Tatimet gjobisin organizatën që shpërndau posterat “Vdiq Berisha”

0
737

Gjobitet një ndër organizatat e “Kuvendit Civil” (Rinia Aktive) nga Drejtoria e Tatimeve të Tiranës me 5 milion lekë dhe gjithashtu sulmohen faqet e internetit të organizatave të “Kuvendit Civil”.

Deklaratë për Shtyp e organizatës rinore “Kuvendi Civil”:

“Kuvendi Civil” denoncon hapur raprezaljet shtetërore të urdhëruara nga kupola qeveritare për të sulmuar zyrat tona dhe aktivitetin civil. Jemi të indinjuar pasi prisnim një reflektim të institucioneve dhe qeverisë, mirëpo në shenjë hakmarrje për fushatën tonë “për vdekjen e kryeministrit”, organet tatimore na kanë gjobitur me 5 milionë lekë dhe kjo masë na është kontaktuar vetëm një ditë pasi pjestarët tanë kanë dalë nga qelitë e paraburgimit. Kjo gjobë është sajuar e stisur sikur është vënë një muaj përpara por pa asnjë dijeni nga ana jonë. Gjoba ishte me arsye se ne nuk kemi deklaruar punonjësit, ndërkohë që këto të rinj janë aktivist dhe nuk janë punonjës por shtetas vullnetar që punojnë me zell dhe dëshirë për një Shqipëri më të mirë. Zyrat tona funksionojnë prej disa vitesh, por ja që pushteti u kujtua vetëm tashmë që ne denoncuam sjelljen e kryeministrit Sali Berisha, të cilit “gjoja i vjen keq” për ne. I themi kryeministrit që para se të gjobisë shoqërinë civile dhe organizatën tonë, të shkojë dhe të kontrollojë një herë bilancet e arit të zi, monopol që nuk paguan asnjë taksë, të kontrollojë mënyrën se si ka shitur Shqipërinë me koncesione. Të gjitha këto do i qartësojmë në vazhdim me aktivitetet tona. Denoncojmë dhe sulmin ndaj faqes tonë të internetit. Kemi informacione se është blerë 5 milionë euro dhe eshte instaluar ne bodrumet e nje ministrie një aparaturë bashkëkohore për të  përgjuar telefona, adresa elektronike dhe për të sajuar viruse po elektronike, duke i dalë edhe institucionit të SHISH-it në aktivitet paralel.I bejmë thirrje zotit Berisha, të heq duar e pista nga institucioni i vetëm i  papolitizuar i rinisë shqipëtare dhe të tërheqi gjobat komuniste sepse dhe ne do gjobisim çdo institucion te Saliut me gjoba rinore.

***

Orët tona në qelitë e burgut

“Ne ishim në makinë në qendër të Tiranës, kur një patrullë policie na zuri rrugën, një tjetër na doli në krah, ndërsa një makinë e tretë ndaloi pas nesh. Gjithçka ndodhi në pak sekonda, në një ndërhyrje policore spektakolare, thuajse po arrestohej njeriu më i kërkuar në Shqipëri”. Kështu e përshkruan Dritan Broka arrestimin tij dhe të tre, anëtarë të Kuvendit Civil të Shqipërisë, një organizatë e cila mbledh brenda vetes një grup organizatash të tjera rinore.

Mëngjesin e të martës, rreth orës 02:45, ai bashkë me Geraldo Durdën, 18 vjeç, Arlind Koten, dhe Klevis Bejlerin, u arrestuan nga policia e kryeqytetit pas një aksioni që ata kishin kryer në Tiranë për vendosjen e një numri të madh posterash në të cilët ironizohej me kryeministrin Berisha dhe shpallej vdekja e tij. Djemtë, kanë pranuar të rrëfejnë për “Shekullin”, aksionin e tyre në shpërndarjen e posterave me një tekst të gjatë, ku Berisha, cilësohej si shkaktar i trazirave të vitit 1997, i tragjedisë së Gërdecit, i kthimit të Shqipërisë në një shtet diktatorial dhe të korrptuar.

 

Pse ju arrestuan ?

Ne jemi pjesë e Kuvendit Civil të Shqipërisë, një organizatë që mbledh brenda saj edhe një grup organizatash të tjera. Prej kohësh ne kishim planifikuar një fushatë sensibilizuese dhe proteste kundër qeverisë dhe kryeministrit Berisha. Aksioni që nisëm të hënën në mbrëmje ishte pjesë e kësaj fushate. Nisëm të ngjisnim posterat në rrugët kryesore, ku ka lëvizje të mëdha njerëzish. Nisëm në rrugën e Kavajës, në rrugën e Durrësit, në Bulevardin Zogu i Parë, dhe në disa rrugë të tjera.

Kur kishim mbaruar në disa prej rrugëve kryesore në u nisëm për të kalur tek Ministria e Mbrojtjes. Ne po ecnim normalisht, ngadalë dhe nuk po nxitonim. Ora duhej të ishte mbase 3 pa 20 e mëngjesit. Në këtë moment si rrufe na zunë rrugën dy vetura policie dhe na zunë rrugën njëra nga përpara dhe tjetra nga e djathta.

Më pas kuptuam se kishim edhe një veturë tjetër policie nga pas. E kuptuam se bëhej fjalë për posterin, iu kërkuam shpjegim pse po e bënin këtë, por na thanë vetëm dy fjalë: Kemi marë urdhër!. Më tej nuk na përsëritën asnjë fjalë.

Çfarë ndodhi më pas?

Sapo na ndaluan dëgjuam një prej tyre të fliste në radio ose në telefon: “E gjetëm makinën e bardhë. Kapëm edhe katër djemtë”. Më pas na dërguan menjëherë në komisariatin e Policisë nr.3, në rrugën “Mine Peza”. Na morën celularët, mua më futën në makinën time, ndërsa Geraldon, Arlindin dhe Klevisin i futën në dy makina të tjera.

Mbaj mend që Geraldon dhe Klevisin i lidhën me një palë pranga. Kur na dërguan në komisariat, policët nuk po gjenin çelësat për të liruar Geraldon dhe Klevisin. Na futën në komisariat në një qeli aty, ndërsa policët na thonin: Ç’ju duhet me këtë punë o djema!! Disa policë të tjerë na thanë: Mirë keni bërë, dhe duke qeshur na pyesnin: Vërtetë ka vdekur?

Ç’ndodhi me posterat ?

Nuk e dimë se kush kishte lajmëruar, por se kur ne shkuam në komisariat ata thuajse i kishin hequr të gjithë posterat. Morën dhe posterat që kishim ne në makinë si dhe një kompjuter lap- top qëne kishim aty. Më pas di se ata po kërkonin postera për t’i fotografuar në muret ku ne i kishim ngjitur, por s’kishte asnjë.

Ata rrjedhimisht kishin prishur provat me të cilat donin të na akuzonin. Për disa orë ne qëndruam në qeli dhe askush nuk na thoshte se çfarë do të bëhej meneve. Në mëngjes kuptova se ishin mbledhur shumë oficerë dhe drejtues të rëndësishëm të policisë së Tiranës. Disa prej tyre na thanë: Ç’doni ju që merreni me këtë punë dhe me kryeministrin. Ne iu përgjigjëm se ky ishte thjesht vetëm një poster dhe s kishte kurrfarë shpifjeje apo fyerje. Një prej tyre na tha: Ky nuk është poster i zakonshëm.

Më pas iu komunikuan arrestimin ?

Një oficer i Policisë gjyqësore na komunikoi arrestimin me akuzën e shpifjes dhe fyerjes për shkak të detyrës. Ai na tha se ishte i detyruar të na arrestonte, nuk kishte çfarë të bënte. Pas këtij arrestimi nëse Prokurori do e kishte vlerësuar të ligjshëm arrestimin do kishim dalë nga burgu vetëm në Gjykatë, nëse ajo nuk do e pranonte arrestin. Në fakt prokuroria e hodhi poshtë menjëherë këtë veprim, duke mos e vlerësuar të ligjshëm arrestimin.

Kur ju komunikuan lirimin ?

Sot erdhi avokati dhe na komunikoi që prokurori kishte vendosur të cilësonte arrestimin e kryer nga policia si të paligjshëm. Më pas një nga policët erdhi na komunikoi se ishim të lirë, pasi kishte vendosur prokurori. Pasi firmosëm nga një proces- verbal për lirimin tonë ne dolëm dhe jemi këtu. Presim të marrim veturën e bllokuar nga policia.

 

****

Policia ka zhdukur brenda nates rreth 900 postera ku njoftohej ne menyre parodike vdekja e Sali Berishes. Posterat akuzonin “shokun Berisha” per 1997-n, Gerdecin, 21 janarin,  Paktin Detar etj. 8 ore pas lirmit te studenteve, zyra e Berishes dha nje deklarate te habitshme ku kerkonte “lirimin e tyre”. Sipas Berishes, kjo eshte “Skenar i Rames” qe vuan  sipas tij, “nga sindroma e perfytyrimit te vdekjes se rivaleve politike”. Vete Berisha ne dhjetor 2011 ne nje nga fjalimet e tij jashte kontrollit ka deklaruar se “do ti bente Rames funeral madheshtor dhe  nje nga fjalimet me te bukura”.

Katër të rinjtë Arlind Kote 22 vjeç, Klevis Bejleri 22 vjeç, Dritan Broka 20 vjeç dhe Geraldo Durdaj 17 vjeç ( ky i fundit vellai i nje prej femijeve qe vdiqen  ne shperthimin e Gerdecit) mësohet se janë liruar pas 48 orë të mbajtur të shoqëruar në komisaritatin nr. 3 të policisë në Tiranë. Ndalimi i të rinjve dhe akuza për “fyerje për shkak të detyrës” u pasqyrua fare pak ne mediat shqiptare.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu