Thaçi kthehet nga SHBA pa u takuar me Obamën

0
643

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, me gjasë do ta përfundojë vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pa e takuar numrin një të këtij shteti, Barak Obama.

Para nisjes drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeveria e Kosovës kishte njoftuar se Thaçi ka udhëtuar drejt SHBA-ve me ftesë të Shtëpisë së Bardhë, ku do të ketë takime me zyrtarët më të lartë shtetërorë amerikanë.

Sido që të jetë, pritjet e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, të cilët në kushte anonimiteti kanë proklamuar një takim Thaçi–Obama, nuk kanë dalë të sakta.

Por, delegacioni i Kosovës të enjten në Washington ka takuar Zëvendëspresidentin amerikan Joseph Biden, i cili kishte rezervuar një pritje për Thaçin në Shtëpinë e Bardhë edhe gjatë vitit 2010.
Sipas një kumtese, në takim është rikonfirmuar mbështetja e “fuqishme dhe e gjithanshme e SHBA-ve për Republikën e Kosovës”.

“ Në këtë kuadër, zëvendëspresidenti Biden ka vlerësuar lart lidershipin e kryeministrit Thaçi në procesin e shtetndërtimit dhe integrimit të Kosovës në institucionet euroatlantike”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

“Zëvendëspresidenti Joseph Biden e përgëzoi Kryeministrin Thaçi për lidershipin e tij në marrjen e vendimeve të guximshme dhe të duhura në interes të Kosovës. Z. Biden e siguroi Kryeministrin Hashim Thaçi se SHBA-të do të vazhdojnë të mbesin thellësisht të angazhuara në Kosovë dhe do kërkojnë zbatimin e marrëveshjeve të arritura”, theksohet në njoftim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu