Tema për Asociacionin në Bruksel do të jetë e dëmshme për Kosovën

0
89
Tema për Asociacionin në Bruksel do të jetë e dëmshme për Kosovën

Asociacioni i Komunave Serbe pritet të jetë njëra ndër temat kryesore në takimin e së enjtes mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, shkruan GazetaBlic.

Por, për t’u vënë kjo në tavolinë, pala kosovare ka vendosur një kusht, atë të njohjes reciproke.

Kështu ka thënë edhe këshilltari i kryeministrit Hoti, Xhavit Beqiri.

Ai ka deklaruar se Kosova do të të kushtëzojë zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë Serbe me njohjen reciproke.

Ai e konfirmoi këtë qëndrim për REL, para se ekipet e ekspertëve të të dyjave vendeve të takohen të enjten në Bruksel.

Se që do jetë kjo temë pjesë e këtij takimi mes Kosovës dhe Serbisë e ka paralajmëruar edhe i pari i vendit, Hashim Thaçi. Madje, ky i fundit e ka quajtur si të “rrezikshme”, pasi që sipas Thaçit, kjo temë cenon sovranitetin e Kosovës.

“Takimi i së enjtes është i rrezikshëm për shtetin e Kosovës dhe është agjendë e Serbisë”, ka deklaruar Thaçi ndër të tjerash me rastin e Vitit të Ri Hebarik, duke shtuar se rrezik tjetër është edhe krijimi i Republikës Serbe në Kosovë.

E, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, me këtë deklaratë të Thaçit s’duhet çuditur.

Në një pronocim për GazetaBlic, deputeti i kësaj partie, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se ky Asociacion ka qenë pikërisht i inicuar nga vetë Thaçi, e i nënshkruar nga ish-kryeminstri Isa Mustafa. Bulliqi ka theksuar se tema për Asociacionin në takimin në Bruksel do të jetë e dëmshme për Kosovën.

“Kjo temë nuk është e tanishme, pasi për të është diskutuar gjatë. Mustafa dhe presidenti Thaçi kanë nënshkruar një Asociacion të komunave në vitin 2013, gjersa verdikti i Gjykatës Kushtetuese pati konstatuar një sërë shkeljesh që janë bërë aty, e të cilin pati nënshkruar kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa dhe e kanë kthyer në një papajtueshmëri kushtetuese. Prandaj, kjo temë gjithsesi se do të jetë e dëmshme, për aryse se komunat me shumicë shqiptare e kanë një Asociacion, që merret me problemin e këtyre komunave. Duhet të mirren parasysh rekomandimet që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese”, thotë Bulliqi për Gazeta Blic.

Më tej, Bulliqi ka akuzuar të parin e shtetit se poashtu ka qenë iniciator edhe për krijimin e vijës kufitare.

“Kosova e ka një Asociacion të komunave dhe nuk duhet të bëhen lëshime për krijimin e Asociacioneve tjera me baza të komuniteve dhe gjithë ato komunat që kanë interesin të jenë pjesë e atij Asociacioni, i cili tashmë ekziston. Ata mund të fillojnë këtë temë, por gjithmonë duhet të jetë mbi bazë ligjore dhe pa cenuar kushtetueshmërinë e vendit. Thaçi dhe ish-kryeministrin Mustafa kanë qenë iniciatorë të këtij Asociacioni dhe njëkohësisht pothuasje kanë qenë të dy nënshkruesit dhe kanë ndikuar në krijimin e atij Asociacioni. Nuk është për t’u çuditur, pasi presidenti Thaçi shpesh i ndërron qëndrimet varësisht nga situata. Ai ka qenë iniciator kryesor i ndryshimit të vijës kufitare, e tani paraqitet si mbrojësi kryesor i mosndryshimit të asociacionit. Këto mendimet të tij gjithmonë janë hasur në kundërshti”, ka thënë Bulliqi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu