Të zbardhet e vërteta për likuidimet dhe burgosjet e ish-pjestarëve të UÇK-së

0
720

Burgu

Në Maqedoni është e domosdoshme zbardhja e të vërtetës së ish-ushtarëve të likuiduar të UÇK-së dhe burgosja e mbi 100 komandantëve të tjerë pas vitit 2001.

Kjo çështje theksohet nga Mitasin Beqir, profesori universitar i së drejtës penale dhe kriminologjisë.

Ai në një prononcim për INA nënvizon nevojën e diskutimit dhe alarmimit të kësaj çështje, që vite me radhë po heshtet në Maqedoni dhe asnjëherë nuk ka pasur një qasje serioze.

“Apelojë që është koha e fundit që të zbardhet e vërteta për likuidimin e ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) në Maqedoni, disa prej të cilëve në rrethana misterioze vdiqën edhe në burgje. Ndërsa si çështje e dytë është fati i 112 ish-komandantëve dhe ushtarëve të UÇK-së që u dënuan në procese të montuara dhe që po vuajnë dënime drakonike me burg. Sa kam qenë në detyrën e zyrtarit të lartë në Burgun e Idrizovës ku jam kujdesur për gjithë këta të burgosur”, theksoi për INA, profesor Mitasin Beqiri.

Sipas tij, duhet formuar një komision special apo gjykatë speciale që do të merret me hetimet e së kaluarës në Maqedoni dhe që shpërthyen tani me përgjimet e publikuara.

“Unë kam qëndrimin tim të qartë se duhet të zbardhen të gjitha rastet e kaluara përfshirë përgjime, skenare apo edhe krime ndaj shqiptarëve përmes proceseve të montuara, duke nisur nga ngjarjet e përgjimeve gjatë themelimit të Universitetit të Tetovës, rastin e Lubotenit, Sopotit, Vreshtat e Rashtakut, Brodeci, Smilkovci dhe të ndalen njëherë e përgjithmonë kurdisjet e proceseve të montuara”, deklaroi Beqiri.

Për gjitha këto raste dhe sidomos për rastin e fundit “Monstra” duhet të mbajnë përgjegjësi institucionet shtetërore, si Ministria e Brendshme, Prokuroria, Gjykatat, Avokati i Popullit.

“Të gjithë bartësit apo protagonistët udhëheqës të këtyre institucioneve kanë përgjegjësi dhe nuk mund t`i ikin ata përgjegjësisë, sidomos funksionarët shqiptarë të BDI-së, të cilët tani po tentojnë të shmangin përgjegjësitë e tyre që kanë”, theksoi profesori i së drejtës penale dhe kriminologjisë, Mitasin Beqiri, i cili njëherit është edhe anëtar i Kuvendit Qendror të PDSH-së. (INA)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu