Të anulohet shitja e PTK-së!

0
712

Ofrimi i vetëm një oferte financiare nga kompania turke operatori “Turkcell” për blerjen e PTK-së ka alarmuar ekspertët e ekonomisë, të cilët vlerësojnë se kjo ndërmarrje e as Kosova nuk po mund të tërheqë investitorë seriozë. Aferat e ndryshme korruptive të bëra publike në vazhdimësi, pjesë e të cilave po dalin të jenë zyrtarë qeveritarë, mospërmirësimi i mjedisit biznesor, pasiguria për të sjellë kapitalin, janë disa nga arsyet që ekspertë të ekonomisë konsiderojnë se po largojnë investitorët dhe blerësit potencialë seriozë në Kosovë. Ekpertët ekonomikë dhe zyrtarët e partive opozitare, thonë se ky privatizimi i kësaj ndërmarrjeje duhet të stopohet në mënyrë që të bëhet rishikimi dhe rivlerësimi i gjithë procesit.

Muhamet Sadiku nga Instituti “Riinvest” ka thënë se kjo tregon se Kosova ende nuk është atraktive as për shitjen e bizneseve më të suksesshme. “Ajo që sigurisht shkon në veshët e investitorëve është mungesa e transparencës, ankesat e shumta brenda sindikatës së punëtorëve të PTK-së dhe sigurisht aferat e shumta të cilat kanë dalë në sipërfaqe”, ka thënë Sadiku. Sipas tij të gjitha këto ndikojnë që Kosova të mos konsiderohet vend atraktiv për reformë dhe përfshirjen e bizneseve serioze “Qe tri vite ky proces ka qenë i ngufatur me vështirësi të shumta duke filluar nga mungesa e transparencës dhe metoda joadekuate për privatizim”, ka thënë ai.

Agron Demi nga instituti “GAP”, ka thënë se ky proces është dashur të anulohej që në momentin e parë kur MZHE-ja është dashur të shtyjë afatin për pranim ofertash. Sipas tij, shtyrjet e tilla japin sinjal të gabueshëm tek investitorët. Demi ka thënë se me këto shtyrje lihet përshtypja se krejt çfarë është e interesuar MZHE-ja është që të pranojë edhe ofertën e dytë (çfarëdo qoftë ajo) dhe të shpallë një fitues. “Ky proces i privatizimit është korruptuar, në kuptimin që më nuk ka asnjë kredibilitet dhe as mundësi që të merret një ofertë e pranueshme dhe e vlefshme. MZHE-ja duhet të anulojë procesin, madje që tani dhe pa e pritur afatin e 3 prillit, ta ndërrojë menaxhmentin e PTK-së me qëllim që t’i rritet vlera dhe kredibiliteti kësaj ndërmarrjeje dhe të shitet pastaj në kushte më të mira dhe në një kohë më të përshtatshme”, ka thënë Demi.

Edhe përfaqësues të LDK-së kanë kërkuar që të pezullohet i tërë procesi i privatizimit të PTK-së. Sipas Avdullah Hotit nga kjo parti, mungesa e interesimit të investitorëve për blerjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së reflekton mungesën e sundimit të ligjit dhe rendit për të zhvilluar biznes konkurrent. “Kjo është humbje e madhe nëse shkon përpara. Ne sugjerojmë që ky proces të stopohet, të rishikohet komplet edhe njëherë strategjia dhe ristrukturimi i kësaj ndërmarrjeje përpara se të hapet një proces i ri i privatizimit”, ka thënë Hoti. Sipas tij, punësimet, kontratat e dëmshme krejt këto e kanë zhvlerësuar kompaninë dhe, sipas tij, nuk presin që kjo do të shitet as për çmimin që është i paraparë në buxhet.

Haki Shatri nga AAK-ja ka thënë se arsyeja pse nuk ka interesim për blerjen e PTK-së është ambienti jo i mirë biznesor, korrupsioni, krimi i organizuar, qeverisja e keqe, që, sipas tij, ka bërë që të frikësohen investitorët. “Në fillim të procesit ka pasur më shumë të interesuar, ka pasur edhe që janë parakualifikuar por prej veprimeve të dyshimta dhe të paligjshme që janë bërë nga udhëheqësit e projektit, njerëzit janë larguar dhe tash normalisht vijnë oferta shumë të ulëta që nuk e përfaqësojnë as çerekun e vlerës së PTK-së”, ka thënë Shatri. Në këto kushte, sipas tij, sa do që të shtyhet afati nuk do të ketë oferta më të mira dhe serioze.

Edhe Dardan Sejdiu nga “Vetëvendosje” ka kërkuar që procesi të ndalet dhe të rivlerësohet. “Ky proces është jashtëzakonisht i dëmshëm sepse e zhvlerëson edhe më tutje Telekomin dhe e sjellë në një situatë çfarë e kanë sjellë Distribucionin. Vetë fakti që vetëm një ofertues paraqitet për të blerë një aset i cili gjeneron mbi 40 milionë euro në vit profit është indikator shumë i rëndësishëm për procesin në fjalë”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër Oda Ekonomike Amerikane edhe pse në vazhdimësi e ka përkrahur procesin e privatizimit të PTK-së  ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me shtyrjet e vazhdueshme të privatizimit të kësaj ndërmarrjeje. “Këto vonesa të vazhdueshme edhe më tej e dëmtojnë reputacionin e Kosovës në sytë e investitorëve të huaj duke shkaktuar kështu uljen e mëtejshme të vlerës së PTK-së si ndërmarrje”, është thënë ndër të tjera në reagimin e OEA.

Të bindur se katër konzorciumet e parakualifuara do t’i dorëzojnë ofertat atraktive financiare për privatizimin e PTK-së, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ishte përgatitur që në mënyrë ceremoniale, në prani të medieve të enjten ta bëjë hapjen e ofertave. Mirëpo, gjithçka mori kahe tjetër në momentet e fundit, kur në objektin e Qeverisë nuk u duk më shumë se një investitor. Sipas njoftimit të lëshuar nga MZHE-ja, Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së kishte vendosur që kompanive të përfshira në procesin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të PTK-së, t’iu japë kohë shtesë për dorëzimin e ofertave të tyre deri më 3 prill 2013. Kjo shtyrje e afatit, sipas tyre, “vjen si rezultat i pengesave teknike me të cilat janë ballafaquar kompanitë e parakualifikuara në këtë proces”.

 

Nga: Saranda Rama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu