Të vdekurit mbajnë të gjallët

0
759

(E plotësuar)Të ftohtit dhe bora e dhjetorit ka mbuluar rajonin e Pejës. Rrugës për në Lug të Baranit varreza të dëshmorëve vërehen kudo. Ndonëse varret nuk shihen të mbuluara nga bora, ato dallohen nga flamujt që valojnë e simbolizojnë heronjtë. Nga treqind e njëzetë e katër dëshmorët (arsimtarë) e rënë gjatë luftës, gjendet edhe familja Gashi nga Buqani i Pejës. Në një shtëpi, që 13 vjet pas luftës nuk arriti të përfundohet për t’u bërë e banueshme, jeton gruaja që ka burrin dhe tre djem dëshmorë. Kosova, që sipas raportit të UNDP-së tregon që shumë qytetarë nuk kanë mendim të mirë as për proceset demokratike, institucionet në Kosovë, as për zhvillimet e përgjithshme ekonomike, duke përmendur papunësinë si problemin më të madh në Kosovë, për Zyba Gashin, nënën e dëshmorëve, është vend që premton shumë.

Ajo nuk pranon të kritikojë qeverinë apo partitë, edhe pse të hollat që merr nga të ardhurat që i takojnë si familje dëshmori, nuk i mjaftojnë. Përderisa Zybaja ka këtë mendim, hulumtimi i “Zërit” në agjencitë pranë ambasadave rezulton se deri në 5-6 të rinj që aplikojnë për viza iu ndihmojnë në ditë për plotësim të dokumentacionit. Qëllimi i këtyre të rinjve është që të ikin nga Kosova për një jetë më të mirë dhe mosha e tyre sillet kryesisht 18 deri 20 vjet.

90 për qind e atyre që ndihmohen për kurorë, rrëfehen në besim se kanë për qëllim të bëjnë kurorë sa për të marrë dokumentet e përhershme në vendin ku kanë gjetur punë dhe kanë shkuar përkohësisht, apo duan të shkojnë. Këta qytetarë i takojnë grupmoshave të reja deri në 30 vjet dhe si synim kanë Francën, e Gjermaninë më shumë.

 

Fotografia, motivi për të nisur ditën

Por, në moshën 65 vjeçare nënë Zybaja, që motiv për të nisur ditën ka katër fotografitë, atë të bashkëshortit dhe të tre djemve të saj, nuk mund të besojë se të rinjtë kanë ardhur deri në këtë pikë sa të ikin me të madhe nga vendi. Edhe pse e vetme iu desh të vazhdojë jetën pas luftës dhe të kujdeset për vajzën, kohë kjo kur ndihma që mori ishte vetëm një jorgan në emër të asaj që burri kishte qenë punëtorë arsimor, ajo e ka të vështirë të pranojë pakënaqësinë me shumë zhvillime në vend, pas luftës në Kosovë. Ky jorgan i ishte dhuruar më 7 Mars-Ditën e Mësuesit, përderisa e sheh të arsyeshme që më mirë do ishte që në vend të tij t’i vihej një kurorë bashkëshortit të saj tek varri, në mënyrë institucionale, me ato të holla, sesa të blihej një jorgan. Shteti për të cilin familja Gashi dha 11 dëshmorë, nuk duhet të shahet. Ai duhet të ndërtohet. Kjo është thirrja që nënë Zybaja ua drejton qeveritarëve dhe politikanëve. Edhe pse deklaron se “shkurt trup të vdekurit janë kah na mbajnë”, derisa flet për të ardhurat që merr si familje e dëshmorëve, ajo me gjithë gjendjen e saj, thotë se “nana nuk ankohet në këtë vend as për këtë shtet se ka dhënë tre djem dëshmorë”.

Megjithëkëtë, shpreh dëshirën ta shoh Kosovën më ndryshe. “Të punësohen të rinjtë që kanë mbetë rrugëve. Ata mund të hyjnë vend e pa vend se janë pa punë. Të rinjtë duhet të kenë të holla që të ndërtojnë jetën e vet dhe familjet e tyre”. Zybaja kërkon kujdes më të madh qeveritar për të rinjtë. Ajo shpjegon se nuk e ka të qartë si ndërtohen rregullat në këtë sistem qeverisës. “Si shembull po marr një nga djemtë e vëllaut. Ai ka diplomuar në letërsi shqipe për dy vjet, tash i thonë se duhet dhe dy vjet fakultet t’i kryejë, por ai s’mund ta bëjë këtë sepse nuk gjen punë me dy vjet për të kryer praktikën-dëshmi se puna që kërkohet si kusht për të vazhduar dy vjetet tjera të studimeve. Dhe tani ai nuk ka zgjidhje”.

Nëna e tre djemve dëshmorë: Nexhatit 24 vjeç, Musa 22 vjeç dhe Riza 19 vjeç, të cilët nuk lanë pasardhës, për Zybajen kanë lënë më shumë se kaq, lirinë që tash e gëzojnë fëmijët e Kosovës, thotë se lutet çdo ditë që qytetarët tjerë të Kosovës të gëzojnë lirinë dhe të përjetojnë të mirat e shtetit, ndërkohë rrëfen se si ranë në betejën e Lubeniqit të tre djemtë e saj dhe bashkëshorti të veshur në uniformën e UÇK-së si pjesëtarë të brigadës 135 “Agim Zeneli”. Ata po bartnin mbi 20 të plagosur në një vend të sigurt, e, ranë në pritë në Lubeniq, kurse Zybaja kujton se luftimet zgjatën tri orë, dhe u sulmuan edhe nga helikopterët.

Megjithëkëtë, një nga motrat e tyre e cila kur ata u vranë ishte në klasën e gjashtë të fillores, nuk arriti të vazhdonte shkollimin. Zybaja thotë se vajza e saj Servetja mbeti pa shkollë në mungesë të kushteve ekonomike dhe pakujdesisë institucionale për arsimimin e fëmijëve të arsimtarëve dëshmorë dhe tani është e papunë.

Kosova ende nuk është shtëpi në vete

E me gjithë gjendjen e saj, ajo mbështet dhe kunatën Florijen, e cila mbeti me dy fëmijë të vegjël pasi dhe bashkëshorti i saj Xhaviti ra dëshmor. “Gruaja e Xhavitit, kunata Florija tani jeton me mua, asaj nuk ia ndërtuan shtëpinë fare. Mbeti me dy fëmijët e vegjël”, thekson ajo derisa bën të ditur se njëherë ia patën ndarë gjoja ndihmat për t’ia ndërtuar shtëpinë, por më nuk kanë informacion se ku mbeti kjo ndihmë. “Ia patën shkru një shtëpi, por u hesht ajo punë më. Tani, për burrin marr rrogë të plotë. Për të tjerët marr 40-50 euro, por fjala dëshmor është më e madhe e tjerat po i lë anash”. Thotë se nuk do të përdhos emrin e dëshmorit dhe të shkojë të kërkojë lëmoshë. “Shumica e të hollave më shkojnë për barna…”.

Për të mbajtur veten, për të pasur një shtëpi siç e quan ajo dëshmori dhe që dy djemtë e kunatit të kenë strehë, e nipat e mbesat nga vajzat një kujtim nga prejardhja e nënës, ka hyrë kredi të ndërtojë shtëpinë. “Katin e parë mua ma dhanë ndihma ta ndërtoj, nuk mund të shërbeheshim në dy dhoma, fëmijët e kunatës janë rritur dhe hyra kredi me paret që marr si mbështetje sociale-familje dëshmori që ta bëj një shtëpi siç duhet për pasardhësit e dëshmorëve”. Ajo tregon se ishte shumë e lumtur kur djemtë e saj u anëtarësuan në UÇK. “Ne përjetuam dhe ditë të mira nën UÇK, unë nuk kisha frikë se u bëmë një dhe kur je një nuk ke frikë. Ashtu menduam se do të mbesim gjithmonë”.

Ndërsa sot thotë se biseda për veriun i dhemb shumë. “Edhe ata nuk janë të lirë sikur ne jemi këtu, ato barrikada që po bëjnë serbët, familjet që janë atje frikësohen, kanë fëmijë, ndodh gjithë çka na ndodhi neve, ndodh dhe atje. Kjo duhet ndalë”. Brengë e saj janë familjet e të zhdukurve. “Vuaj barazi me ato nëna, shumë më lehtë është t’ia dish varrin sesa të mos ia dish. Ne si familje patëm humbje boll, por ishalla gjaku i tyre del në dritë dhe këta që po rriten e gëzojnë si është më së miri dhe unë jam e kënaqur”. Ajo thotë se Kosova ende nuk është shtëpi në veti. “Shtetin e ka në dorë ende dikush tjetër, ishalla kur bëhemi shtet vetë , atëherë vjen puna më mirë”, thekson ajo duke iu referuar ndërkombëtarëve.

Lirimi i Ramushit e gëzoi, paraburgimi i Limajt e theu

Nëna e tre dëshmorëve thotë se si familje dëshmorësh e përjetuan me gëzim lirimin e Ramush Haradinajt. “Ne duhet të gëzohemi për luftëtarët. Jam gëzuar shumë kur ai (Ramushi) ka zbritur në aeroport, madje e pata vështirë t’i mbaj lotët. Edhe kjo ka qenë familje e vuajtur, me dëshmorë”. Ndërsa, thotë se e theu në shpirt akuzimi i Fatmir Limajt. “Shumë m’u dhimbs tani ky tjetri që e morën Fatmir Limaj. Ai po shihet si ka ndihmuar popullatën civile, në male, pra aty ku shihet shkolla e maleve me gjithë ata nxënës, gjithë ato familje, po shihet si ka qenë ngjarja”, thoshte ajo.

 

Nga Anita Kadriu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu