Stupcat e humorit, stupcat e facebook-ut dhe shoqëria humoristike

0
1139

Stupcat 2

U fol e u përfol kaq shumë për stupcat, mbi stupcat, nën stupcat dhe prap sikur gjithmonë harruam të merremi me substancën-problemet reale të shoqërisë sonë. Edhe një herë u bëmë gazi i vetës (se bota nuk ka kohë të merret me çoroditjen tonë), se kush për qef të vetin duke folur e bërë like njëri-tjetrit në fb, në emër të së drejtës për të folur e për tu shprehur lirshëm.

Edhe një herë harruam të pyesim vetën:

A është vërtetë ‘humori amatoresk’ i stupcave preokupimi kryesor i njerëzve të Kosovës?

A nuk janë për humor, gazetarë që shkruajnë kot (përjashto një numër të vogël) pa përmbajtje e analizë? Gazetarët që ditën postojnë shkrimet e tyre (statuse facebukore) e natën dalin në foto me kinse figurat politike të Kosovës?

A nuk janë për humor, ‘elita’ e shoqërisë civile që një këmbë e kanë në organizatat e tyre (jo) fitimprurëse e një këmbë tek pushteti për ti lënë derën hapur vetës? A nuk janë për humor, përfaqësuesit e shoqërisë civile të cilët në vend se të punojnë më shumë për të përfaqësuar zërin e ‘qytetarëve të pa zë’, vishen nën petkun e politikanëve e pozojnë para pasqyrës e më psataj postojnë një foto të tyre duke i uruar qytetarët për një vit të mbarë!

A nuk janë për humor, ata që mirren me Ilir Dedën dhe kinse lidhjen e tij me një femër, në vend se të respektojnë preferencat e tij për gjininë e njejtë (ashtu siç flitet moti nëpër kuluaret e Prishtinës)!

A nuk janë për humor, një grup ‘analistash’ që çdo natë na mbushin kokën plot me broçkulla pa fijen e dijen e mendimit kritik!

A nuk janë për humor, një grup shumë i madh i ‘neutralëve’ që shajnë aktivistët e paqës, ushtarët e luftës e vet ‘rrijnë nën hije e kuvendojnë’!

A nuk janë për humor, universitetet publike e private që janë bërë qerdhe për afirimimin e të paditurëve dhe shitore që sheshin padituri!

A nuk janë për humor, zyrtarët komunal e qendor që korruptohen për një leje mjedisore dhe ndërtimore?

A nuk janë për humor, mjekët që udhëzojnë pacientët se ku të mjekohen e ku të blejnë barnat?

A nuk janë për humor, sindikatat e përgjumura të Kosovës?

A nuk është për humor, eprorët kryesor të luftës së denjë të UÇK-së janë në burgje e të pamerituarit sorollaten lartë e poshtë nëpër pozita?

A nuk janë për humor, ‘sulltanët dhe salltanatet’ e Kosovës!

A nuk janë për humor, sencat në ‘sallat alternative’!

A nuk janë për humor, ‘presidentët e shkuar, të tashëm dhe ata në ardhje’!

A nuk janë për humor, gjykatësit e prokurorët, të cilëve vetëm një letër e zakonshme e Albin Kurtit, i demaskon, i shëndron në lakuriq të natës dhe maskë të pushtetit aktual!

A nuk është për humor… a nuk janë për humor… a nuk jemi për humor ne të gjithë pak e ngapak?

Apo, ndoshta nuk e kemi ditur por tani po e kuptojmë se ne jemi shoqëri humoristike dhe tani vetëm po shpërfaqim humorin (budallallëkun) tonë?

Shkruan: Astrit A Gashi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu