Thaçi mund ta çojë vendin në zgjedhje

0
608

Hasha

Mundësia për mbajtjen e zgjedhjeve të reja ende nuk është evituar. Marrëveshja e arritur në mes PDK-së dhe LDK-së për bashkëqeverisje, sado që teorikisht e ka shmangur këtë opsion, në kuptimin praktik e ka lënë të hapur atë. Kjo për faktin se ende nuk dihet se si do të akomodohet shefi i PDK-së, Hashim Thaçi.

Në rast se ai nuk e siguron ardhjen në krye të shtetit, atëherë, e gjithë marrëveshja mund të bie poshtë. Të paktën këto janë vlerësimet e njohësve të rrethanave politike në vend, sipas të cilëve për shkuarjen në zgjedhje të reja duhet të ketë pajtim si nga ana e vendorëve ashtu edhe të faktorit ndërkombëtar.

“Çështja e zgjedhjeve në Kosovë varet edhe prej faktorit vendor, partive politike dhe liderëve, por edhe prej bashkësisë ndërkombëtare. Në këtë kontekst pra nuk ka pas vullnet të partive politike e as të bashkësisë ndërkombëtare që të shkohet në zgjedhjet e reja, prandaj edhe ky opsion pothuajse ka qenë inekzistente”, ka thënë Artan Muhaxhiri për Tribunën.

Sipas tij krijimi i koalicionit në mes të PDK’së dhe LDK’së i kanë dhënë edhe një vulë tjetër të fortë formimit të institucioneve, por pa mbajtjen e një palë zgjedhjeve të reja.

“Duket e pamundur që të kemi zgjedhje të reja pasi që do të shkatërrohej e gjithë cka është arritur deri më tash, dhe do të hynim në një spiralet re të problemeve me të cilat jemi ballafaquar gjatë këtyre gjashtë muajve të fundit”, ka thënë Muhaxhiri.

I të njëjtit mendim është edhe analisti politik, Imer Mushkolaj, sipas të cilit tashmë zgjedhjet nuk shihen si opsion, ndonëse kemi kërcënime nga ana e liderit të LDK’së, Isa Mustafa se në rast se LDK nuk udhëheq me Qeverinë, atëherë kjo e fundit do t’i japë fund marrëveshjes me partinë e Thaçit.

“Ky është vetëm një kërcënim i Zotëri Mustafës e nuk duhet të merret seriozisht. Puna e këtij koalicioni është punë e kryer nga perspektiva ime dhe mbeten tash që të rregullohen çështjet brenda tij”, ka thënë Mushkolaj.

Sipas tij, mbajtjen e një palë zgjedhjeve të reja nuk e favorizojnë as kushtet atmosferike, të cilat në këtë fazë të vitit nuk janë të përshtatshme për mbajtjen e tyre. Mirëpo gjithçka mund të ndryshojë, sipas Mushkolajt, atëherë kur vihet në pikëpyetje akomodimi i Thaçit në kohën kur LDK pretendon që për herë të parë në historinë e pasluftës së Kosovës, të marrë pozitën e kryeministrit, përcjell Express.

“Zgjedhjet mund të mbahen vetëm nëse këto i konvenojnë dikujt shumë personalisht. E në këtë rast mbase nuk gjendet një akomodim politik i Thaçit gjatë dy viteve të ardhshme kur supozohet se ai mund ta marrë postin e presidentit. Nëse ai e sheh të arsyeshme ta çojë vendin në zgjedhje të reja, ky është fakti i vetëm që vendi t’ju nënshtrohet një palë zgjedhjeve të reja”, ka theksuar Mushkolaj.

Që vendi të shkojë në zgjedhje duhet që së pari deputetët ta votojnë shpërbërjen e Kuvendit, ashtu siç bënë më 7 maj të këtij viti dhe pas kësaj presidentja Jahjaga cakton datën e zgjedhjeve, e cila duhet të jetë së paku 30 ditë nga shpërbërja e Kuvendit. Pas mbajtjes së zgjedhjeve bëhet certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve i cili po ashtu merr rreth një muaj kohë. Gjasat që Kosova të shkojë në zgjedhje brenda Janarit janë minimale.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu