Thaçi refuzon ta beje Haradinajn Kryminister

0
696

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i ka refuzuar ofertën liderit të AAK-së Ramush Haradinaj që ky i fundit t’i prijë ekzekutivit të vendit.

Thaçi ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës është fituese e zgjedhjeve të kaluara.

“Do ta ruaj dhe do ta kultivoj besimin që qytetarët e Kosovës kanë treguar ndaj meje kur jam nominuar kandidat për kryeministër. Këtë kontratë me qytetarë me asnjë çmim, me asnjë post, me asnjë marrëveshje politike nuk e lëndoj”, ka thënë Thaçi duke shtuar se ofertën e prezanton partia që i fiton zgjedhjet.

Lideri i PDK-së, njëherit kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga posti i kryeministrit të Kosovës, të cilin, sipas tij, ia kanë besuar qytetarët e Kosovës, të cilët duke votuar për PDK-në, ia kanë bartur këtë përgjegjësi, të cilën s’e ka ndërmend ta trafikojë me asnjë marrëveshje dhe me asnjë çmim.

“Do ta ruaj dhe do ta kultivoj besimin që qytetarët e Kosovës kanë treguar ndaj meje kur jam nominuar kandidat për kryeministër. Këtë kontratë me qytetarë me asnjë çmim, me asnjë post, me asnjë marrëveshje politike nuk e lëndoj. Andaj do t’i kryejmë obligimet tona kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë Thaçi duke shtuar se se ky kabinet qeveritar është më i miri në historinë politike të Kosovës dhe do të vazhdojmë punën edhe më tutje.

I pyetur që të komentojë ofertën e Ramush Haradinajt për të udhëhequr qeverinë në një koalicion të mundshëm PDK-AAK, kryeministri Thaçi është përgjigjur se Ramushi më tepër ka ofruar një vullnet se sa një ofertë.

“Ofertën e prezanton partia që i fiton zgjedhjet dhe u ofron partnerëve të mundshëm për koalicion, andaj e mirëpres vullnetin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të z. Haradinaj që të jenë pjesë e një partneriteti strategjik ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës mbi bazën politike të koalicionit qeverisës aktual”, ka thënë Thaçi.

I pyetur rreth inkuadrimit të njeriut të dytë të AAK-së, Blerim Shalën, si koordinator në bisedimet me Beogradin, Thaçi ka thënë se përfshirja e tij nuk ishte blerje e Shalës, por marrje e përgjegjësive kushtetuese.

“Edhe unë në vitin 2005-2007 kam qenë pjesë e Ekipit të Unitetit. As nuk më kishin blerë, as nuk isha shitur, por i mora përgjegjësitë e mia kushtetuese, ligjore dhe duke respektuar legjitimitetin qytetar. Andaj edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore dhe të përgjegjësive qytetare për të ndihmuar shtetndërtimin, konsolidimin dhe forcimin e shtetit”, ka thënë ai duke shtuar se subjekti kryesor opozitar LDK-ja fillimisht kishte shprehur gatishmërinë që ta mbështeste procesin, të marrte përgjegjësitë që i takonin por më pastaj pati ndryshuar qëndrimin.

“Ishte një premtim edhe para faktorit të brendshëm, edhe para faktorit amerikan, edhe në takimin që kemi pasur me sekretaren e Shtetit znj. Clinton dhe baroneshën Ashton. Pastaj ata ndryshuan qëndrimin dhe nuk mund të mbesim të bllokuar ose të paralizuar nga ndryshimi i pozicionit të tyre. Sido që të jetë për të gjitha takimet që kam filluar me z. Daçiq unë informoj vazhdimisht Kuvendin e Kosovës, z.Mustafa, lidershipin e AAK-së, gjithë spektrin politik të Kosovës dhe mendoj se është një komunikim krejt normal”, ka thënë ai.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu