Sundimi hashemit dhe sundimi hashimian

0
701

Një krahasim brutal mes skenës politike të Jordanit dhe asaj të Kosovës.

Ky është rrëfimi për dy sundime. I pari, në Mbretërinë Hashemite të Jordanit, një shtet sovran në rajonin problematik të Lindjes së Afërt. I dyti, sundimi i Hashim Thaçit në Kosovë, këtë vend që literatura vazhdon ta quajë shtet gjysmëlegjitim në skenën ndërkombëtare, e që gjendet në pjesën më të nënçmuar të Evropës, në Ballkan.

Vendi i parë është monarki kushtetuese, sipas kushtetutës së të cilës mbreti është autoriet suprem ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor. Vendi i dytë sipas kushtetutës është republikë parlamentare, por në fakt, sunduesi që zyrtarisht mban postin e kryeministrit, është mbi parlamentin dhe mbi ligjin. Njëjtë sikur edhe vartësit e tij. Mbase për këtë arsye normative, organizata ndërkombëtare Freedom House e quan shtetin e parë vend jo të lirë, ndërsa të dytin pjesërisht të lirë.

I pari është mbretëri hashemite, meqë themeluesit e tij, familja mbretërore e Jordanit, pretendojnë të kenë prejardhje nga vetëë profeti Muhamed (a.s.). I dyti është arenë sundimi të cilën po e pagëzoj, për hir të argumentit, sipas njeriut i cili ‘rastësisht’ e lexoi deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë.

Një ndërlidhje interesante mes Jordanit dhe Kosovës, që mbase është e panjohur për publikun, ndodhi gjatë administrimit të UNMIK-ut. Jordani ishte kontribuesi më i madh me policë të UNMIK-ut në Kosovë, duke ia kaluar madje edhe SHBA-ve sa i përket numrit të policëve të dërguar. Pos kësaj, dhe ngjashmërive të shumta në mënyrën se si kryhen punët në sektoret qeveritare, në të dy vendet kanë nisur procese politike krejtësisht të kundërta.

Në njërën anë, mbreti Abdullah II i Jordanit po e mahnit gjithë botën me aftësitë e tij prej lideri, duke insistuar që të jetë ai vetë i pari që do nisë reformën shtetërore e kushtetuese. Këtë po e bën jo pse e ka mandat, jo pse ka kush e di se çfarë dëshire, por se e ka kuptuar si të nevojshme, meqë duhet ta qetësojë popullin e tij, të mllefosur nga padrejtësitë dhe paliritë, e të inspiruar për kryengritje nga Pranvera Arabe. Përkundër krenarisë rojale dhe linjës së shenjtë të trashëgimisë, përkundër pushtetit absolut që gëzon dhe një përkrahjeje jo fort të vogël nga një pjesë e popullit, Abdullahu II është i vendosur që gradualisht ta shfuqizojë fronin e tij. Javën e kaluar ai shpërndau parlamentin dhe shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme, duke nxitur kështu reagime nga më të ndryshmet në botën demokratike dhe atë më pak demokratike.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi po na mahnit të gjithë neve, se botës nuk është se i bën shumë për të, me dinakërinë e tij politike. Ani pse udhëheq një qeveri de-facto të pakicës, e cila edhe mund të mos e ketë shumicën normative në Kuvend, ai vazhdon të sillet si sovran mbi sovranë. Këtë po e bën duke e ditur mirë se prej çfarë procesi të manipuluar zgjedhor doli qeveria e tij e po ashtu duke e ditur se si qeveri nuk do të formohej kurrë pa votat e rezervuara të pakicave kombëtare në Kosovë. Madje, këto vende të rezervuara, po mendon t’ua zgjasë pakicave edhe për disa mandate, duke shkelur kështu mbi Biblën dhe Kur’anin e pavarësisë së Kosovës – Planin e Ahtisaarit. Dhe me gjithë këtë dosje të gjërë e të gjatë të mungesës së legjitimitetit demokratik, kryeneqësia e tij prej sunduesi nuk ka të ndalur. Javën e kaluar ai dhe partia e tij bojkotuan debatin parlamentar për privatizimin, duke e injoruar kështu institucionin më të lartë në vend.

Mbreti Abdullah II është diktator me letra. Megjithatë, shumë i besojnë vizionit të tij se pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, përfaqësuesit e popullit do të merren me reformat zgjedhore e kushtetuese, në mënyrë që vendi të demokratizohet më tej. Thënë troq, është mbase mbreti i vetëm në botë që thotë se po punon shumë, drejt një caku të vetëm, të cilin cak kur ta arrin, do të mbetet i papushtet, i papunë. Dhe përkundër insistimit që të mbikëqyrë tranzicionin duke shërbyer si garantues se gjithçka do të shkojë mirë, shumë besojnë që do të ketë sukses.

Hashim Thaçi me letra nuk është diktator. Megjithatë, sjellja e tij qeverisëse i bën shumë ta besojnë të kundërtën. Përkushtimi i tij mbetet që deri në fund të mandatit të tij qeverisës, Kosova të mos ketë as dhe një të vetmin aset strategjik në pronësi publike. Meqë thuajse i dështoi plani që përmes reformës kushtetuese t’ia zgjasë pushtetin vetes edhe për 5 vjet duke u bërë president, tash qëllimisht po e zvarrit reformën zgjedhore, duke i lënë opozitës në Kuvend por edhe asaj brenda partisë së tij vetëm dy zgjedhje: ta pranojnë sundimin e tij ose të shkojnë në zgjedhje të parakohshme pa u zbatuar reforma. E zgjedhjet pa reformë do të ishin mëkat kardinal në këtë vend.

Kjo është pra ndërlidhja brutale mes Jordanit dhe Kosovës. Nëse të dy sunduesit do të kenë suksës në projektet e tyre të tanishme, këto dy shtete edhe mund t’i ndërrojnë vendet në klasifikimet e Freedom House sa i përket lirisë. Ky krahasim mes tyre mund të jetë brutal dhe jokorrekt, por është i motivuar nga brenga dhe jo nga mëria, andaj nuk do kërkoj ndjesë për brutalitetin.

 

ShkruN: KRENAR GASHI

Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Zëri”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu