Thaqi – kryeministër, në Facebook, zëdhënës i AKP-së…

0
975

Hashim Thaçin të gjithë e njohim si kryeministër, të paktën gjashtë vitet e fundit, pasi më parë njihej më shumë si komandant “Gjarpëri”, edhepse këtë pseudonim vazhdojnë t’ia kujtojnë shpesh edhe tash.

Mirëpo, me të filluar përdorimin e rrjeteve sociale, tash ai është bërë gjithcka.

Shumë shpesh po e luan rolin e portalit të lajmeve përmes grupit të tij në “Facebook”, duke e “shpëtuar” sidomos RTK-në që shpesh i nisin lajmet duke ja cituar postimet aty.

Përdorimin e rrjeteve sociale ai duket se e ka keqkuptuar aq shumë sa tash ka filluar punën edhe si zëdhënës i institucioneve që së paku zyrtarisht duhet të jenë të pavarura, edhe nga qeveria Thaçi.

Postimi i fundit i shefit të qeverisë kosovare në “Facebook” nuk ka të bëjë fare me një vendim qeveritar, por të dhomës së posaçme të Gjykatës Supreme për një punë që nuk i përket fare qeverisë.

“Sapo me njoftuan se Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ka aprovuar një udhëzim që ia mundëson Bordit të AKP t’i ekzekutojë pagesat e 20%-shit (të shitjes), punëtorëve të ish ndërmarrjeve të privatizuara nga AKP. Më në fund një kompenzim i vonuar për ata që kanë dhënë kontribut profesional në periudhën para luftës”, shkruan Thaçi, sikur të ishte zëdhënës i Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Të kontaktuar nga “Zëri”, Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk e ka komentuar fare deklarimin e kryeministrit dhe përzierjen në kompetencat e këtij institucioni tw pavarur qw i raporton Kuvendit tw Kosovws. Mirëpo, zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi ja ka konfirmuar “Zërit” lajmin që e dha Thaçi përmes “Facebook”ut.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit ka pranuar Udhëzimin nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës në lidhje me vendimmarrjen për shpërndarje të të hyrave të 20 % për punëtorët legjitim të ndërmarrjeve shoqërore”, ka thënë Kaloshi dhe ka shtuar se AKP do procesoj vendimin dhe për “shpërndarjet e reja të 20% do të njoftoj me kohë”.

Për t’iu rikthyer ngutjes së Hashim Thaçit për bërjen publik të një lajmi që ska fare të bëjë me të apo punën e tij, kujtojmë një premtim që ai e kishte bërë kohë më parë, udhëtimin pa viza nëpër zonën shengen dhe SHBA, brenda 15 muajve të qeverisë Thaçi 2, diçka që dihet se ende as afër nuk është për tu realizuar.

Ndoshta, duhet kuptuar kryeministrin që në mungesë të lajmeve të mira si rezultat të punës së tij, ka vendosur të “ndërhyjë” dhe të prezantojë lajme të mira të institucioneve të tjera.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu