“Thaçi kryeministër, Haradinaj president”

0
427

Drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës e kanë gjetur “formulën” se si ta ndajnë pushtetin me AAK-në.

Drejtuesit e partisë më të madhe në vend janë të gatshëm që liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt, t’i ofrojnë postin e të parit të vendit, ndërsa postin e kryeministrit ta vazhdojë ta mbajë kreu i PDK-së, Hashim Thaçi.

Njëri nga deputetët e PDK-së, Haki Krasniqi, i cili njëherësh është edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, ka thënë për “Zëri” se maksimumi që PDK-ja do të mund t’i ofroj Aleancës nga postet udhëheqëse është pozita e kryetarit të vendit.

“Përndryshe, të tjerat na largojnë në bisedime, e pengojnë futjen e partnerit të ri në koalicion, edhe kjo nuk mund të bëhet fare”, thotë Krasniqi.

Por, në Partinë e Haradinajt, Presidenca as që merret parasysh si opsion, ndërsa kryeministria mbetet “çelësi” që Aleanca të hyjë në koalicion me PDK-në.

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Avni Arifi, thotë se Aleanca nuk ka bërë ultimatum e as kërkesë zyrtare për bashkëqeverisje, por vetëm se është duke e dhënë ofertën e saj për qeverisje, me të cilën pretendohet që të jetësohet, siç thotë ai, koncepti qeverisës i Haradinajt.

“Kjo është një ofertë. Nëse është e interesuar Partia Demokratike e Kosovës atëherë kjo do të ndodhë. Nëse nuk shohin interes, parimet tona opozitare mbesin të qarta, ne mbesim parti opozitare, mbështesim qeverinë në çështjet që janë mbipartiake, siç janë bisedimet me Serbinë, reforma zgjedhore, dhe integrimet në mekanizmat ndërkombëtarë”, thotë Arifi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu