Studimi i Universitetit të Kalifornisë: Shqiptarët, më homogjenët në Evropë

0
693

Shqipja

Dy profesorë të Universitetit të Kalifornisë, Peter Ralph dhe Graham Coop kanë botuar një studim për Gjeografinë Aktuale Gjenetike të Paraardhësve në të gjithë Evropën. Ky studim ka shfrytëzuar një bazë të dhënash të quajtur POPRES, që ka marrë të dhënat gjenetike të 2,237 europianëve, që janë kryesisht banorë në Londër, Mbretëri e Bashkuar, dhe Lozanë, Zvicër.
Meqenëse këto dy qytete kanë individë që kanë origjinë nga e gjithë Evropa, atëherë të dhënat e tyre gjenetike janë përdorur për të verifikuar trashëgiminë gjenealogjike të banorëve të Evropës deri në 3 mijë vjet më parë. Pjesë e këtij studimi ishin dhe të dhënat gjenetike të 9 shqiptarëve nga Shqipëria dhe 14 shqiptarëve nga Kosova. Të dhënat gjenetike të këtyre 23 shqiptarëve me banim në Londër dhe në Lozanë janë krahasuar me të dhënat gjenetike të individëve me origjinë nga e gjithë Evropa.
Në fakt, studiuesit kanë marrë vetëm gjuhën si vijë ndarëse kështu që të gjitha shtetet sllave në Ballkan janë përfshirë në një grup të vetëm. Ky studim mundëson shumë diskutime, megjithatë rezultatet nga tabela në faqen 37 tregojnë faktin se shqiptarët janë kombi më homogjen në Evropë dhe që të gjitha popullsitë e Ballkanit kanë paraardhës të përbashkët me shqiptarët, që datojnë më shumë se 2 mijë vjet përpara dyndjeve sllave në këto rajone. Duket se tashmë biologjia dhe studimet gjenetike do t’i japin të drejtën shqiptarëve që të quhen popullata më autoktone e Ballkanit dhe të konsiderohen në mënyrë të padiskutueshme pasardhës të ilirëve në histori.
Studimi i Universitetit të Kalifornisë i kushton Shqipërisë një hapësirë të veçantë duke e marrë atë si shembull. Më poshtë është pjesa ku përmendet Shqipëria, ndërkohë që ajo nuk mungon në tabelat ilustruese dhe në shifra. “Niveli më i lartë i Prejardhjes së Përbashkët të Identitetit gjendet tek individët që flasin gjuhën shqipe (nga Shqipëria dhe Kosova), që kanë një rritje të prejardhjes së përbashkët që vjen që nga 1,500 vjet më parë. Kjo sugjeron që një pjesë e rëndësishme e pararendësve të shqiptarëve modernë kanë qenë nga një grup relativisht koherent dhe i mbledhur popullsie që ka qenë i qëndrueshëm për të paktën 1,500 vjetët e fundit.
Po ashtu, këta individë kanë numër të ngjashëm paraardhësish edhe me popullsitë e afërta, si dhe individët në pjesë të tjera të Evropës, duke treguar që popullsitë shqipfolëse nuk kanë qenë aq shumë të izoluara. Për më tepër, individët grekë (dhe disi më pak ato të vetëquajtur maqedonas) kanë një numër më të madh paraardhësish me shqiptarët sesa me fqinjët e tjerë, ndoshta për shkak të efektit më të vogël të pushtimeve sllave në këto popullsi.
“ Përfundimi tregon se shqiptarët janë populli më homogjen, por edhe që i kanë dhënë më shumë se të tjerët vendeve fqinje. Krahinat shqiptare dhe tiparet: Një lab, një myzeqar, një mirditor… “…Antropologjia ka ndryshuar shumë me kalimin e kohës, por disa gjëra mbeten si modele. Që në vitet 30 kanë ardhur profesorë të huaj që janë tërhequr nga tipat e shqiptarëve dhe kanë gjetur në krahina të veçanta disa tipare që janë tipike. Për shembull tipi i Kthellës së Mirditës, që është në luginën mbi Rrëshen deri në Kurbnesh.
Popullsia e atjeshme, për shkak të gjerësisë së madhe të kokës, fytyra u vjen në formë trekëndëshe dhe që përfundon me një formë maje në mjekër. Kanë një pigmentim të errët të fytyrës, flokëve dhe syve. Nëse vjen një banor i asaj zone në Tiranë, ndoshta në 15% të rasteve dallohet. Megjithatë nuk është më koha e studimit të tipareve fizike. Ka zona që për shkak të sistemit fisnor, kanë marrë dhe kanë dhënë në një rreth shumë të ngushtë zonal.
Duke marrë e duke dhënë nuse në një territor të kufizuar, kjo ka bërë që gjenet të koncentrohen në të njëjtën zonë. Në Labëri, zona e Kurveleshit nga Progonati deri në Golëm të Gjirokastrës, i kanë mollëzat të kërcyera karakteristike dhe një ngjyrë më të zbehtë të lëkurës. Syri pak a shumë i mbyllur dhe zëri si piskamë. Këta persona dallohen jo vetëm që janë nga Labëria, por që i përkasin pikërisht kësaj zone.
Në Myzeqe, zona e Dherit të Butë, apo ‘lalët’ në kuptimin klasik të fjalës, po të shohim kanë një hundë që nuk ka formën e banorëve të Tiranës, për shembull. Këto nuk duhen marrë për kapital, pasi këto tipare interpretohen vetëm në 10-15% të rasteve. Por struktura gjenetike është krejtësisht e kontrollueshme. Sa i përket bukurisë së njerëzve, ajo nuk lidhet vetëm me origjinën nga gjyshërit apo trashëgimin e tipareve, por edhe nga avancimi i kulturave.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu