“Stupcokracia”, ose kush bën të rrihet në Kosovë?

0
643

Fadil Lepaja

Nëse askush deri më tani nuk e ka përmendur këtë term, dhe unë rezulton të jem autori, atëherë po e sqaroj kuptimin e tij: Fjala stupc d.m.th. një dru në formë shkopi të bejsbollit, i mbaruar me metoda paksa më primitive, për ta vënë anash qerres, që tërhiqet nga kuajt, dhe kratia=d.m.th. pushtet. Mos e përktheni ngutshëm si pushtet i kuajve, sepse kuptimi është krejtësisht tjetër dhe ka të bëjë jo me botën e kafshëve (mos u bazoni në sjelljet e tyre), por me botën e qeverisjes te ne. Nëse ndonjë filozof e sheh këtë si nxitje diskutimi për “zoon politikon”, kjo do të ishte një shkapërderdhje e temës. “Stupcokracia” pra është ajo klasë që e mban pushtetin me stupc në krah dhe kur t’i teket e rrah kë të dojë, pa i dhënë llogari bash kurrkujt.

A rrihet çdokush te ne nga pushteti?

Ka që pohojnë me dëshpërim se shqiptarin Zoti e kish pas bërë enkas për stupc. Stupci s’iu nda prej Rome, Turqisë, Serbisë, Jugosllavisë dhe së fundi edhe prej Policisë së Kosovës. Të tjerët nuk bën të rrihen në Kosovë. Është e ndaluar. Madje, as kur i rezistojnë arrestimit, apo kur i bllokojnë rrugët magjistrale me ta duhet sjellje me dinjitet dhe duke ua respektuar të drejtat qytetare dhe njerëzore. Nuk mendoj kurrsesi se është gabim kjo e dyta. Mendoj se është gabim, ajo e para. Por, megjithatë s’po rrezikoj të dal në shesh e ta shpreh mendimin, as të protestoj, se pa fajin as meritën time, krejt rastësisht jam shqiptar. Kjo nuk më bën as krenar, as nuk më turpëron, thjesht mendoj se si shqiptar që jam duhet të mendoj mirë para se të shpreh mospajtim me qeverinë. Kur kritikoj me shkrim kaloj pak më lehtë, vetëm me ndonjë telefonatë anonime, apo me ndonjë koment ofendues, pa emër. Nejse…

Dikush do të thotë që qeveria atë punë e ka, se rrihen edhe tjerët, për shtat palë qejfe dhe se nuk është mirë të bëhen dallime kështu. Por, nëse e shikojmë historinë, na del se të tjerët, për shembull, bashkëqytetarët tanë, serbët, fqinjët tanë, nuk i ka bërë Zoti për stupc. Madje, ka pasur raste kur prej Serbie kanë ardhur liderët e tyre, e kanë thënë: “Askush nuk guxon me ju rreh”.

Edhe në kohën e Turqisë osmane, serbët i kishin kishat e veta edhe alfabetin e vet, ndërkohë që shqiptarët ndiqeshin për afirmimin e gjuhës së tyre, kulturës së tyre. Të mos flasim për periudhën e sundimit serb dhe me vonë serbo-jugosllav. Serbët, jo se i kishin të drejtat e garantuara, por ishin të privilegjuar. Çdo shqiptar për të shpëtuar nga policia, duhej ta kishte “serbin” e tij te i cili trokiste në derë për të shpëtuar prej stupci.

Kjo natyrisht nuk vlen për vetë Serbinë. Atje, në Serbi, qytetarët serbë edhe rriheshin, edhe burgoseshin, edhe vriteshin, por kjo bëhej nga shteti i tyre. Fenomeni i çuditshëm i ekzistimit të të privilegjuarve në Kosovë mbeti në derë trashëgim nga e kaluara dhe çuditërisht po “krihet” edhe nga faktori ndërkombëtar, duke e ndërtuar kështu idenë e sëmurë të supermacisë.

A bënë që për arsye të politikës ditore të dallohen njerëzit? A nuk instalohet kështu shoqëria, ku ka të barabartë dhe disa edhe më të “barabartë”?

Por, nejse, mirë është që nuk rrihen serbët, aspak nuk ua dëshiroj një gjë të tillë, por të kthehemi te shqiptarët dhe fenomeni i rrahjes së tyre nga policia dhe t’i shohim pak edhe arsyet.

Gjurmët e dhunës

Tashmë jemi mësuar që ajo pjesa më shqiptare e Kosovës rrihet orë e çast. Po mendoj për Lëvizjen “Vetëvendosje”, e cila edhe kur ishte OJQ, edhe tash si parti, e ka një tërheqje magjike ndaj stupcit. Kanë krijuar një kanal komunikimi me qeverinë nëpërmjet stupcit. Sikur i thonë, kurrë s’mund të rrahësh sa qëndrojmë na. Pjesa më militante e saj, me siguri i ka në shtëpitë përplot regjistrime rëntgeni me eshtrat e thyera, pa i specifikuar pjesët trupit. Policia ende nuk është trajnuar sa duhet, prandaj godet ku t’i teket. Jo vetëm se godet, por edhe lë gjurmë të dhunës, me çka tregon se s’ka frikë aspak nga përgjegjësia. Le policët, por edhe civilët rrahin në emër të pushtetit, para kamerave, por kjo nuk është pjesë e këtij shkrimi, sepse deri tash civilët i kemi parë të sjellin veç me shkelma e grushte. Stupca të gomës a të drurit s’kanë përdorur ende.

Edhe para pak ditësh, disa qytetarë, duke iu lutur Zotit në rrugë, i fyen perënditë tona lokale, të drunjta, dhe hëngrën dru. Arsyetimi ishte se e kanë bllokuar rrugën. E rrugët te ne bllokohen edhe kur parakalon ndonjë zyrtar i dorës së dytë. Të mos e përmendim kur nga të tjerët, nga ata që nuk bën të rrihen (dhe mirë është që nuk bën, se njeriu nuk duhet të rrihet) bllokohen magjistralet me ditë e javë, dhe ata i ruan edhe forca ndërkombëtare. Stupci nuk përmendet as në ëndërr.

Pra, kush guxon të rrihet në Kosovë? A mund të flitet për demokraci kur kurrkush nuk mund ta thërrasë në përgjegjësi një zyrtar stupco-krat? Mbase për këtë duhet të thirret në interpelancë ministri i Brendshëm, bashkë me shefin e tij. Sepse, kështu fillimisht të vendosen rregullat e lojës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu