Thaçi kishte shmangur përgjigjet për akuzat ndaj Limajt

0
643

Hasha e Lima

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk i kishte përfillur fare 7 pyetjet e Prokurorit të Prokurorisë Speciale, kur ky i ofroi mundësi që me shkrim të përgjigjet rreth akuzave për korrupsion në ish-Ministrinë e Transportit.

Prokurori i EULEX-it, Johannes Pickert, duke privilegjuar kryeministrin Thaçi, i kishte dhënë mundësi që me shkrim ta japë dëshminë e tij, ani pse një veprim i tillë është në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, meqenëse dëshmitë jepen gojarisht.

Në këtë letër prokurori e kishte pyetur Thaçin se nga kush e kishte pranuar dokumentin me SMS-ët inkriminues për Fatmir Limajn dhe detaje të tjera për këtë. Kryesisht në bazë të tyre edhe është ngritur aktakuza për Limajn dhe të tjerët. Por, kryeministri i kishte kthyer një përgjigje të shkurtër dhe të përgjithësuar rreth pyetjeve të prokurorit apo me mire te thuhet, as mohuar por as se kishte pohuar.

Në letrën që e ka siguruar KTV-ja, kryeministri kishte thënë se merr shumë letra anonime që i lexon stafi i tij, por edhe të tilla që Thaçi i lexon vetë, sikurse kishte bërë me letrën me SMS-ët e Limajt. “Në të shumtën e rasteve, letrat e tilla hidhen si të pavlera, mirëpo në rast se ka ndonjë letër me përmbajtje të ndonjë rëndësie për ndonjë person, apo individ i cili punon për Qeverinë e Kosovës, atëherë unë atë letër dhe përmbajtje ia përcjelli individit të apostrofuar. Pikërisht një letër e tillë anonime ka qenë edhe letra për të cilën ju keni kërkuar sqarime nëpërmjet shkresës tuaj zyrtare”. Në këtë letër ai nuk kishte përfillur as afatin e vënë nga prokurori që ishte 14 maji i 2012-ës, por e kishte shkruar më 15 maj, e në Prokurori kishte arritur më 16 maj. Por, në fakt, letrat që shkojnë në Kryeministri duhet të protokollohen dhe të arkivohen.

KTV-ja ka pyetur në Qeverinë e Kosovës se a mund të dorëzohet një letër anonime te Zyra e Kryeministrit, por recepsionisti ka thënë se kjo nuk është e mundur. Në versionin final të aktakuzës, prokurori i EULEX-it tashmë ka larguar Thaçin nga lista e dëshmitarëve gjatë shqyrtimit kryesor. EULEX-i nuk ka qenë në gjendje të përgjigjet për këto shkelje të Prokurorit gjatë fazës së hetimeve dhe pastaj për një nga rastet më të bujshme në publik.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu