Sulltani në “BMW 7”

0
868

(E plotësuar) Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Sylejman Selimi, duket se ka pasur arsye të forta që ka lënë jetën ushtarake, edhe pse një pjesë të konsiderueshme të jetës së tij e kaloi në uniformë.

Menjëherë pasi që u bë ambasador, përfaqësuesi diplomatik i Kosovës në Tiranë, ka vendosur që rrugët e Shqipërisë t’i përshkojë me veturën më të re të markës BMW, dhe jo me atë të paraardhësit të tij.

Burime të “Zërit” nga kjo ambasadë kanë treguar se Selimi ka kërkuar që gjatë shërbimit si ambasador i Kosovës të ketë në dispozicion veturë të re, “më të fortë sesa shumica e ambasadorëve tjerë në Tiranë”.

“Ai kur ka ardhur në Tiranë, e ka pasur në dispozicion një veturë “BMW 5”, por nuk i ka pëlqyer. Nga fillimi i majit i ka thirrur në drekë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) në Tiranë, dhe gjatë drekës në restorantin “Grepi i Artë”, që është njëri nga restorantet më në zë në Shqipëri, e ka shfaqur dëshirën që të ketë një veturë të re, e ka kërkuar decidivisht një “BMW 7”, thotë ai.

Ky zyrtar i Ambasadës së Kosovës në Tiranë, thotë se personeli i MPJ-së nuk ia kanë “prishur qejfin”, ndërsa me procedurë të shpejtë ia kanë blerë atij veturën e preferuar, vlera e të cilës sillet rreth pesëdhjetë mijë euro.

“Ambasadori ka dashur që të ketë veturë tepër luksoze edhe pse ish-vetura ka qenë e re. Në Tiranë vetëm ambasadori amerikan dhe ai i Turqisë i kanë veturat më të mira sesa ky”, rrëfen ai, duke theksuar se edhe vetura paraprake vazhdon të mbetet në shërbim të ambasadës.

MPJ: Vetura në dispozicion të Kosovës

Mirëpo, zyrtarët e MPJ-së e kanë një arsyetim tjetër. Sipas tyre, Ministria e Punëve të Jashtme ka qenë e obliguar që ta blejë një veturë të tillë, me qëllim që ta ketë në dispozicion gjatë takimeve të ndryshme që zyrtarët e MPJ-së kanë në Tiranë, me zyrtarë të vendeve të ndryshme perëndimore.

“Ajo është blerë për nevoja të ambasadës, jo të ambasadorit dhe është blerë për shkak se kemi fluks të madh të delegacioneve të Kosovës atje për shkak të aktiviteteve që ne i bëjmë në Tiranë. Ajo është në procedurë të blerjes, komisioni ka qenë i formuar prej MPJ-së dhe janë duke i zhvilluar procedurat për blerjen e veturës”, thotë sekretari i përhershëm i MPJ-së, Nagip Skenderi.

Sipas tij, në të ardhmen do të ketë edhe raste tjera kur Ministria e Punëve të Jashtme do të blejë vetura të reja për ambasada të caktuara, varësisht se cila nga përfaqësitë diplomatike do të ketë nevojë për një gjë të tillë.

Por, nga ana tjetër, për partitë opozitare dhe shoqërinë civile, është e patolerueshme për secilin zyrtar të institucioneve të Kosovës që vetveten ta shpërblejë me vetura luksoze.

Opozita: Vetura luksoze, keqpërdorim i madh

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, thotë se blerjet e panevojshme të veturave vetëm për t’ia kënaqur apetitet dikujt nënkuptojnë keqpërdorime të parasë publike.

“Ne para dy-tre ditësh e patëm një raport që e radhit Kosovën të nëntën në botë për nga varfëria, me mbi pesëdhjetë për qind të njerëzve të varfër, dhe llogariteni kur ata dëgjojnë se një ambasadë përkundër asaj që ka makina të mjaftueshme blejnë edhe një BMW 7, prandaj mendoj se është keqpërdorim dhe duhet të kërkohet përgjegjësi nga ministria nëse ata e kanë miratuar”, shprehet ajo.

Ngjashëm shprehet edhe Xhelal Sveçla nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili thekson se MPJ-ja në këtë formë po e keqpërdor buxhetin e vendit.

“Nëse Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë pagesë te tillë, ajo duhet të japë llogari, sepse kjo është në shpërpushje totale me situatën ekonomike dhe gjendjen sociale të popullsisë në Kosovë”, ka thënë ai.

Ndërsa drejtori i Organizatës për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, Avni Zogiani, thotë se sikur Qeveria e Kosovës dhe MPJ-ja të mendonin mbarë, atëherë me rreth pesëdhjetë mijë euro sa ka kushtuar vetura për Selimin do ta blinin një objekt për Ambasadën e Kosovës në Tiranë, dhe kështu do të siguronte kushte më të mira për punë.

“Problemi është se është mani e jashtëzakonshme dhe blerja e makinave është shndërruar në kërkesën e vetme të zyrtarëve publikë në momentin kur ata futen në krye të një institucioni”, thotë Zogiani.

Sipas tij, “turri” i zyrtarëve institucionalë për të blerë vetura luksoze ende pa u akomoduar me vendet e punës, tregon një akt të ulët të mentalitetit të tyre dhe tregon se qeveritarët janë të pangopshëm e të pamëshirshëm në raport me paranë publike.

 

Nga Jeton Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu