‘Thaçi e trajton shtetin si treg, e pushtetin si korporatë personale’

0
705

Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar Qeverinë e Kosovës, përkatësisht kryeministrin, Hashim Thaçi, për siç thonë ata zaptimin e sistemit financiar në Kosovë, ku nesër pritet të votohet Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, ndërsa në garë janë Bedri Hamza dhe Gani Gërguri. Duke e parë si pretendentë kryesor, Hamzën për tu zgjedhur, Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes nuk do të qëndroj në sallë fare.

Në një konferencë për media të mbajtur ditën e mërkurë, Dardan Sejdiu ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës, që nga mandati i parë i Hashim Thaçit e deri më sot i ka trajtuar institucionet e pavarura si pengesa në realizimin e qëllimeve të tyre final.

Sipas tij ky qëllim është kapja e plotë dhe pakompromis e shtetit.

Sejdiu thotë që ky avaz dhe ky qëllim tanimë janë bërë plotësisht të qartë dhe të hapura edhe për publikun, sepse siç ka thënë ai nuk ka fshehje më, duke filluar nga emërimi i kryetarit të Bordit të AKP-së e deri te tentativa e emërimit të guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për cilën post garon Bedri Hamza, i cili deri para pak javësh ishte ministër i Financave në Qeverinë e Hashim Thaçit, për më shumë i njëjti numëronte vota në Kongresin e PDK-së.

Për më tepër ai ka shtuar se për ata që merren me biznes dhe ekonomi e kanë shumë të qartë se një biznes dhe ekonomi duhet rritur pjesëmarrjen e vet në treg, në mënyrë që të siguroj sa më shumë fitim për veti dhe me këtë fitim të vazhdoj rritjen e mëtutjeshme në treg.

Por sipas Sejdiut, kryeministri Thaçi së bashku me shokët e tij e kanë përvetësuar këtë logjikë shumë mirë, ndërsa në vend se të i ndihmojnë sektorit privat me politika fiskale dhe ekonomike për tu rritur ky sektor, këta e kanë ngulfatur sektorin dhe e kanë kuptuar shumë mirë se si bëhet rritja e forcës dhe fuqisë së tyre.

“Pra është e qartë se Hashim Thaçi dhe klika e tij në PDK e trajton shtetin si treg, ndërsa pushtetin si korporatë personale, fuqia e së cilës rritet dita e ditës duke zaptuar institucionet e pavarura të Republikës së Kosovës dhe tentativa e radhës është kapja e atij institucioni i cili ka mbetur pa kapure kjo është Banka Qendrore e Republikës së Kosovës”, ka theksuar Sejdiu.

Ai ka thënë se me kapjen e këtij institucioni, kapet edhe institucioni i cili mundëson zgjerimin e institucionit tij edhe në industrinë financiare, gjë që i ka munguar deri më tash në portofolin zaptuese.

Banka Qendrore e një vendi ashtu siç parashihet në direktivat e BE-së, përkatësisht neni 30 duhet të jetë e pavarur, përveç tjera nga çfarëdo presioni, këshillimi apo edhe ndikimi nga Qeveria apo cili do organ tjetër në vendimmarrjen e saj.

Aktivisti i kësaj lëvizje ka thënë se Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës ka një industri që ka në funksion të vetin rreth 2.5 miliardë euro, ndërsa në këtë vend po vjen një njeri, i cili është politik dhe jo profesionit.

Për këtë qëllim Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, nuk do të qëndroj fare në seancën e nesërme, kur do të votohet për guvernator.

“Kështu siç kemi thënë edhe më herët dhe po përsërisë Grupi i ynë Parlamentar nuk do të qëndrojmë në sallë të Kuvendit për të legjitimuar kapjen e mëtutjeshme të shtetit prej këtyre zaptuesve të këtij vendi. Lëvizja Vetëvendosje nuk do të legjitimoj zaptimin e industrisë financiare nga kjo qeverisje që shtetin e trajton si treg dhe pushtetin si korporatë e tyre personale”, ka thënë ai.

Lëvizja Vetëvendosje ka dhënë edhe një biografi të Bedri Hamzës, ku në të thuhet se ai është emëruar ministër i Financave në 2011, para kësaj për tri vite ka qenë zëvendësministër dhe dora e djathtë e Ahmet Shalës, atë kohë ministër i Ekonomisë dhe Financave.

Në të njëjtën kohë ka qenë nënkryetar i PDK-së në Mitrovicë dhe shef i departamentit në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së.

Nga viti 2000 deri 2003, Bedri Hamza ka qenë drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Mitrovicës, i vendosur aty si emëruar politik nga PDK-ja.

Prej vitit 1990 deri 1998 ka punuar në biznes privat, ndërsa 1987-1990 ka punuar Udhëheqës i Kontabilitetit dhe Financave në Metalurgjinë e Plumbit të Kombinatit Trepça.

Ndryshe, nesër pritet të votohet për Guvernatorin e BQK-së, ku në garë janë Bedri Hamza dhe Gani Gërguri, i cili aktualisht është guvernator. Gjasat më të mëdha janë që Hamza të zgjidhet për këtë post.

Ndërkohë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur që do të lëshoj seancën, kur do të votohet, ndërsa AAK-ja ka deklaruar se do të qëndroj në seancë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu