Thaçi “bllokon” helikopterët

0
680

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është duke e mbajtur peng themelimin e Njësitit të Helikopterëve, i cili, është paraparë që të veprojë nën ombrellën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht Policisë së Kosovës.

Ka me muaj të tërë që shefi i qeverisë kosovare nuk po e nënshkruan dokumentin me të cilin mundësohet formësimi i këtij njësiti, përkatësisht Rregulloren për Njësitin e Helikopterëve të Policisë së Kosovës, pavarësisht se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, përfshirë edhe infrastrukturën teknike.

Në tetor të vitit 2011, në Ministrinë e Punëve të Brendshme është themeluar Grupi Punues i cili është përbërë kryesisht prej pilotëve kosovarë dhe ekspertëve të aviomekanikës (motorëve të helikopterëve).

Ky Grup Punues, që është kryesuar nga piloti i parë kosovar, Ali Aliu, ka hartuar rregulloren për themelimin, organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në njësitin e helikopterëve.

Zëvendësministri i Brendshëm, Ismet Ibishi, thotë se është punuar intensivisht që të themelohet njësiti në fjalë, janë hartuar shumë rregullore, ngase siç thotë ai, nevojiten shumë të tilla, por në fund “vizën” këtij njësiti duhet t’ia japë kryeministri i vendit.

“Mendoj se problemi është te buxheti. Sa na përket neve mendoj se çdo gjë është e përfunduar. Dokumenti është te kryeministri, ma merr mendja që edhe ai është i interesuar që ta nënshkruajë, sepse, nga bisedat që i kam pasur me ministrin (Bajram Rexhepi) më ka thënë se kemi probleme me buxhet”, thotë ai.

Sipas tij, ekspertët e helikopterëve kanë punuar një vit e tre muaj, dhe ka arritur që ta hartojë tërësisht infrastrukturën për këtë njësit, përfshirë edhe lokacionin, pistën, hangarin dhe  organogramin e stafit të nevojshëm për të filluar punën.

Por, duket se eksiton një arsyetim tjetër nga ai i kryeministrit Thaçi.

Burime të “Zërit” të afërta me procesin, thonë se shefi i qeverisë ka marrë udhëzim prej ndërkombëtarëve që të mos nënshkruajë dokumentin që i hap rrugë themelimit të Njësitit të Helikopterëve, ngase, një gjë e tillë mund t’i provokojë serbët.

“Kryeministrit i është thënë se nëse Kosova do ta ketë Njësitin e Helikopterëve ata domosdoshmërish do të fluturojnë mbi veri në kohën kur bëhet transporti i policëve dhe doganierëve, dhe kjo mund t’i nxisë serbët që të reagojnë ose ta acarojnë situatën”, ka thënë burimi i gazetës.

Nga ana tjetër, Bekim Çollaku, këshilltar i kryeministrit, thotë se nuk është i informuar saktësisht për çështjen në fjalë, por ai thekson se nëse themelimi i Njësitit të Helikopterëve nënkupton implikime buxhetore, atëherë kjo është arsyeja e vetme pse kryeministri nuk e ka nënshkruar ende dokumentin që i hap rrugë themelimit të njësisë.

“Personalisht s’jam në dijeni, s’e di çka përmban rregullorja dhe se di kur ka ardhur te kryeministri, por nëse Njësiti i Helikopterëve nuk është pjesë e buxhetit për këtë vit, ajo nuk ka se si të bëhet, ajo mund të nënshkruhet vetëm në rishikim, nëse gjatë verës bëhet rishikimi i buxhetit. Nëse Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka paparë buxhet për blerjen e helikopterëve, atëherë natyrisht që rregullorja s’ka logjikë të nënshkruhet”, thotë ai.

Për këtë njësit nuk është ndarë fare buxhet për vitin 2013, edhe pse MPB-ja ka kërkuar një gjë të tillë.

“Nuk është futur në buxhet të këtij viti, është lënë mundësia që të diskutohet gjatë rishikimit të buxhetit për shkak të kostos së lartë financiare që e ka finalizimi i njësitit. Përderisa ana ligjore për funksionimin e njësisë është aprovuar, po ashtu është paraparë në kuadër të strukturës organizative të policisë funksionalizimi i njësitit nuk mund të bëhet deri në gjysmën e dytë të këtij viti, kur të rishikohet buxheti, apo edhe vitin e ardhshëm edhe vitin e ardhshëm, varësisht prej buxhetit”, thotë Fisnik Rexhepi, këshilltar i ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi.

Por, eksperti i sigurisë, Florian Qehaja, thotë se pikërisht fakti se nuk është paraparë buxhet për Njësitin e Helikopterëve ka bërë që të dështojë formësimi i këtij njësiti.

“Mund të them se këtu është bërë një gabim në buxhetim për vitin 2013, sepse është më se e vërtetë që nuk është buxhetuar blerja së paku e një helikopteri. Tash pse ka ardhur deri te kjo, nuk i di arsyet, por në asnjë mënyrë nuk do t’i justifikojë. Kosova pas pesë vjet pavarësie është i vetmi shtet në rajon i cili nuk ka asnjë helikopter transportues dhe në shërbim të institucioneve të shtetit, në këtë rast të policisë por as të FSK-së. Kosova gjithashtu nuk ka as helikopter që do ta përdorte për qëllime humanitare”, nënvizon ai.

E ndërkaq, njëri nga pilotët kosovar që ka marrë pjesë në Grupin Punues për hartimin e rregulloreve për themelimin e Njësitit të Helikopterëve, Bujar Gosalci, thotë se është nevojë jetike që Kosova ta ketë këtë njësi.

“Dobitë që do t’i ketë jo vetëm policia por i tërë populli janë të shumta. Të gjitha janë përfshirë në rregullore, siç është kontrolli i kufirit nga ajri, që do të jetë një lehtësim i madh kundër kontrabandës me mallra edhe njerëz, do të ishte një goditje shumë e rëndë për krimin. Pastaj, kontrollimi i komunikacionit nga ajri me të cilën parandalohen aksidentet që po na tmerrojnë çdo natë në lajme. Për kërkim dhe shpëtim helikopterët janë një mjet i pazëvendësueshëm”, thotë ai.

 

Helikopterët kursejnë buxhetin!

Piloti kosovar, Bujar Gosalci, thotë se do të jetë shumë më lirë për buxhetin e vendit luftimi i krimit të organizuar dhe kontrabandës dhe kërkim-shpëtimit me helikopter sesa me mjete tokësore.

“Një studim që e kanë bërë anglezët, kërkim-shpëtimi për një sipërfaqe prej një mile katrorë që i bie dy kilometra e gjysmë katror nevojiten diku 454 orë pune të njeriut në këmbë. Krejt kjo mund të bëhet me helikopter për dymbëdhjetë minuta. Nëse 454 orë pune të njeriut, nëse është mesatarisht paga për orë është dy euro bëjnë nëntëqind euro. E dymbëdhjetë minuta me helikopter janë më pak se njëqind euro”, thotë ai.

Nga Jeton Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu