“Të rishtetëzohen koncesionet e pasurive kombëtare”

0
773

Anëtarja e Këshillit mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Ermelinda Meksi llogarit humbjet në buxhetin e shtetit nga privatizimi i energjisë, naftë dhe shërbimeve bazë.

Dhënia me koncesion e të gjithë pasurive kombëtare, që nga puset e naftës dhe deri te shërbimet më bazike për shqiptarët kanë rrënuar ekonominë shqiptare. Rishikimi i kontratave koncesionare, të cilat kanë kaluar në duar të privatit të ardhurat nga pasuritë kombëtare, është një kusht i domosdoshëm për t’i kthyer buxhetit të shtetit të ardhurat.

Privatizimet

Sipas anëtares së Këshillit mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Ermelinda Meksi, dhënia me koncesion e pasurive kombëtare nuk duhet të trajtohet si rritje eksportesh, por si dëmtim i ekonomisë. “Rritja e investimeve të huaja në katër vjetët e fundit ka ushqyer entuziazmin retorik të politikës së ditës për rritje ekonomike. Në fakt, duke qenë se ato kanë qenë kryesisht privatizime dhe koncesione në sektorin e naftës dhe mineraleve, kanë sjellë rritjen e eksporteve të tyre, por kjo, nuk është reflektuar me rritje të të ardhurave në buxhetin e shtetit. Konkretisht, në periudhën 2009 – 2013, eksportet e naftës dhe të mineraleve, u rritën nëntë herë. Eksporti i çimentos u rrit katër herë, kurse ato të fasoneve u rritën me rreth dy herë. Vetëm eksporti i naftës në vitin 2012 arriti në 1 milion ton nga rreth 78 mijë tonë që ishte në vitin 2005. E shprehur në vlerë monetare, do të thotë se në vitin 2005 kishim 19 milionë dollarë eksporte, ndërsa në vitin 2012 kishim 570 milionë dollarë eksporte, ose 30 herë më shumë se në vitin 2005”-argumenton Meksi.

Ndërsa në lidhje me faktin se sa ka përfituar buxheti i shtetit nga kjo rritje e sasisë së eksportit, Meksi shprehet se megjithëse transparenca e këtyre të dhënave mungon, duke parë rritjen shumë modeste të të ardhurave buxhetore, në të cilat ndikojnë shumë faktorë, si nënçmimi i lekut, rritja e   çmimit të mallrave çmim-formuese, si karburanti dhe energjia elektrike, mund të themi pa hezitim se përftimi i ekonomisë sonë nga eksporti i pasurisë së çmuar natyrore shqiptare, si nafta (por jo vetëm ajo), nuk ka qenë aspak në nivele të kënaqshme. Eksportet i kanën sjellë përfitime zotëruesve të koncesioneve dhe aspak ekonomisë sonë kombëtare. “ Ndërkohë, nevojat tona për naftë, që janë gati sa gjysma e sasisë që ne eksportojmë, përballohen kryesisht me naftë të importuar, e cila është shumë herë më e shtrenjtë se ajo që ne eksportojmë, veçanërisht në kushtet kur sasia e përpunimit të naftës ka rënë nga ish-ndërmarrja shtetërore ARMO, e cila është tashmë e privatizuar. Kësaj i thonë, shita kalë dhe bleva kerr.

Kjo situatë të kujton kohët e shfrytëzimeve të egra, që nuk mund të adoptohen në një vend në një vend që aspiron të integrohet shumë shpejt në Bashkimin Europian, ashtu sikurse është vendi ynë. Pyetjes se çfarë investimesh të huaja dhe eksportesh duhen nxitur në ekonominë shqiptare do t’i përgjigjesha si më poshtë”-pohon anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Sipas Meksit duhen nxitur ato investime që stimulojnë konsumin e shqiptarëve, i cili nxit prodhimin, punësimin dhe zhvillim  duke nxitur më tej biznesin vendas dhe të huaj, por në radhë të parë duke i nxitur për të investuar dhe jo për të blerë asete të gatshme siç kanë qenë hidrocentralet e privatizuara në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 3013. “E them këtë pasi nga këto privatizime nuk u gjenerua asnjë energji e re prodhuese nga HEC-et e privatizuara, ndërkohë që ka një Vendim të Këshillit të Ministrave, sipas së cilit rritet tri herë çmimi i energjisë së blerë nga Korporata Energjetike Shqiptare nga hidrocentralet e privatizuar. Heqja dorë nga këto praktika dhe korrigjimi i tyre kërkon mobilizimin e një mendimi më të mirë juridik, në mënyrë që asetet tona kombëtare të përdoren në dobi të zhvillimit të ekonomisë kombëtare dhe për rrjedhojë, në dobi të mirëqenies së qytetarit shqiptar. Uroj që sensibiliteti i krijuar në ndikojë në zgjedhjen e duhur nga ana e qeverisë shqiptare”-përfundon argumentin Ermelinda Meksi.

Koncesionet

Kontrollet në dogana, kontrolli i kazinove, markimi i naftës dhe kolaudimi teknik i makinave, janë katër shërbimet kryesore që do të faturohen drejtpërdrejtë në adresë të qytetarëve nga privatët. Kontrolli fizik i mallrave, që do të hyjnë dhe do të dalin në doganat shqiptare, do të bëhet me skaner, por kjo pajisje do të instalohet nga një kompani private, e cila do të vjelë paratë e qytetarëve. Tarifat për këtë shërbim do të paguhet nga bizneset që importojnë apo eksportojnë mallra, të cilët koston do ta transferojnë indirekt te qytetarët. Përveç kalimit të shërbimeve në duart e privatit, qeveria ka tjetërsuar edhe pronat shtetërore. Rasti i fundit ishte parku i automjeteve të Ministrisë së Brendshme, të cilin e ka marrë një kompani private për 20 vjet për ambiente shërbimi. Vendimi për këtë park me sipërfaqe 550 m2 është marrë para një muaji, e megjithatë në këtë vend privatët kanë nisur të ndërtojnë.

Lista me shërbimet e privatizuara

1. Në vitin 2009 kompania zvicerane “SGS Automotive Albania” mori koncesionin e kontrollit autoteknik të automjeteve, e cila më parë bëhej nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, kontroll i detyruar i mjeteve.

2. Koncesioni i prodhimit të pasaportave dhe kartave të identitetit, të cilat i prodhon kompania Sagem. Iu dha me koncesion në vitin 2008 firmës franceze “Sagem” e drejta për të prodhuar dokumentet e identifikimit në vendin tonë.

3. Jepet me koncesion për 35 vjet terminali i kontenierëve në Portin e Durrësit. Ministri i Transporteve ka firmosur marrëveshjen me kompaninë “Kurum”, e cila do të administrojë terminalin.

4. Në muajin Shtator 2012 Ministria e Financave ka dhënë me koncesion prodhimin e pullave të akcizës dhe pullave fiskale në produktet e duhanit, birrës dhe alkoolit.

5. Në vitin 2012 u dha me koncesion kontrolli fizik i mallrave që do të hyjnë dhe do të dalin në doganat shqiptare. Pajisja e kontrollit do të instalohet nga një kompani private. Deri tani ky proces kryhej nga punonjësit e administratës tatimore, doganierët.

6. Në vitin 2013 u dha me koncesion nga qeveria markimi i naftës. Ngjyrosja e naftës do të kryhet për 15 vjet nga dy kompani të huaja. Deri tani ky shërbim kryhej falas, tani Shqipëria është i vetmi vend në rajon dhe në Evropë që tarifën e markimit ua faturon qytetarëve.

Dëmi ekonomik në 2005-2013, qindra milionë euro

Ende nuk ka një faturë të saktë në lidhje me pronat shtetërore që kanë kaluar në duart e privatit, por është e sigurtë që qeveria “Berisha” ka zeruar gjendjen e llogarisë “kapitale të paluajtshme” të Shtetit shqiptar. Bëhet fjalë për miliona euro të transferuara në duart e firmave private, të cilat, para privatizimit të shërbimit, shkonin në arkën e shtetit. Vetëm tre koncesionet e fundit përllogaritet të nxjerrin nga Shqipëria rreth 400 milionë euro. Transferimi i fundit që miratoi qeveria “Berisha” ishte markimi i naftës. Qeveria transferon një monopol me vlerë 150 milionë euro për 10 vitet e ardhshme dhe përjashton nga vendimmarrja parlamentin, duke shkelur kështu ligjin.

Ekspertët ngrejnë pikëpyetje mbi ligjshmërinë e procedurës, ndërsa Autoriteti i Konkurrencës, pak kohë më parë, kërkoi informacion në lidhje me koncesionin, por hetimi nuk nisi pasi Ministria e Financave nuk dha informacion, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore. Kontrata parashikon që kompanitë të kontrollojnë  naftën që hidhet në treg dhe të vendosin ngjyrën e saj sipas përdorimit. Deri tani këtë proces e kryenin kompanitë që tregtonin “arin e zi”. Një tjetër konvencion që kalon në duart e privatit miliona euro është edhe kontrolli fizik në dogana. Mallrat, që do të hyjnë dhe do të dalin në doganat shqiptare, do të kontrollohen me skaner. Kjo pajisje do të instalohet nga një kompani private, e cila do të jetë përgjegjëse për kontrollin fizik të mallrave. Tarifa për këtë shërbim do të paguhet nga bizneset që importojnë apo eksportojnë mallra. Deri tani ky proces kryhej nga punonjësit e administratës tatimore, doganierët, të cilët pasi njiheshin me deklarimin përmes deklaratës tatimore me të dhënat dhe sasinë e mallit që ndodhjen në kontenierin për zhdoganim dhe verifikonin fizikisht ngarkesën.

Nga: Ornela Manjani


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu