Të bëhesh shqiptarë për 5 mijë euro

0
962

TIRANË- Pesë mijë euro në dorë, plus një fotografi në format dixhital dhe për dy javë bëhesh shtetas shqiptar me pasaportë të rregullt biometrike. Kaq para duhej të paguajë një kosovar për marrjen e identitetit dhe gjeneralitetet e një personi me shtetësi shqiptare, tek rrjeti i sekserëve në të gjithë Shqipërinë.

Bëhet fjalë për pasaporta të rregullta me të gjitha të dhënat biometrike dhe tashmë kjo po kryhet edhe nga të huajt. Në këtë rrjet marrin pjesë edhe funksionarë të gjendjes civile në njësi të ndryshme vendore dhe punonjës së firmës franceze që prodhon kartat dhe pasaportat biometrike. Por kjo skemë është përdorur edhe nga persona në kërkim ndërkombëtar, të cilët tashmë disponojnë dokumente të rregullta shqiptare me fotografinë e tyre dhe gjurmët e gishtërinjve të ndonjë “fakiri” që nuk do të dalë kurrë jashtë Shqipërisë.

Gjashtë persona të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari, u arrestuan dje nga policia dhe Prokuroria e Tiranës.  Afërdita Sukniqi, 41 vjeçe, punonjëse e zyrës së Gjendjes Civile të Njësisë bashkiake nr.7, në Tiranë, akuzohet për shpërdorim detyre. Bashkë me të, policia ka ndaluar edhe pastruesen e kësaj njësie Diana Rexha, 41 vjeçe, e cila akuzohet për të “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”.

Veç tyre, policia arrestoi edhe Ylvi Shkallën, 29 vjeç banues në Sauk, si dhe Saimir Trotën, 26 vjeç nga Kukësi me banim në Tiranë. Të dy këta të fundit janë punonjës të repartit forcave speciale të Zall- Herrit, një prej të cilëve shofer dhe tjetri ushtar me pagesë. Gjithashtu policia arrestoi edhe Luz Bisakun, 36 vjeç, mësues, Vilson Nikollën 41 vjeç, të dy nga fshatrat e Gjakovës në Kosovë.

Këta persona sipas burimeve të policisë akuzohen për “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, si dhe vënie të tyre në përdorim. Ndërkaq të dyshuar si pjesë e këtij rrjeti, organet e ndjekjes penale, kanë nën hetim edhe 6 persona të tjerë duke e çuar në total numrin e të dyshuarve për këtë hetim në 12 persona.

Persona  e arrestuar, sipas burimeve të hetimit, dyshohen se kanë arritur të prodhojnë pasaporta dhe karta identiteti false nëpërmjet vjedhjes së identitetit të një personi tjetër apo blerjes së identitetit kundrejt një shume të caktuar parash. Dyshohet se fillimisht dy personat që punonin në repartin e Zall- Herrit, gjenin personat në Kosovë që kërkonin të pajiseshin me pasaportë shqiptare kundrejt një vlere të caktuar parash që ata ishin të gatshëm ta paguanin.

Nëpërmjet kësaj pasaporte ata mund të lëviznin pa problem në të gjithë vendet e BE-së, pa pasur nevojë për vizë. Më pas gjendej personi, i cili dëshironte të shiste identitetin, apo që do t’i vidhej. Në këto raste merrej një person, i cili nuk ka pasur asnjë herë pasaportë biometrike dhe që nuk ndodhej në vendin tonë. Më pas ai pajisej me një patentë të falsifikuar ose vetë personi që shiste identitetin, merrte një certifikatë personale, por me foton e personit që e blinte.

Më pas ky person me një nga këto dy dokumente shkonte në një qendër aplikimi, jashtë rrethit ku banonte personi dhe aplikonte për pasaportë biometrike dhe kartë identiteti. Kjo mënyrë aplikimi, sipas burimeve të policisë mësohet se mund të jetë realizuar në më shumë se 15 raste.

Historia e moldaves që u bë durrsake

Në muajin mars të këtij viti, policia e Shkodrës në Hanin e Hotit, ndaloi disa persona të dyshuar se po trafikonin një femër nga Shqipëria në drejtim të vendeve perëndimore. Personat u ndaluan nga policia kufitare dhe u dërguan për verifikim personat në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Shkodrës. Gjatë hetimit të kryer, policia zbuloi se femra me të cilën ata po udhëtonin dhe që dyshohej se po e trafikonin, doli se ishte shtetase e huaj, e cila kishte lidhje intime me një nga personat. Ajo oshte moldave dhe jo shqiptare, por kishte në përdorim një pasaportë shqiptare me emrin e një vajze nga fshati Rrashbull i Durrësit. Gjatë verifikimit, policia zbuloi se banorja e Durrësit, nuk kishte dijeni për këtë fakt. Policia zbuloi identitetin e vërtetë të moldaves, gjatë intervistimit nuk mbante mend emrin e një prej personave të familjes së vajzës së cilës i kishte marrë pasaportën. Policia e arrestoi me akuzën e falsifikimit të dokumenteve.

Të arrestuarit

Afërdita Shyqyri Sukniqi, 41 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, me detyrë punonjëse e Njësisë Bashkiake Nr.7 Tiranë, e cila do të ndiqet penalisht për veprën penale “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 i Kodit Penal.

Diana Syrja Rexha, 41 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë sanitare në Njësinë Bashkiake Nr.7 Tiranë, e cila do të ndiqet penalisht për veprat të penale të “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, nenet 245/1 dhe 189/2 të K.P.

Luz Tune Bisaku, 36 vjeç, lindur në Gjakovë dhe banues në Fierzë, komuna Gjakovë Kosovë, me detyrë arsimtar, i cili do të ndiqet penalisht për veprat të penale të “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, neni 189/2 të K.P.

Ylvi Hariz Shkalla, 29 vjeç, lindur e banues në Sauk, me arsim 12 klasë, i pa dënuar, me punë shofer në Rep.Ushtarak nr.1060, Zall Herr, për vepratë penale të “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, neni 189/2 të K.P.

-Vilson Tun Nikolla, 41 vjeç, lindur në Gjakovë dhe banues në Marmull, komuna Gjakovë Kosovë, për veprat të penale të “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, neni 189/2 të Kodit Penal.

– Saimir Jahit Trota, 26 vjeç, lindur e banues në fshatin Gostil Kukës, me detyrë në Repartin e Forcave Tokësore Zall – Herr, për veprat të penale të “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”.

Skema

Sekserët zbulojnë njerëz kryesisht nga fshatrat që nuk kanë asnjë synim për të dalë jashtë shtetit. Ata pranojnë që të shesin identitetin e tyre për një shumë prej pesë mijë eurosh. Personi që blen identitetin prodhon një dokument fals me të dhënat e rreme dhe fotografinë e tij. Më pas, me këtë dokument, aplikon për një pasaportë të rregullt biometrike.

 

Ndryshimi

Ministria e Brendshme dhe firma “Aleat” kanë ndryshuar procedurat e prodhimit të pasaportave biometrike. Deri një muaj më parë, aplikimi mund të bëhej nga çdo zyrë e “Aleat” në Shqipëri, nuk ka rëndësi se ku ishe banor. Mjafton që të paraqisje kartën e identitetit dhe kuponin, e menjëherë nisje procedurën e pasaportës. Tashmë aplikimi mund të bëhet vetëm në zonën ku je banor dhe mund të verifikohen gjeneralitetet e tua.

 

Nga Dashamir  Biçaku

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu