Thelbi i kampeve të përqendrimit

0
1262

Kampi nacist

Diçka më tepër, lufta e shndërroi në një shkallë të tillë funksionin e kampeve të përqendrimit,  saqë komandantët e SS-ve dhe personalisht udhëheqësi shtetëror i tyre përpiqet ta ulë nivelin e vdekjeve ndër të burgosurit. Në përputhje me këtë, për ta bërë punën si qëllim kryesor të kampeve, e vetëm pastaj zhdukjen e të burgosurve, dëshmon një instruksion i Departamentit Ekonomik Administrativ Kryesor i 28 dhjetorit 1942 “në lidhje me mjekimin në kampet e përqendrimit”.

“Bashkangjitur keni për njoftim një listë me numrin e atyre që kanë hyrë deri tash në kampet e përqendrimit dhe të atyre që janë çregjistruar, për shkak të vdekjes aty. Del e qartë që nga 136 000 vetë 70 000 kanë vdekur, gjë që është shumë larg objektivit të udhëheqjes shtetërore të kampeve. Kryemjekët e kampeve duhet të bëjnë kujdes, me të gjitha mundësitë që kanë, që ta ulin sa më shumë vdekshmërinë në kampet e tyre. Mjek i mirë nuk është, sikurse mendohet gjer tani, ai që sillet më egërsisht, por ai që e ruan aftësinë për punë të të dënuarve atje në një nivel sa më të lartë nëpërmjet një përkujdesje mjekësore dhe duke e zhvendosur punëtorin nga një punë në një tjetër, sipas aftësive të tij fizike.

Mjekët e kampeve janë të detyruar të kontrollojnë rreptësisht, më shumë se gjer më tani, ushqimin e të burgosurve dhe, në bashkëpunim me Administratën, të bëjnë propozime për përmirësimin e tij. Këto propozime nuk duhet të mbeten në letër, por duhen kontrolluar rregullisht nga mjekët e kampeve. Veç kësaj, mjekët e kampeve duhet të kujdesen, sipas mundësisë, për kushtet e punës të të dënuarve. Për këtë është e domosdoshme të njihen nga afër këto kushte pune nga ana e mjekëve të kampeve. Udhëheqësi shtetëror i SS-ve urdhëron që vdekshmëria të ulet patjetër. Për këtë arsye, sa më lart, është e detyrueshme dhe për hapat që do ndërmerren lidhur me këtë të raportohet çdo muaj tek shefi i Degës D III. Raportin e parë duhet ta sillni më 1 shkurt 1943”.

Në varësi të kushteve politike konkrete, shteti fashist vë theksin në anë të ndryshme të veprimtarisë së kampeve. Për shembull, ndryshe nga Gjermania, që gjatë periudhës së amullisë së luftës e pranon punën e detyrueshme, Spanja e vë theksin në asgjësimin fizik të të burgosurve; në intervalin nga viti 1940 gjerë më 1945 u pushkatuan më tepër se 150 000 të burgosur. Asgjësimi i të burgosurve është intensiv veçanërisht në vitin 1944, kur aleatët zbarkuan në Normandi dhe Spanja e Franco-s ndjehej e kërcënuar.

Megjithatë, cilado qofshin mëdyshjet e shtetit fashist në politikën e tij për kampet, ato nuk mund ta ndryshojnë veprimtarinë kryesore të kampeve: izolimin dhe asgjësimin pak e nga pak të kundërshtarëve politikë.

Kampi nazist

Në Gjermani lufta, në njëfarë kuptimi, e la në hije atë themelorin. Përzierja e elementëve ushtarake dhe kombëtare, pa larguar kryesorin, arriti ta mbajë të fshehur nga vrojtimi. Prandaj, për ta studiuar lidhjen e brendshme ndërmjet shtetit fashist dhe kampeve duhet marrë periudha paraluftës, kur këto ekzistonin në formën e tyre të pastër, pa ndonjë faktor tjetër që ndikonte mbi ta. Të para kështu, kampet e përqendrimit duhen trajtuar si burgje + punë e detyrueshme për një kohë të pakufizuar. Në fjalimin e cituar më sipër, Hitleri vë theksin në dy momentet kryesorë të veprimtarisë në kampe: së pari, në asgjësimin e “armiqve të popullit dhe të shtetit” (Himmler) dhe së dyti, para se të asgjësohen, në “vënien në punë për përfitim për bashkësinë popullore shumë të madhe”.

Kjo është alfa dhe omega e veprimtarisë së kampeve të përqendrimit. Shteti i paraqet këto mjedise si “vendedukimi”. Më 1944 kryedrejtori i burgjeve në Spanjë mburrej që nën udhëheqjen e tij, burgjet kishin “riedukuar” jo më pak se 300 000 persona. (93-129) Megjithatë ai nuk thotë, se po në vitin 1944 në Spanjë çdo ditë pushkatoheshin 400 të burgosur, është e qartë, sepse regjimi nuk mund t’i edukonte dot ata. Por çfarë do të thotë ne kushtet e shtetit fashist një i burgosur i riedukuar? Kjo do të thotë një njeri i shkatërruar moralisht, politikisht dhe fizikisht, d.m.th. i nxjerr nga radha. Regjimi e arriti qëllimin pa e pushkatuar viktimën e vet.

Në Spanjë, puna edukuese në kampe organizohej kështu: “Këshillat bashkiakë, të ngarkuar me riedukimin e të burgosurve politikë përmes punës së detyrueshme, sipas urdhrit të shefit të Zyrës së burgjeve të shtetit, të zgjedhur nga Franco dhe Falanga, përbëheshin nga tre persona. Përveç përfaqësuesit vendor të Falangës dhe priftit, në këshill hynte edhe një palë e tretë – zakonisht një grua që bënte pjesë në kategorinë e lutëseve fanatike, të famshme me emrin Beates, që zgjidhej nga shefi i Zyrës së burgjeve të shtetit dhe kryente në parim detyrën e sekretarit të Huntës lokale. Hunta kishte si qëllim kryesor t’i arsimonte ditë e natë të burgosurit me dogmat katolike. Megjithatë, kjo përkujdesje nuk duhet ta ndërpriste punën 12 -orësh të të burgosurve.

Kampi Nazist 1

Në fakt regjimi totalitar nuk ka dobi t’i çlirojë të burgosurit edhe sikur ata të kenë punuar me shumë zell dhe ndërgjegje gjatë shumë vjetëve. Sepse, së pari, nuk ka garanci, që ai që del në liri “nuk e vazhdon më veprimtarinë e vet të mëparshme apo do mbetet me botëkuptimin e mëparshëm, duke ndikuar mbi popullin “nën rrogoz”, së dyti, edhe po qe se është “riedukuar”, lirimi i të burgosurit s’është i dëshirueshëm, se vetë fakti i ekzistencës së tij përmban rrezik potencial. Ai është dëshmitar – një dëshmitar i gjallë – për atë që bëhet në kampet e përqendrimit, për krimet e tmerrshme të regjimit, në botën e tij të nëndheshme. Dhe për regjimin fashist s’ka asgjë tjetër më të padëshirueshme sesa diskreditimi i vet, sepse propaganda e tij ditë e natë mundohet ta paraqesë regjimin si një shtet ligjor dhe shtet popullor: të ashpër, por të drejtë, që i respekton ligjet.

Ja përse për regjimin është më e dobishme ta asgjësojë fizikisht dhe moralisht armikun e vet apo ta mbajë atë në kampin e përqendrimit, deri sa të vdesë “në mënyrë të natyrshme” . Kampi është shtypja më e neveritshme dhe kriminale e personalitetit të njeriut dhe e njerëzimit në përgjithësi. Çdo gjë në kampet e përqendrimit drejtohet kah poshtërimi dhe asgjësimi i njeriut dhe e njerëzisë. Mjafton të njihemi më me hollësi me rendin e brendshëm në kampe për t’u shokuar nga tmerri. Në këto rrathë të ferrit:

8. Kushdo që hyn në kamp është fajtor, në ferr nuk ka të pafajshëm. Prandaj, në parim asnjë s’duhet të dalë i gjallë së andejmi.

Nesër: Lidhja ndërmjet elementeve në strukturën e shtetit fashist

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu