Thaqi, “ja leshon një lugë mjaltë” Atifetes

0
754

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga duket se është shumë me fat. E ardhur “rastësisht” në krye të shtetit, ajo mund të qëndrojë në karrigen e të parit të vendit, deri në vitin 2013, nëse realizohet ideja e kryeministrit Hashim Thaçi, që zgjedhjet presidenciale të mbahen bashkë me ato parlamentare pas dy vjetësh.

Mesazhi i kryeministrit Thaçi ka bërë që skena politike në Kosovë, të gjendet para një dileme të madhe për periudhën e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Kosovë.

Disa nga subjektet politike kërkojnë që zgjedhjet për numrin një të vendit të mbahen vitin tjetër, ashtu siç ka qenë marrëveshja e ndërmjet tre liderëve politikë (Thaçi, Mustafa dhe Pacolli), në prill të këtij viti. Sipas marrëveshjes, zgjedhjet presidenciale duhet të mbahen jo më larg se 9 muaj pas ndryshimeve kushtetuese.

Por, jo të gjithë kanë mendim të njëjtë me kryeministrin Thaçi, pasi që bashkëpartiaku i tij, kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe subjektet politike të taborit opozitar tashmë edhe zyrtarisht deklarohen se janë kundër shtyrjes së zgjedhjeve presidenciale për vitin 2013.

Numri një i Kuvendit Krasniqi rikujtoi se për shtyrjen eventuale të zgjedhjeve presidenciale për vitin 2013, përveç se nevojitet pajtimi i gjitha partive politike, duhet të respektohen marrëveshjet e arritura, por edhe të respektohen afatet ligjore e kushtetuese.

“Me zgjedhjen e presidentes, e cila po ushtron këtë detyrë, Kuvendi ka miratuar një rezolutë, e cila përcakton qartë se kur duhet të mbahen zgjedhjet presidenciale. Andaj, duke qenë ithtar i respektimit të ligjeve dhe dokumenteve që miratohen në Kuvend, jam që të respektohet Kushtetuta”, ka thënë Krasniqi.

Megjithatë, ai ka thënë se iu takon partive politike të deklarohen nëse janë për zbatimin e Rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Kosovës për këtë çështje. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi nuk ka parapëlqyer që të deklarohet nëse do të kandidojë për president të Kosovës, duke e lënë të hapur këtë mundësi.

“Kur të vijë koha shikojmë”, ka thënë shkurt ai.

Ndërkaq, drejtuesit e LDK-së zyrtarisht janë shprehur në favor të mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në vitin 2012, ashtu sikurse parashihet në marrëveshjen e arritur mes PDK-së, LDKsë dhe AKR-së.

Sekretari i kësaj partie, Ismet Beqiri ka rikujtuar se palë e marrëveshjes nuk është vetëm kryeministri Thaçi, por janë edhe palët tjera të përfshira në këtë proces. “Për LDK-në, po e përsëris nuk ka ndryshim apo shmangie nga marrëveshja e arritur, ngase palë e kësaj marrëveshjeje nuk ka qenë vetëm Thaçi, por edhe LDK-ja, e AKR-ja, ku garant ka qenë edhe ambasadori amerikan, Christofer Dell”, ka thënë Beqiri.

Mirëpo, për partinë e Ramush Haradinajt, tre liderët e partive politike Thaçi, Mustafa dhe Pacolli, që janë pjesë e marrëveshjes, po sillen në mënyrë joserioze rreth afatit të mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale.

Ahmet Isufi , nënkryetar i AAKsë, ka vlerësuar se subjektet politike që janë pjesë e marrëveshjes po i luajnë afatet për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale. “Joserioziteti po e përcjell skenën politike të Kosovës, duke mos respektuar edhe marrëveshjet e arritura dhe duke mos i respektuar afatet”, ka thënë deputeti Isufi.

Sinjalet e kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi, për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në vjeshtën e vitit 2013, së bashku me ato parlamentare i ka përforcuar edhe më shumë shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci. Ai ka thënë se partia e tij gjithmonë zbaton marrëveshjet, por edhe nuk mbetet rob i tyre, nëse diçka e tillë është në interes të qytetarëve të Kosovës.

Grabovci ka deklaruar se PDK do t’i presë ndryshimet kushtetuese, reformën zgjedhore, dhe pastaj do të marrim vendim së bashku me partnerët dhe partitë tjera për datën e zgjedhjeve presidenciale.

Deri më tani jozyrtarisht janë lakuar disa emra të mundshëm që mund të kandidojnë për postin e presidentit të vendit, sikurse është përmendur emri i Behxhet Pacollit, Fatmir Sejdiut, Veton Surroit, Sabri Hamitit…etj, derisa kandidaturën e ka konfirmuar ish-gazetari, Seremb Gjergji.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu