Tadiqi – Thaçit, Thaçi – Tadiqit

0
1043

Si mund të dalin në mënyrë perfide edhe Thaçi, edhe Tadiqi me situatë “win-win” lidhur me zgjedhjet e Serbisë në Kosovë?

BORIS TADIQ do të bëhet kinse po i organizon, kurse Hashim Thaçi kinse po e ndalon mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës. Ky mund të jetë njëri nga skenarët që mund ta shohim në javët në vazhdim, pas njoftimit të kryetarit dhe kryeparlamentares së Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale edhe në Kosovë.

Lajmi vjen ende pa u ftohur debatet lidhur me kompromisin që ka bërë Qeveria e Kosovës, gjë që u paraqit nga Bashkimi Evropian si një hap i rëndësishëm i përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të mjaftueshme për t’i dhënë Serbisë statusin e kandidatit.

Pyetja e rëndë që shtrohet: A për këtë arsye u sakrifikua Kosova në kompromisin e quajtur “fusnotë” dhe kështu qenkan marrë vesh të dyja qeveritë?!

Kjo i bie që Beogradi sapo e kaloi lumin tha ta dh…sha kalin. Apo ka edhe diçka më të madhe e më të sofistikuar këtu?! Diçka që duke menduar se po i dobëson, në fakt mund t’i fuqizojë si Tadiqin, ashtu edhe Thaçin?

TADIQI JO SE nuk e ka parashikuar se shpallja e zgjedhjeve edhe për Kosovën nuk do të kalojë pa reagime të ashpra ndërkombëtare dhe kërcënime nga Prishtina. Por, ai ka vendosur që të vazhdojë të luajë lojën që tashmë e kemi parë se e ka luajtur për mrekulli, prejse ra Milosheviqi.

Kryetari i Serbisë, duke e ndier pozicionin prej të përkëdheluri prej Perëndimit, do të zgjedhë të driblojë. Në njërën anë, ai do të rrezikonte t’i humbte zgjedhjet në Serbi, në qoftë se nuk do të shpallte zgjedhjet edhe në Kosovë, për shkak se kjo e fundit ende qëndron në Kushtetutën serbe si pjesë përbërëse e shtetit. Kështu, pas dhënies së statusit të kandidatit për BE, ai do të mund ta trumbetonte si të realizuar moton “edhe BE-ja, edhe Kosova”, duke ua ngushtuar hapësirën për kritika opozitës.

Në anën tjetër, llogarinë e fillon nga fakti se Qeveria në Kosovë – si dhe deri më tash – nuk ka qenë e zonja të parandalojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe dhe edhe kësaj radhe mund të zgjedhë të jetë vetëm një “reaguese e ashpër”. Po ashtu ai llogarit në konfuzitetin politik të BE-së dhe relativizimin e rolit të SHBA-së në këtë mes, përmes Brukselit. Rreziku më i madh, por paradoksalisht mjaft i pranueshëm për Tadiqin, është që Thaçi të bëjë një intervenim në stilin e 25 korrikut për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve. Në të gjithë këto skenarë, ai ka përpara vetëm situatën “win-win”.

Nëse mbahen zgjedhjet lirshëm, do ta paraqesë si fitore personale.

Nëse pengohen, do të thotë se ka bërë gjithçka është e mundur që ato të mbahen, por ka pasur sabotim ndërkombëtar.

Nëse intervenon Policia e Kosovës, arsyetimin do ta ketë të njëjtë si të mësipërmin, vetëm sa këtu do të shtojë edhe kritikat për Qeverinë Thaçi dhe demonizimin e tij ndërkombëtar. Kështu do të llogarisë në pozicion edhe më të fuqishëm negociator për të ardhmen në raport me Kosovën.

MIRËPO, EDHE THAÇI do të synojë të kapitalizojë sa më tepër nga synimi serb për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë. Për Thaçin vetëm opsioni i qëndrimit duarkryq do të mund të ishte fatal. Por, kjo vështirë se do të ndodhë, duke pasur parasysh edhe dëmtimin e imazhit të tij, sidomos me pranimin e marrëveshjes për përfaqësim rajonal me “fusnotën” problematike.

Kështu që nuk është larg mendsh që do të përsërisë një 25 korrik të ri, nëse dështon bindja nga ndërkombëtarët që Tadiqi të heqë dorë nga mbajtja e zgjedhjeve (gjë që për arsyet e përmendura më lart, vështirë se do të ndodhë), ose që të modifikohet diçka në mënyrën se si do të organizohen këto zgjedhje. Në këtë frymë, do të mund të ringjallte ndjenjën mbizotëruese të post-25 korrikut, se megjithatë Kosova është shtet. Në arsyetimin e një veprimi të këtillë radikal, Thaçi do të mund të thirrej pikërisht edhe në Rezolutën 1244, të cilën e ka pranuar Serbia dhe përgjegjësinë për mosveprim do t’ua linte ndërmjetësuesve të BE-së. Për më tepër, me këtë hap, ai do të llogariste edhe në një fitore personale kundrejt opozitës politike në Kosovë.

Qëllimi: luajtja në terren sidomos të “Vetëvendosjes!” dhe shkatërrimi i pozicionit të tyre të fituar me protestat për reciprocitet dhe kundër fusnotës.

Porosia: Vetëm unë mund ta bllokoj Serbinë (sic!).

KA EDHE NJË skenar tjetër të mundshëm, i cili do të ishte një lloj kompromisi i ri i përgjithshëm. Kjo do të nënkuptonte mbajtjen vetëm të zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në Kosovë dhe jo edhe të atyre lokale.

Me Kushtetutën e Kosovës, të gjithë shtetasit kanë të drejtë në dyshtetësi dhe si të këtillë edhe në votimin në zgjedhjet për shtetin e dytë. Kjo, gjithsesi, se do të ishte normale në qoftë se Serbia do ta kishte njohur Kosovën dhe nëse zgjedhjet do të mbikëqyreshin nga institucionet kosovare. Por, pasi që kjo nuk ka ndodhur, as Serbia nuk ka ambasadë ose zyra të tjera përfaqësuese në Kosovë, ku do të mund të votonin qytetarët me dyshtetësi, si në vendet e tjera normale.

Së këndejmi, mund të lindte ideja e kompromisit që zgjedhjet parlamentare të Serbisë në Kosovë t’i organizojë e mbikëqyrë një organizatë ndërkombëtare e pranueshme për të dyja palët, siç mund të jetë OSBE-ja.

Kjo situatë, siç kemi parë edhe deri më tash me dialogun në Bruksel, do të mund të interpretohej si një fitore e dyanshme.

Beogradi do të mund të thoshte se zgjedhjet megjithatë u mbajtën edhe në Kosovë, ndonëse jo edhe ato lokale.

Prishtina do të mund të shtonte se zgjedhjet e Serbisë u ndaluan në Kosovë, por Qeveria ua mundësoi qytetarëve kosovarë të përmbushin të drejtën e tyre kushtetuese që ua mundëson dyshtetësia, për të votuar.

Kryefjala e gjithë kësaj do të ishte sërish: kompromisi.

Por, edhe zgjatja ndoshta e pamerituar e jetës në pushtet të dy dribluesve të mëdhenj – Thaçit e Tadiqit.

Duke e ndihmuar njëri-tjetrin!

[email protected]

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu