Suksesi i pajtueshmërisë (me KFOR-in) për negociata (me Serbinë)

0
649

Propaganda qeveritare për zhvillimet në veri i ka dy linja kryesore. Linja e parë është ajo e fitores në veri dhe e suksesit të madh që u arrit atje. Kurse linja e dytë është ajo e maksimumit të mundshëm për veriun, e mundësive tashmë të shfrytëzuara maksimalisht. Propagandën e linjës së parë e artikulojnë vetë qeveritarët e prirë nga kryeministri Thaçi, ndërkaq propagandën e linjës së dytë e artikulojnë analistët e afërt me Qeverinë.

Për ta cilësuar një ndërmarrje si të suksesshme duhet ta masim përmbushjen e objektivave të caktuara. Nuk mund të thuhet që kishte sukses në vendosjen e doganave të Republikës së Kosovës në portat veriore 1 dhe 31, sepse thjesht, ato nuk u vendosën atje. E pamë që njësitë speciale të policisë së Kosovës kanë aftësi dhe gatishmëri që ta marrin kufirin verior nën kontroll, por, gjithashtu, e pamë se kjo nuk zgjati për më shumë se disa orë për shkak të urdhrit të Qeverisë që i ktheu mbrapsht prej veriut policinë e Kosovës.

Për këtë arsye, qeveritarët kosovarë jo vetëm që s’mund të pretendojnë sukses në veri, por ata janë përgjegjës që e ndërprenë suksesin e policisë së Kosovës atje, njëherë duke i urdhëruar ata që të kthehen në jug të Ibrit e herën e dytë pse nuk i urdhëruan për të vazhduar me hapa të tjerë e të rinj. Më 25 dhe 26 korrik e pamë se suksesi është i mundur në veri të Kosovës (si rezultat i ndërhyrjes së vendosur të njësive speciale të policisë), por nuk e pamë edhe vetë suksesin, meqë nuk e pamë qëndrueshmërinë e tij (si pasojë e pavendosmërisë së Qeverisë së Kosovës).

Ashtu qysh u provua se njësitë speciale mund t’i marrin nën kontroll pikat kufitare, u dëshmua edhe se Qeveria e Kosovës as për së afërmi nuk e mbështet policinë e Kosovës, krahasuar me mbështetjen që ia jep policia vendimeve të Qeverisë. Qeveria e Kosovës kot merr vendime përderisa është e pavendosur për to. Prania e KFOR-it në pikat 1 dhe 31 po ashtu nuk mund të quhet sukses. Jo vetëm pse KFOR-i ishte atje tash e 12 vjet, jo vetëm pse KFOR-i e ruan kufirin verior të Kosovës vetëm si kufi administrativ dhe jo si ndërshtetëror, por edhe pse KFOR-i nuk po i bllokon mallrat prej Serbisë si pasojë e parimit të reciprocitetit.

Në fakt, KFOR-i edhe nuk po i bllokon mallrat me gjithë mend, sepse KFOR-i i ndalon mallrat prej Serbisë veçse në emër të sigurisë. Rrjedhimisht, KFOR-i ka hall nëse në pikat veriore do të hyjë armatimi (paçka se veriu i Kosovës është përplot armatim) dhe jo aq se çfarë mallrash e sa mallra të tjera do të hyjnë prej andej. Në bazë të 10 pikave të akorduara me Qeverinë e Kosovës, KFOR-i i lejon mallrat në emër të ndihmave humanitare (pa kufizim në sasi, pasi nuk kufizohet numri i kamionëve gjatë një dite) dhe i lejon mallrat edhe në emër të Kishës Ortodokse (sërish pa kufizim në sasi, e kësaj radhe, edhe pa kufizim sipas llojit të tyre).

Pajtueshmëria që arriti Qeveria e Kosovës me KFOR-in, pasi që KFOR-i u pajtua me përfaqësuesit e Serbisë dhe pushtetarët ilegalë të saj në veri, nuk ishte as fitore dhe as shpëtim për Kosovën, por veçse shpëtim i Qeverisë së Kosovës prej vendimeve të saj. Kjo pajtueshmëri nuk paraqet kurorëzim suksesi për shtetin e Kosovës, por shpëtim për Qeverinë e Kosovës që doli se kishte pasur vetëm një hap taktik qeveritar pa plan strategjik shtetëror.

E, sikurse çdo shpëtim tjetër, edhe ky shpëtim e ka çmimin e vet që e paguan edhe vetë i shpëtuari. Sociologu Maks Ueber mbronte tezën e lidhjes direkte midis legjitimitetit të pushtetit dhe nënshtrimit ndaj pushtetit. Sipas tij, legjitimiteti (i pushtetit) vjen nga nënshtrimi (ndaj pushtetit).

Në këtë kuptim, pas pajtueshmërisë me KFOR-in, Qeverisë së Kosovës i është zvogëluar legjitimiteti ndërsa KFOR-it si pushtet i është rritur legjitimiteti. Sepse, Qeveria e Kosovës në vend se t’i nënshtrojë strukturat ilegale të Serbisë në veri përfundoi duke iu nënshtruar ajo vetë KFOR-it (i cili, siç dihet, nuk do t’i nënshtrojë ato struktura të Serbisë, sepse nuk e ka për mandat pavarësinë e sovranitetin e Kosovës).

Përfundimisht, suksesi i qeveritarëve në veri mund të quhet i tillë vetëm nëse ata kanë pasur objektiva të fshehta që na qenkan përmbushur në kuadër të një plani tjetër B, i cili, për dallim nga plani A, ka ekzistuar. Ndërkaq, ndërmjet objektivave të deklaruara qeveritare në fund të muajit korrik dhe pajtueshmërisë qeveritare me KFOR-in në fillim të muajit gusht kemi një hendek të thellë e të pakapërcyeshëm. Në anën tjetër, Qeverinë e Kosovës e quajnë të suksesshme në veri edhe analistët e oborrit qeveritar duke i shpalosur pritjet e tyre të ulëta.

Ata konstatojnë suksese e sugjerojnë se bëhet fjalë për fitore në veri, meqenëse pritjet për shtetin e Kosovës i kanë shumë të ulëta. Prandaj, ata përpiqen që i gjithë populli të mos shpresojë shumë dhe të kënaqet kollaj e me fare pak. Çfarëdo arritje të vogël e të përkohshme ata e dramatizojnë dhe e glorifikojnë, pa qenë të vetëdijshëm që ajo çfarë po bëjnë, në fakt, është karikaturim. Këta analistë të regjimit dëshirojnë të krijojnë përshtypjen që shteti i Kosovës provoi ta shtrijë kontrollin në veri dhe u arrit aq sa ishte e mundur të arrihej.

Thaçi bëri aq sa mund të bëhej, bëri krejt çfarë mundi, tash s’kemi se çfarë të bëjmë, shkojmë tutje, ecim tutje… ku? Për në negociata, natyrisht. Robert Kuper, këshilltari i shefes së Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, Katerinë Ashton, paralajmëroi raund të ri të bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë në Bruksel me 5 shtator. Analistët e regjimit në fuqi tashmë kanë për detyrë ta nxitin popullin e Kosovës që të ndjehet i lumtur me suksesin në veri, i relaksuar politikisht, tashmë që ndodhemi në prag të koncesioneve të reja të kryeministrit Hashim Thaçi e të zëvendëses së tij, Edita Tahiri.

Gjithsesi, ka mundur të bëhet shumë më tepër në veri të Kosovës. Edhe më tutje mund të bëhet shumë më tepër në veri të Kosovës. Por, me kusht që Qeveria të punojë seriozisht për shtetndërtim e jo t’ia punojë popullit për pushtetmbajtje.

Lëvizja “VETËVENDOSJE!”, më 12 nëntor të vitit 2008, e pati publikuar një dokument të gjatë se çfarë   mund dhe duhet të bëhet në veri të Kosovës. Në fund të këtij dokumenti janë dhënë një mori propozimesh konkrete, të cilave vështirë se mund t’iu shtoj diçka të re. Ato mund t’i gjeni në faqet 2, 3 dhe 4 të numrit 165 të gazetës “VETËVENDOSJE!”:

 

Albin Kurti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu