Thaçi e Veteranët kërcënojnë Kryesinë

0
650

Nëse Kryesia e Kuvendit të Kosovës të hënën (sot) nuk e procedon ligjin për vlerat e luftës për rend ditë në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës, veteranët e UÇK-së, do të protestojnë të enjten para Kuvendit gjatë mbajtjes së seancës. Kështu ka paralajmëruar, kreu i organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemjali.

“Ne po shpresojmë që do të hyjë në rend dite dhe do të kryhet njëherë e mirë, në të kundërtën veteranët të enjten do të protestojnë para Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Xhemajli.

Ndërsa, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se nëse kryesia e Kuvendit nuk e procedon këtë projektligj për të enjten, atëherë ai do ta thërrasë një seancë të jashtëzakonshme për të kërkuar miratimin e ligjeve. Edhe Thaçi, por edhe të tjerët, janë kundër kërkesës së LDK-së, që në kuadër të ligjit të futet edhe amendamenti që njeh ish-Ministrinë e Mbrojtjes si ush-udhëheqëse e UÇK-së.

“Unë dua të shpresojë dhe besoj fuqishëm se ligji për UÇK-në, do të hyjë në rendin e ditës, nuk ka as edhe një arsye më të voglën për t’u shtyrë kjo çështje”, ka thënë kryeministri Thaçi. Sipas tij, në rast se nuk futet në rend të ditës nesër, “atëherë unë do të thërrasë një mbledhje të jashtëzakonshme të Parlamentit të Kosovës”.

“Në këtë mbledhje të jashtëzakonshme do të kërkojë që ky ligj të kalojë sa më shpejt që është e mundur. Ligji për Veteranët e Luftës, është ligj i veteranëve të luftës, i punuar prej tyre, në konsultim me ngushtë me zyrën time, i iniciuar nga unë, tani ka edhe mbështetjen e plotë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe askush nuk ka të drejtë ta politizoj për çështje të politikës ditore apo elektorale”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, veteranët janë të të gjitha partive politike dhe asnjë ushtari të UÇK-së nuk do t’i mohohet kontributi as edhe një minutë, kushdo që të jetë. Ndërkaq, lidhur me amendamentet e LDK-së, që nëse nuk hyjnë në këtë ligj ata kanë paralajmëruar kushtëzimin për këtë çështje, Thaçi tha se “Ligji përshkruan realitetin e luftës të UÇK-së dhe jo historikun e partive politike”, ka thënë Thaçi.

Edhe kreu i organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemjali tha se është kundër propozimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. “Propozimet e LDK-së që të futet në këtë ligj edhe ministria e mbrojtjes janë të pa pranueshme. E kam thënë edhe më herët dhe po e përsëris që UÇK nuk ka qenë në kuadër të ministrisë së mbrojtjes. Nëse do, LDK le ta bëjë ligjin për ministrisë e mbrojtjes, por në këtë ligj nuk duhet të futet assesi kjo ministri”, ka thënë Xhemajli.

Ndërkaq, njëri nga drejtuesit e UÇK-së, deputeti Rexhep Selimi shpreson ligji për veteranët do të vijë këtë javë në Kuvend. “Veteran jam edhe unë, ishin edhe ata që 60 ditë qëndruan në tendë para 2 vitesh, veteran janë edhe këta që janë sot në krye ta organizatave të dala nga lufta. Por, sidoqoftë po e pranoj që veteranët janë nervoz që ligji po vonohet për 6-7 ditë. Me aq sa unë di edhe në përputhje me agjendën e kuvendit ky projektligj do të vie në javën që po futemi në seancë. Besoj që edhe ata që janë kërcënuar me protesta e dinë se do të hyjë në rend dite”, ka thënë Selimi.

Sipas tij, ky kërcënim i veteranëve nuk dihet se në llogari të kujt është bërë. “Do të miratohet dhe veteranët do ta kenë ligjin. Ky kërcënim nuk duket real dhe i sinqertë për shkak se më shumë shkon në favor të kryeministrit se sa në kërkesën e tyre për miratim”, ka thënë ai. Selimi ka shtuar se LDK-ja ka bërë një amendament ku kërkon që futet ministria e mbrojtjes si udhëheqëse e Luftës çlirimtare në Kosovë, amendament të cilin, ai tha se nuk e pranon.

“Këtë amendament nuk do ta përkrah e as votoj sepse mendoj që nuk është i drejtë sepse UÇK-ja është udhëhequr nga Shtabi i Përgjithshëm i saj, keq e mirë, sido që e ka udhëhequr nuk ka pasur organ tjetër që e ka udhëhequr luftën”, ka thënë Selimi.

Kreu i Këshillit për Mbrojtjen e veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi ka thënë se ky ligj duhet të miratohet sa më shpejtë që është e mundur. “Ky ligj është për uniformën e UÇK-së dhe duhet të jetë për të gjitha ta që e kanë veshur këtë uniform pavarësisht bindjeve të tyre politike”, ka thënë Qeriqi, duke shtuar se kërkesat e veteranëve janë shumë të arsyeshme.

“Ne po shpresojmë që do të hyj në rend dite dhe do të kryhet njëherë e mirë, në të kundërtën veteranët të enjten do të protestojnë para Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Xhemajli.

 

Nga: Fadil Sertolli


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu