Të gjitha kishat ortodokse, meshë më 28 Nëntor 2012, pa Janullatosin

0
677

Nuk do të replikojmë me askënd përveç Janullatosit. Për ne, replika e dy zotërinjve, në “Gazeta Shqiptare”, datë 30 gusht 2012, konsiderohet një sforcim moral kundrejt Janullatosit, sepse ky i fundit u ka ofruar ndonjë lugë çorbë të prishur, për të vjellë gjithë jetën. Gjithsesi na dhimbsen bashkëkombësit tanë, kur janë në pozita mjerane dhe vuajnë nga brenda zemrës së tyre. Ata gjithmonë janë të mirëpritur dhe të falur, në çdo moment, kur t’i thërrasë ndërgjegjja e tyre.
Ne, Komiteti për Mbrojtjen e Pavarësisë së Kishës Ortodokse Kombëtare Shqiptare, – theksojmë ‘Kombëtare Shqiptare’, sepse për Janullatosin nuk ka komb shqiptar në Ballkan, – kemi vendosur t’u bëjmë një thirrje, me dashuri dhe zemër të bardhë, të gjithë priftërinjve të kishave ortodokse kudo që ndodhen, të mbajnë meshë më 28 Nëntor 2012, me rastin e deklarimit të pavarësisë më 28 Nëntor 1912 në Vlorën-simbol, si një gur të çmuar në atdheun tonë.
Sugjerojmë, duke respektuar korrektësisht aftësitë e priftërinjve, se, përveç liturgjisë biblike, të kujtohen njerëz të nderuar, si: Ismail Qemali, Fan Noli, Visarjon Xhuvani, Kristofor Kisi. Absolutisht nuk duhet përmendur gjatë meshës emri i Janullatosit si kryepeshkop, sepse fyejmë veprën dhe kujtimin e të parëve tanë që deshën një kishë ortodokse shqiptare. Më 28 Nëntor 2012, në atë festë me flamuj, le të bien dhe kambanat e kishave ortodokse, për të falënderuar Zotin e madhërishëm, që bekon dhe ndihmon shqiptarët drejt ndriçimit përfundimtar të mendjes dhe shpirtit, sipas ligjësive dhe udhëzimeve të përkryera, që ka përdorur për të krijuar jetën e pafundme.
Kisha Katolike, ose vëllai ynë, ashtu si besimet e tjera që janë po vëllezërit tanë, është e mirëpritur dhe ajo në aktivitetin teologjik, për të ushqyer shpirtin shqiptar në atë ditë të bekuar, sepse mjaft katolikë dhe personalitete të larta, kanë punuar për pavarësinë e Shqipërisë, duke theksuar se, diktatura komuniste persekutoi dhe ekzekutoi mjaft priftërinj katolikë, priftërinj që kishin në shpirt besimin, kombin dhe familjen.
Do të ishte momenti më ideal, që Komiteti i Kulteve ta shpallte 28 Nëntorin, ditë të falënderimit ndaj Zotit.
Komiteti për Mbrojtjen e Pavarësisë së Kishës Ortodokse Kombëtare Shqiptare, fton priftërinjtë ortodoksë shqiptarë, t’i bashkohen këtij komiteti me çfarëdolloj mënyre dhe mjeti, për të vendosur në vend statutin e kishës së ndërtuar nga Fan Noli i madh, si dhe të punojmë bashkë për kongresin e rilindjes së Kishës Ortodokse, mbi baza kombëtare shqiptare, ashtu siç e dëshironin të parët tanë dhe ata që dhanë jetën ndër shekuj, për këtë Shqipëri të cunguar që kemi sot.
Për kuriozitet të opinionit publik, e për arsye se më kanë telefonuar me qindra njerëz për t’u shpjeguar vendosjen e kryqeve nëpër kodra, po shpjegoj se ato kryqe, i vendos Janullatosi sipas një harte të vjetër me kufij Perandorinë e Bizantit, pra thjesht bën ndarje territoriale sipas besimit. Një veprim i tillë është shkelje dhe cenim i sovranitetit territorial. Besimi dhe llojet e tij në Shqipëri nuk kanë kufij, sepse shqiptaret janë një familje e madhe.
Janullatosi, duhet të dijë se, themeluesi i Perandorisë Bizantine ishte Kostandini i madh nga Iliria. Duam të theksojmë se, në polemikën tonë kundër Janullatosit, nuk përziejmë asnjëherë popullin e thjeshtë grek apo njerëz përparimtarë, sepse për ne, si grekët, serbët, rusët apo kushdo tjetër, janë njerëz dhe si të tillë janë krijim i Zotit dhe meritojnë respekt dhe dashuri. Ne jemi kundër politikave fetare dhe veprimeve politike të kishës serbe apo asaj greke që cenojnë kombin shqiptar kudo që ndodhet, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi apo në Çamëri. Kisha serbe mban përgjegjësi për frymëzim të akteve të dhunshme në veri të Kosovës, duke mos u bërë thirrje besimtarëve serbë për paqe, respekt dhe mirëkuptim me shqiptarët. Ka ikur koha e spekulimeve injorante dhe gënjeshtare, për super raca, apo toka të bekuara dhe të premtuara. Krijimi i Zotit është unikal dhe me kombe të veçanta, që duhet ta respektojnë njëri-tjetrin e jo ta përçmojnë. Kisha serbe të heqë dorë ndaj veprimeve që i koordinon me Janullatosin kundër kombit shqiptar. Ne nuk do të lejojmë asnjë veprim, që ka për qëllim tjetërsimin etnik territorial apo cenimin e territorit ku jeton kombi shqiptar. Askush nuk mund ta errësojë apo eklipsojë këtë njëqindvjetor.
KOMITETI PER MBROJTJEN E PAVARESISE SE KISHES ORTODOKSE KOMBETARE SHQIPTARE
KESHILLI i KISHES “SHEN MARIA”, ELBASAN
AT NIKOLLA MARKU

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu