Apo ngaqë çdo ditë merreni me privatizimin e pasurisë së Kosovës, paskeni vendosur që ta privatizoni edhe kontributin e tij që ka dhënë për këtë vend, në sa pjesë do ta ndani, cilën pjesë të kontributit të tij dëshiron ta marrësh? Mos ndoshta kontributin që dha sa ishte ministër? Ne e dimë, po ashtu edhe populli i Kosovës e di qe askush nuk mund të punojë sa ka punuar ai në kohën kur ishte ministër i Transportit, po sigurisht që juve disave në këtë Qeveri ju janë verbuar sytë nga ky pushtet që keni dhe mund t’i harroni këto gjera por ne populli nuk i harrojmë”, pyesin ndër të tjera studentët nga Suhareka.

“Z. Ministër, është e themeluar gjykata enkas për krime lufte në ish-Jugosllavi, e dini që shoku juaj për 3 vjet me radhë ishte i burgosur në Hagë, e cila në fund dha një aktgjykim përfundimtar në favor të z.Limaj, dhe duke qenë shumica nga ne studentë në Fakultetin Juridik nuk arrijmë të kuptojmë se si një gjykatë vendore e konteston një gjykatë ndërkombëtare, ku njihen shumë mirë parimet që ka kjo gjykatë. E kuptojmë që në Hagë kanë qenë rrethana tjera ndoshta edhe nuk keni pasur mundësi të reagoni, por kur EULEX-i fillon përsëri një gjykim për krime lufte, a është e drejt t’i lejohet kjo? Të bëhet një gjykim me një dëshmitar të vdekur? Si është e mundur kjo?”, thonë ata.

“Dhe në fund z. Ministër, a mund ta dimë ne, se cilave ditë punojnë institucionet tona, të shtunën? të dielën? A nuk ishte e tmerrshme kjo kur u burgos Fatmir Limaj në ditë pushimi dhe ju s’bëni asnjë reagim? Kur gjykata e Hagës ka akuzuar z.Limaj, sigurisht ju kujtohet që është paraqitur vullnetar. A nuk ishte prapë ai që shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me drejtësinë? E pse tash të arratisej? Z. ministër, as për këtë nuk mund të reagoni? Po nëse ju jo, atëherë kush duhet ta bëjë këtë?”, thonë ndër të tjera ata.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu