Të pakënaqurit “strehohen” te Jakupi

0
763

Të pakënaqurit me procesin e brendshëm zgjedhor në partinë e kryeministrit Hashim Thaçi do të gjejnë “strehë” te numri dy në hierarkinë e PDK-së, Jakup Krasniqi, i cili tashmë e ka lënë të hapur mundësinë e shkëputjes nga partia dhe krijimin e një subjekti të ri politik.

I gjithë procesi i zgjedhjeve të brendshme në PDK, i cili po përshkruhet me pakënaqësi, përplasje të mëdha, madje edhe me përleshje fizike nëpër seksione, degë dhe nëndegë të ndryshme të kësaj partie, ka çuar deri të ajo sa që Jakup Krasniqi, i cili është njëri nga themeluesit e kësaj force politike, të mendojë seriozisht për mundësinë e largimit të tij nga partia dhe krijimin e një subjekti të ri politik, ku do të mbante “bajrakun”.

Eventualisht në partinë e Krasniqit mund të rreshtohen përveç nënkryetarit të parë të PDK-së, Fatmir Limajt, i cili gjendet në paraburgim, edhe figura tjera nga dega e Drenasit, e cila është një nga qendrat më të fuqishme të PDK-së, njerëz me reputacion nga Dega e Malishevës, Ferizajt, Gjilanit, Vitisë…etj, por edhe nga kryesia qendrore e partisë.

Vetë Krasniqi të mërkurën edhe njëherë e ka lënë të hapur mundësinë e krijimit të subjektit të ri politik pas fërkimeve të fundit që kanë ndodhur me lidershipin e PDK-së, sidomos pas publikimit të bisedave telefonike të përgjuara nga EULEX-i. Në këto biseda telefonike, kryeministri Hashim Thaçi gjatë bisedës që ka zhvilluar me shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci , i referohet Jakup Krasniqit me fjalën “Jakupovski”, derisa kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku e fyen dhe shanë me nënë kryeparlamentarin.

Megjithatë, njeriu i dytë në hierarkinë e PDK-së, i pyetur të mërkurën nga gazetarët për formimin e një partie, nuk ka dashur të komentojë shumë. “Unë nuk kam thënë se do të formoj parti të re. E kam thënë atë që e kam thënë, por asgjë nuk ka të bëjë me përplasjet dhe inatet personale. Gjithçka varet nga parimet, nga interesi i qytetarëve të Kosovës dhe i të ardhmes së jetës edhe politike edhe publike në Kosovë”, është shprehur Krasniqi.

Ndërkaq, analistët politikë vlerësojnë se “aventura”e Krasniqit për krijimin e ndonjë force politike mund t’i kushtojë personalisht atij. Behxhet Shala nuk beson se sekretari i përgjithshëm i PDK-së do të krijojë ndonjë subjekt të ri politik, pasi që siç ka thënë ai, Kosova ka shumë më shumë parti politike se sa që i nevojitën. Madje, ai ia ka rikujtuar Krasniqit se mund ta ketë fatin e njëjtë si të Nexhat Dacit, i cili para disa vitesh vendosi të ndahet nga LDK-ja dhe krijoi LDD-në. “Nuk besoj se është në interes të Jakupit që ta dobësojë PDK-në dhe të ndahet, sikurse nuk është në interes të kësaj partie që ta eliminojë sekretarin e partisë nga skena politike. Pra, ikja e Krasniqit nuk do ta dëmtojë shumë PDK-në, por as nuk do ta fuqizonte partinë që mund ta krijojë. Ai ( Jakupi), edhe pse ka një bagazh të madh politik, duhet ta dijë se hyrja e “aventurës” për formimin e ndonjë partie të re politike do t’i kushtojë më së shumti vetë atij’’, ka thënë Shala.

Ky njohës i zhvillimeve politike konsideron se nuk është në natyrën e kryekuvendarit që t’i hakmerret dikujt, pavarësisht ndërskamcave që i bëhen nga bashkëpartiakët e tij. Ai nuk ka mundur të spekulojë me emrat që mund të rreshtoheshin në partinë e Krasniqit, pasi që sipas tij, skena politike ndërtohet mbi bazë të interesave. “Dikush në ndonjë moment të caktuar mund të deklarohet si përkrahës, por në momentin tjetër që e sheh një interes tjetër menjëherë ia “kthen shpinën”. Në fund të fundit partia politike është një grup interesi, dhe njerëzit shkojnë ku është interesi më i madh. E njerëzit s’kanë interes që të shkojnë të Jakupi, pasi që ai s’ka mundësi t’i punësojë, t’iu ndajë tendere…etj. Pra, nuk besoj se partia e tij do të ishte atraktive në këtë kohë kur kemi një krizë të theksuar të moralit edhe politik dhe moralit në përgjithësi”, ka deklaruar Behxhet Shala.

E, analisti Halil Matoshi përmend se numri një i Kuvendit, objektivisht është “i përjashtuar” nga partia e tij për shkak të përplasjeve të vazhdueshme me lidershipin. “Pak e besoj se mund ta ndërtonte ndonjë parti të fuqishme, edhe pse Fatmir Limaj është në krahun e tij. Megjithatë, Krasniqi tash për tash mund t’i shkaktojë çarje PDK-së, edhe pse është përshëndetur me lidershipin e kësaj partie”,ka vlerësuar ai.

Ndërkaq Nexhmedin Arifi i PDK-së, i cili është kryetar i Vitisë dhe vjen nga një degë ku procesi zgjedhor i brendshëm është përshkuar me përplasje të mëdha, tha se ka respekt për sekretarin e partisë, Jakup Krasniqin, por pohoi se “respekton vijën e PDK-së dhe nuk do të anojë në asnjë subjekt të ri politik”.

 

Nga Lumturie Blakaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu