Të gjitha “Fajet e Mëkatet” e shqipnisë i ka kleri Katolik Shqiptar !

0
634

(Pjesa e Parë)

Kur Shqipnia nuk ishte Shqipni, do t’ ishte gabim me folë për “fajtorët” që kanë mendue dhe punue me ngritë binanë e rrafshueme ndër shekuj me një barbarizëm aqsa të pamëshirshëm, aq edhe makabër nga të gjithë pushtuesit, pa asnjë përjashtim.

Kur filloi me u dukë në qiellin Shqiptar vransina që po errsonte me rêtë e saj mbas gati pësë shekujsh “gjysëhanën” e vjetër të Anadollit, shumë turkoshakë morën ikën, ndërsa pjesa ma e madhe veshën kostumin e ri të “xhonturqëve” dhe filluen me u falë me “hanën e ré”… Ndryshimet e para i bani Stambolli…E na, mbas tyne!

Kush, na? – Na pra, “na”, banorët e Tokave të pushtueme prej tyne… Shumë prej nesh filluen me mendue ndrysh. Duhet me thanë të vërtetën: Nuk ndejën rahat ndër ato kësollat e tyne, me ndrrue ato dy palë brakesha që kishin gjithë jetën, me kullotë ato dele e lopë e me u kënaqë tue i ra fyellit nën hije të lisave e të ahut shekullor, ku për pesëqind vjet u këndonte qyqja e kukuvajka, po shkuen e u futën ndër brraka të Zadrimës, dikund andej kah Troshani, për me u ba “të dijshëm”, madje edhe na dolën edhe “priften”, tue pasë në katër anët e vendit ndër qytete qindra mejtepe…shkojnë e i qesin vetes punë me “shpikë” edhe Alfabet të Gjuhës Shqipe! Punë katundarësh…! Jo po e di këte punë Imzot Doçi, ai tjetri mbas Tij, Imzot Mjedja me një vlla që rri tue qitë vjerrsha, edhe këta zadrimorë. Ai tjetri që i binte fyellit aq bukur fillon e merret me “lahutë”…e kështu, një grup katundarësh të “dijshem” po do edhe me na mësue me “turk” mbi krye Gjuhën Shqipe!..Nuk mjaftohen me kaq, po na formojnë edhe Shoqni “Agimi”, se gjoja na paska fillue me dalë “drita”… Ai Zefi i Atyne Fishtajve nuk rri rahat me korrë grunin, po shkon e veshë edhe “zhgunin e fratit” e ndrron edhe emnin e na bahet At Gjergj, në kujtim të Gjergj Kastriotit, kur shumica e vendit nuk do me ia ndigjue emnin “Atij të Parit”, e jo ma këtij “të dytit”, që edhe na i shkruen bash sulltanit të Stambollit, demek se di gjuhën e Napoleon Bonapartit…se “duem me vu ndër ata farë shkollash Gjuhën Shqipe”…Po me ke me u marrë vesh me atë “Gjuhë”..? Ajo po t’ ishte Gjuhë… përdoret edhe sot! Gjuhë, demek Shqipe, me do grremça latinë, a thue se do të rrinim gjithë ditën tue shkrue e lexue ndër gazetat e Europës… E nuk mjaftohet me kaq tue pasë mundsi me i këndue vjerrsha Nanës e Babës së vet, e me i qitë bejta shokëve shkon e çon peshë edhe atje maje Malesh Malësorët e Hotit, Grudës e Dukagjinit…dhe e bán dreqi me u miqsue me një tjetër “si veten”, të rrethuem në konop rreth belit, në fis t’ atyne Prennushëve të Zhupës, njëfarë At Matijet, “katundar” që për pak e gja kje tue u vjerrë në konop të Krajlit të Malit të Zi…

E pse? – Për një copë “zhele të kuqe me një Shqipe” që “shumica” edhe sot po e quejnë “sorrë”. Kinse simbol i Kastriotit! Punë boshe! Sa me i pa sherrin me farë e me fis i shkreti Dedë Gjo’ Luli, tue lanë rrugash edhe Trupat e vramë të djelmëve të vet, të qinda miqëve Malësorë, atje në Maje të Deçiqit…e tue u shue si t’ ishin pa emen, aqsa sot mbas 100 vjetëve, as me i ra ndër mend “shqiptarëve” se Ai Flamur u vu mbi Shkambijë të lamë me Gjakun e Pastër të Atdhetarëve!.. Janë 100 vjet që Shqiptarët e Atyne Trojeve vetem dëbohen, ikun, humbin e shfarosen pse me Gjak ngritën Flamurin e Shqipnisë…

A dam i vogël ju duket ky? E kujt i shkoi mendja në këte “dreq” pune? Vetem Atyne që kishin veshë zhguna e veladona! Klerit Katolik Shqiptar! Qit e bertit ndër male e fusha “Atdhé e Fé”…Hapen shkolla: “Atdhé e Fé”…Ndërtuen Kisha: “Atdhé e Fé”!… E sa iu pa hajri “Atdheut e Fesë”…haj dreq, as Ata që i hapën, as “ata” që i shkatrruen!

Veç sherr e dam të pamasë! E çka na duhej né Feja e Tyne? – Jo po ka 2000 vjet që “Malësorët me armë në dorë ruajtën Krishtërimin” thonte Ai Popi i shkjeve Fan Noli…

E kush ua dijti këte? Qeveria, Populli, Europa, sllavi, turku…!? – Askush! Veç se lanë krena e pasuni rrugash e të “truem”, tue fillue nga Kleri e deri tek Mësuesit që u mësuen “shkronjat Shqipe”, tue pasë mundësi me ndejë rahat me “çengelat e turkut apo me ato grremçat cirilike” që i kemi rreth e rrotull…e madje edhe me kenë mirë… me komshijë! Nuk mjaftohen me kaq! Bán dreqi e mblidhen në Gerçë, në qelen e At Matisë, shkon edhe Imzot Mjeda me disa tjerë… ua rrejnë mendjen edhe nja katër a pesë vetëve të tjerë muslimanë, fusin në “sherr” edhe Ismail Qemal bej Vlorën, tue kenë rahat në punën e vet…ua mbushin mendjen edhe disa kosovarëve analfabetë e me në krye njëfarë Burri, Isa Boletini, që nuk dinte as turqisht, as frengjisht, e bán dreqi e lidhet me Katolikë e vjen në Vlonë me vu “Flamurin e Shqipnisë”… Edhe Ai sa me u vra pa kalue as kater vjet e me iu vra edhe djali e far’ e fisi…për një “copë zhele”… – Jo po, edhe Ky ishte Miku i Imzot Luigj Bumçit… At Fishtës e ku di unë ku i kishte gjetë do priften sa me fikë edhe ata që paten le nja 30 vjet mbas vrasjes së Tij n’ Atë Fis.

E pse? – Po na coptohet Shqipnia! – Punë e madhe! Donin me e shpëtue priftnit! – U pat hy vetja në qejf! U lëshuen ndër shtete t’ Europës me zhguna e veladona, Kryqat nga një pëllambë në qafë e donin me ua mbushë menden Inglizit e Amerikës, se jemi shtet “oksidental”… Mirë i pat thanë Bismarku kur i shkuen delegacion Katolikët e Shkodres: “Sa rrini e vueni nën sundim të turkut, banju edhe ju muslimanë e shpëtoni!!” Po me ke me folë, a merr vesh i “paqytetnuemi”? Edhe atij desht me i dhanë përgjegje Don Nikoll Mazrreku…po ku i erdhi fundi Don Nikollit…Edhe pak e pat edhe Ai!

Imzot Bumçi tue kujtue se asht i zoti fort e po di me ba politikë, se dinte pesë a gjashtë gjuhë të hujeja ban edhe tjetrën marri që nuk i falet përsa të jetë jeta e shkon edhe tek Papa, me i kërkue “Korçen e Gjirokastren!!” Kulmi! Po a bahet një veprim kësi soji me mend në kokë…prej një Prelati Katolik, kur ndër ata vende nuk ishin asnjë i Fesë së Tij? – Jo po janë vëllaznit tonë Shqiptarë!…Nuk kemi si i lamë nën thundren e huej me na i shtypë greku!! Kësaj i thonë me t’ marrë dreqi mendjen e kokës!.. Vëllaznit tonë!?

E çka do me i pa sherrin ma fort se kaq! – Jo jo, mos u ngutni! Ka edhe ma!…

Fritz RADOVANI

Vazhdon…

Melbourne, Gusht 2011

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu