Kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha nuk ka dashur që të komentoj hetimet në lidhje me vdekjen në mënyrë të dyshimtë të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.
I kontaktuar nga Gazeta Blic për të mësuar rreth hetimeve për rastin e Deharit dhe për pistat e mundshme të hetimeve, Hoxha nuk ka pranuar që të flas.
Ndërkohë, para disa ditësh ka dalë edhe raporti zyrtar i autopsisë, ku thuhet se Dehari vdiq si pasojë e pengesave në frymëmarrje.
Ndonëse kryeprokurori Sylë Hoxha e ka cilësuar si vetëvrasje, nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga disa ekspertë të shëndetësisë është kontestuar ky konstatim i Hoxhës.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli sot ka paralajmëruar se PDK do të thërras një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për rastin e Astrit Deharit, ndonëse Vetëvendosje kishte dështuar që t’I mblidhte 40 nënshkrime.
Zyrtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Teuta Rrusta sot në një deklaratë të dhënë për Gazetën Blic se pikërisht ishte Kadri Veseli, ai që ka penguar mbajtjen e një séance të jashtëzakonshme për rastin Dehari.
“Kadri Veseli është fajtori kryesor për dështimin e dy seancave të iniciuara nga deputetët, fillimisht duke neglizhuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit kur kishte 40 nënshkrime e më pas duke bërë shantazh e presion ndaj deputetëve për të tërhequr nënshkrimet. Pasi Veseli pamundësoi këtë seancë, qartazi duke iu frikësuar diskutimit për vdekjen e dyshimtë të Astritit, shoqëra civile ka arritur që t’i mbledh mbi 23 mijë nënshkrime dhe kjo tregon se ndër qytetarë ka revoltë të madhe për vdekejn e Astritit dhe mënyrën se si është marrë sistemi i drejtësisë me rastin”, ka thënë Rrusta për Gazetën Blic.
Ndryshe, Dehari kishte vdekur në fillim të muajit të kaluar nën rrethana të dyshimta dhe ende të pasqaruara në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku po mbahej në paraburgim nën dyshimin për terrorizëm, gjegjësisht për sulm me granatë dore ndaj Kuvendit të Kosovës.