Thaçi planifikon krizë institucionale

0
748

(E plotësuar)Përplasjet e fundit brenda partisë më të madhe në vend (PDK), mund të shkaktojnë krizë institucionale në Kosovë, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kjo krizë, sipas analistëve, mund të krijohet nga vetë kryeministri Hashim Thaçi, i cili aktualisht gjendet ndërmjet dy zjarreve, para zgjedhjeve të brendshme partiake dhe para reformës zgjedhore dhe kushtetuese. Duke mos arritur t’i menaxhojë këto dy çështje, Thaçi do të aplikojë planin “B”, dorëheqjen ose edhe insistimin për mocion mosbesimi në Kuvend.

E para, sipas analistëve politikë, reforma kushtetuese dhe zgjedhore mund të jetë “mollë sherri” që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Sipas tyre, nëse dy partitë opozitare, “Vetëvendosje” dhe AAK i bashkohen LDK-së dhe nuk i votojnë ndryshimet kushtetuese, atëherë kryeministri Thaçi do ta shfrytëzojë këtë votim si mocion dhe do ta çojë vendin në zgjedhje të reja, sipas modelit të vjetër. Por, edhe tjetra mundësi, sipas tyre, është se nëse Thaçi e sheh se po i rrezikohet vendi në parti, për t’iu ikur refleksioneve të brendshme, të inskenojë, sikurse herën e kaluar, një mocion votëbesimi në Kuvend.

Megjithatë, eksperti për çështje kushtetuese dhe deputeti nga radhët e PDK-së, Arsim Bajrami, konsideron se kryeministri nuk mund ta bëjë një gjë të tillë për faktin se nuk ka bazë ligjore.“Ndryshimet kushtetuese dhe zgjedhore, assesi nuk mund të bëhen mocion votëbesimi. Për zgjedhje të parakohshme e vetmja mundësi është nëse kryeministri jep aktin e dorëheqjes”, ka thënë Bajrami.

Ndërkaq LDK-ja nuk e ka shikuar mundësinë e ndonjë mocioni të votëbesimit për qeverinë. Njëri ndër figurat kryesore në LDK, Lutfi Haziri, ka thënë se kryeministri është mësuar të bëjë precedan dhe e ka bërë atë njëherë duke e vetëshkarkuar qeverinë e tij. “Nuk do të çuditeshim nëse prapë do të bëjë precedan dhe ta shkarkojë qeverinë e tij. LDK nuk ka diskutuar për këtë opsion veçse jemi determinuar që të respektohet marrëveshja e vitit të kaluar për t’u implementuar reforma kushtetuese dhe zgjedhore”, ka thënë Haziri duke shtuar se LDK-ja do ta mbajë për “gjuhe” derisa ta implementojë marrëveshjen. Ai ka thënë se dikush duhet të shkojë në shtëpi “ose kryeministri ose presidentja”.

“Ky është njëri ndër skenarët e Thaçit që mund ta bëjë por, atëherë çdo interes i shtetit vihet nën interesat personale. Marrëveshja duhet të respektohet dhe kryeministri duhet të zgjedhë ose vetë të shkojë në shtëpi ose presidentja”, ka thënë Haziri.

Nga ana tjetër, Xhavit Shala, njohës i rrethanave zgjedhore, ka thënë se nëse “Vetëvendosja” dhe AAK-ja i mbështesin reformat ato mund të kryhen. Në të kundërtën, sipas tij, kryeministri e ka mundësinë që në momentin që hyjnë në rend të ditës amendamentet kushtetuese për votim, ai t’i drejtohet kuvendit me shkresë që ta konsiderojë si mocion i votëbesimit miratimin apo mosmiratimin e amendamenteve.

 

“Nëse miratohen është mocioni i votëbesimit për qeverinë, që për 90 ditë në të ardhmen nuk mund të shtrohet në seancë çështja e mocionit. E nëse nuk miratohen amendamentet qeveria konsiderohet e shkarkuar dhe shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 45 ditëve”, ka thënë Shala.

Ai ka thënë se një gjë e tillë mund të ndodhë edhe për shkak të zhvillimeve në zgjedhjet e brendshme në PDK. Sipas tij, nëse Thaçi e sheh se po i rrezikohet vendi në parti apo do të ketë përçarje, mund të inskenojë mocionin e votëbesimit dhe shkohet në zgjedhje të parakohshme për t’i ikur ndarjes së partisë.

Ndërkaq, Alban Bokshi, drejtor në Klubit për Politikë të Jashtme, beson që kryeministri do të shkaktojë një krizë institucionale. “Këtë krizë kryeministri mund ta shkaktojë kur e sheh momentin e përshtatshëm në mënyrë që të shkojë në zgjedhje të parakohshme duke u siguruar që t’i fitojë ato.

Besoj që po e pret momentin më të përshtatshëm për vete që të sigurohet se do t’i fitojë zgjedhjet dhe të shpëtojë nga rivaliteti brenda partisë”, ka thënë Bokshi. Gjithashtu ai ka thënë se Thaçi bashkë me ndërkombëtarët po e presin vendimin e Hagës për Ramush Haradinajn dhe momenti kur arrihet ai vendim do të jetë përcaktues se çka do të ndodhë më tutje.

 

Nga Fadil Sertolli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu