Thaçi përgatit “terrenin” për AAK-në

0
676

(E plotësuar) Dorëheqja e ministrit të Financave, Bedri Hamza, nuk mund të konsiderohet vetëm si dorëheqje personale ashtu siç deklaroi ministri në ikje. Kjo dorëheqje, që është e para në nomenklaturën qeverisëse të kryeministri Hashim Thaçi, po shihet edhe si krijim i infrastrukturës për hyrjen në qeveri të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradinajt.

Pavarësisht deklaratave, ikja e Hamzës, njeriut më të dëgjueshëm të Thaçit, mund të konsiderohet edhe si riformatim apo si relaksim i qeverisjes me kuadro të reja dhe parti të reja.

Burime të afërta me zhvillimet në Qeveri kanë thënë për “Zërin” se Thaçi përveç që dëshiron t’i akomodojë mirë të dëgjueshmit e tij, ai po tenton që të përfshijë AAK-në në qeverisje.

Zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Ramadan Avdiu, fillimisht ka thënë se nuk ka paralajmëruar dorëheqje dhe se është duke vazhduar punën në funksionin e tij. Ai ka thënë se dorëheqja e ministrit Hamza nuk lidhet assesi me riformatimin e qeverisë apo përgatitjen e terrenit për koalicion me AAK-në.

“Ministri ka dhënë dorëheqje për shkaqe private, familjare, besa edhe shëndetësore”, ka thënë Avdiu.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se dorëheqjet e djeshme nuk nënkuptojnë riformatizim të qeverisë, kjo për faktin se nuk janë sqaruar sa duhet këto dorëheqje. Mirëpo, AAK e ka paraqitur ofertën e vet për të udhëhequr qeverinë.

“Nuk mund të themi që kryeministri është duke përgatitur terrenin për koalicion pas këtyre dorëheqjeve, por ajo që mund të them se AAK është duke pritur që këto ditë të kemi arritjen e një marrëveshje për bashkëqeverisje. Mirëpo kjo dorëheqje assesi nuk lidhet me qeverinë e cila në të ardhmen do të udhëhiqet nga Ramush Haradinaj”, ka thënë numri dy i AAK-së.

Isufi ka thënë se koalicioni i mundshëm me PDK-në nuk do të mund ta dobësojë AAK-në për faktin se AAK ka kërkuar të udhëheqë qeverinë për ta ndryshuar dinamikën e qeverisë. “Prandaj me këtë AAK-ja përkundrazi do ta rrisë imazhin e vet duke qeverisur më ndryshe”, ka thënë Isufi.

Vjosa Osmani nga LDK-ja, thotë se nëse vlerësimi për dorëheqje apo mosdorëheqje i dikujt duhej të ishte puna dhe vlerësimi i punës së tyre në fakt do të duhej të japë dorëheqje e gjithë qeveria për arsye të skandaleve të shumta.

“Këto skandale e kanë kthyer Kosovën mbrapa dhe me këto imazhi i Kosovës karshi bashkësisë ndërkombëtare është shkatërruar”, ka thënë Osmani, sipas të cilës, çdo bisedë për riformatim është thjesht një përpjekje e kryeministrit që ta tërheqë vëmendjen nga problemet e vërteta të Kosovës.

”LDK-ja ka ripërsëritur se një koalicion ndërmjet PDK-së dhe AAK-së nuk është në të mirë të Kosovës dhe në të mirë të qytetarëve të saj”, ka thënë Osmani, duke shtuar se dorëheqjet nuk mund të lidhen rreth koalicionit të mundshëm PDK-AAK.

Nga ana tjetër, Dardan Sejdiu nga “Vetëvendosje” ka thënë se këta japin dorëheqje jo si standard etik apo si shenjë e përgjegjshmërisë ndaj kërkesës së opinionit publik apo opozitës, mirëpo, sipas tij, këtë e bëjnë kur kanë plane të tjera personale apo të karrierës së tyre.

“Arsyetimi i dorëheqjes së Bedri Hamzës tregon për seriozitetin e munguar brenda Qeverisë karshi sfidave ekonomike dhe zhvillimore të këtij vendi. Për më shumë, arsyetimi lë të kuptohet se përsëri kemi të bëjmë me rehatimin e strukturave partiake në poste që do të duhej të ushtroheshin nga profesionistë të pavarur të fushave përkatëse e jo nga proponentë e militantë partiakë”, ka thënë Sejdiu.

Sipas tij, nëse nënshtrati i kësaj dorëheqje është krijimi i hapësirave për partner tjetër në këtë keqqeverisje, atëherë çdo lloj modaliteti i tillë është i dëmshëm për Kosovën sepse vazhdohet skenari i njëjtë me aktorë të tjerë.

AAK mund të shkrihet në PDK

Njohësi i rrethanave politike në vend, Halil Matoshi, ka thënë se kryeministri e di se nëse nuk e forcon qeverisjen, vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Ideja e kryeministrit është që me AAK-në ta përfundojë mandatin dhe në zgjedhjet e rregullta të hyjë në koalicion me AAK-në dhe satelitët tjerë si Aleanca Kosova e Re”, ka thënë Matoshi. Sipas tij, aktualisht varet nga Haradinaj se a do të hyjë në koalicion me keqqeverisjen, nëse nuk i jepet posti i kryeministrit.

“Nëse e pranon koalicionin tash dhe pa kushte, kjo d.m.th. që po i vjen fundi AAK-së e cila, mund të shkrihet në PDK”, konsideron Matoshi.

 

Nga Fadil Sertolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu