Thaçi injoron Krasniqin

0
845

(E plotësuar)Kryeministri Hashim Thaçi ka injoruar kryetarin e Kuvendit Jakup Krasniqi, të cilin ka “harruar” ta takojë për ta informuar rreth takimit që ka zhvilluar ditë më parë me homologun e tij serb, Ivica Daçiq. Shefi i qeverisë kosovare, ndonëse është treguar i kujdesshëm me presidenten e vendit, Atifete Jahjaga, kryeopozitarin Isa Mustafa e nënkryetarin e AAK-së, Blerim Shala, të njëjtën “zemërgjerësi” nuk e ka treguar edhe me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, i cili është edhe bashkëpartiak i Thaçit.

 

Kjo shpërfillje e Thaçit në raport me Krasniqin shihet nga analistët politikë si “hakmarrje” e cila rezulton po ashtu në përçarjet e thella që kanë ndodhur dhe po ndodhin përditë në PDK, ndërmjet krahut të Thaçit dhe vetë Krasniqit. Ky i fundit, i pyetur nga “Zëri” se pse ju ka “harruar” kryeministri Hashim Thaçi, ai është përgjigjur shkurt: “Për këtë pyeteni Hashim Thaçin”.

 

Drejtori i Klubit për Politikë të Jashtme, Alban Bokshi, mostakimin e kreut të Kuvendit nga ana e kryeministrit e lidh kryekëput me marrëdhëniet e acaruara ndërmjet tyre. “Tash ata dy i kanë raportet e acaruara, është e pritshme që ta anashkalojë sidomos duke marrë parasysh mënyrën e të bërit politikë të Hashim Thaçit. Sepse një udhëheqës të themi “normal” në një vend “normal” e takon edhe kundërshtarin politik, sepse ia kërkon detyra”, ka thënë Bokshi.

Ndërkaq, ka shtuar se kryeministri me këto takime po mundohet ta imponojë një pasqyre të normalitetit në vend, kur është e qarte se situata nuk është normale. “Mostakimi i kryeparlamentarit reflekton mosnormalitet institucional”, ka thënë Bokshi.

E ndërkaq, njohësi i zhvillimeve politike, Avni Zogiani, thotë se injoranca e kryeministrit kosovar që është treguar karshi kryeparlamentarit është një tregues i thyerjeve të thella mes Thaçit dhe Krasniqit. “Kjo flet edhe për thyerjet e thella mes Thaçit dhe Krasniqit që kohëve të fundit janë shfaqur edhe publikisht”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo shkon edhe përtej përplasjeve ndërmjet tyre, që është një tregues se si Qeveria nuk e bën “hesap” organin më të lartë ligjvënës. “Thaçi e ka bërë këtë injorim të Krasniqit në mënyrë të qëllimshme, pasi që është Kuvendi ai që po i shkakton probleme kryeministrit. Thaçi e di mirë se me presidenten s’mund të ketë ndonjë problem , pasi që ajo s’ka as pozicion politik, por Kuvendi në vazhdimësi po i shkakton probleme qeverisë, prandaj edhe e ka bërë këtë injorim”, ka vlerësuar Zogiani.

 

Kryeministri Hashim Thaçi me t’u kthyer nga Brukseli, i entuziazmuar gjatë gjithë ditës së hënë ka pasur një agjendë të ngjeshur, duke takuar veç e veç presidenten Jahjaga, kryetarin e LDK-së Isa Mustafa, nënkryetarin e AAK-së Blerim Shala, ambasadorët e shteteve të Quint-it dhe në orët e mbrëmjes e ka njoftuar edhe kryesinë e partisë së tij, por jo edhe kryekuvendarin Krasniqi, i cili merret vesh se ka marrë pjesë në mbledhje të kryesisë së PDK-së.

Deputeti nga partia në pushtet, Nait Hasani, këtë mostakim të drejtuesve institucionalë, të cilët janë edhe bashkëpartiakë, nuk e sheh si ndonjë tendencë të Thaçit për ta injoruar Krasniqin, por sipas tij, “sigurisht kryeministri e ka harruar këtë çështjen e takimit informues të kryeparlamentarit duke menduar se e ka në parti”. I pyetur se kjo injorancë e Thaçit në raport me Krasniqin mos është bërë në shenjë hakmarrjeje rreth gjithë asaj që ka ndodhur javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës , ku bashkëpariakët e PDK-së u përplasën aq fort ndërmjet veti saqë nuk kursyen fjalë akuzuese duke i thënë njëri- tjetrit edhe rrugaç, Hasani mohon që kjo çështje të ketë ndërlidhje me zhvillimet e fundit në Legjislativ.

Mirëpo, një mendim më ndryshe ka shfaqur deputeti nga LDK-ja, Sadri Ferati, sipas të cilit, patjetër është dashur të takohet edhe shefi i Kuvendit, pasi që baza e krijimit të legjitimitetit të qëndrueshëm është Kuvendi. “ Në çdo shtet të botës, kryetari i Kuvendit gjithmonë duhet të njoftohet zyrtarisht për proceset e rëndësishme dhe në këtë drejtim të jetë në rrjedha. Prandaj mendimi im personal është se është dashur të takohet edhe kryekuvendari në kuadër të takimeve informuese që ka zhvilluar Thaçi për takimin që ka pasur me kryeministrin serb, Ivica Daçiq”, ka thënë Ferati.

Ahmet Isufi nga AAK, ndërkaq ka thënë se kryeministri duhet të takohet me të gjithë spektrin institucional dhe politik nëse do të ketë konsensus dhe të mund t’ia arrijë qëllimit. “Është çështje e agjendës se kryeministrit se si ai ka menduar ta menaxhojë këtë proces, megjithatë duhet të pyetet kryeministri se pse nuk e ka takuar Krasniqin”, ka thënë Isufi.

E ndërkaq numri dy i qeverisë kosovare, Hajredin Kuçi, i pyetur nga gazeta “Zëri” se a është dashur shefi i tij në kuadër të takimeve informuese për takimin me Daçiqin ta njoftojë edhe kryekuvendarin Krasniqi, ka thënë: “Kryeministri ka dërguar letër në Kuvend ku ka shprehur gatishmërinë që ta informojë edhe Kuvendin”.

 

Nga Lumturie Blakaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu