Thellohen përçarjet në BSPK

0
573

Është thelluar kriza në BSPK. Haxhi Arifi nuk pranon të largohet nga detyra, duke e vlerësuar jolegjitim shkarkimin e tij. Përkrahësit e Ali Shabanajt nuk e pranojnë atë për kryetar të BSPK-së. Të hënën pati edhe përplasje fizike ndërmjet dy palëve.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi e ka quajtur të paligjshëm vendimin e disa degëve sindikale, të cilat në Kongresin V Zgjedhor e shkarkuan atë nga detyra e kryetarit. Në një konferencë për media, Arifi dhe përkrahësit e tij kanë akuzuar drejtuesit e sindikatave të arsimit dhe të policisë, se janë të ndikuar nga pushtetarët dhe për këtë arsye kanë tentuar të marrin vendime të tilla. Sipas Arifit, në Kongres kanë marrë pjesë vetëm tetë degë, nga gjithsej 11 degët e BSPK-së. Ai i ka akuzuar edhe pushtetarët se me mospjesëmarrjen e tyre në punimet e Kongresit, në të cilin kanë qenë të ftuar si mysafirë, kanë treguar tendenca të vënies nën tutelë të organizatës më të madhe sindikale në vend.

Mirëpo, dy orë pas përfundimit të konferencës për media, në selinë e BSPK-së ka plasur sherri. Drejtuesit e Sindikatës së arsimit dhe asaj të Policisë nuk janë lejuar të mbajnë konferencën për media të thirrur në orën 14:30. Ata janë penguar nga Arifi dhe përkrahësit e tij, si dhe janë etiketuar si puçistë. Ndërkaq, të fundit. Arifin e kanë quajtur një humbës dhe një njeri që do ta mbajë me dhunë postin.

Pas kundërshtimit të Arifit për të mbajtur konferencën për media në sallën e BSPK-së, përveç fjalëve fyese kanë ndodhur edhe shtyrje ndërmjet tij dhe kryetarit të SBASHK-ut, Ali Shabanaj.

Arifi ka sqaruar se për të mbajtur një konferencë ndonjëra nga sindikatat, duhet të bëjë paraprakisht kërkesë në BSPK. Pasi nuk janë lejuar ta mbajnë konferencën, nënkryetari i BSPK-së, Xhafer Xhaferi, i cili është në përkrahje të Shabanajt, është detyruar që gazetarëve t’iu drejtohet para dyerve të BSPK-së.

Ai ka thënë se pengesa të tilla, Arifi ka bërë edhe gjatë punimeve të Kongresit dhe pasi nuk ka mundur të realizojë skenarin e tij, i ka braktisur punimet e Kongresit.

“Ne kemi marrë vendim që Arifi të shkarkohet nga pozita e kryetarit të BSPK-së. Ai vendim është i gatshëm dhe do t’ia procedojmë edhe gjykatës dhe strukturave të tjera, në qoftë se Arifi do që ta mbajë me dhunë postin. Po ashtu, është formuar një trup drejtues i sindikatave prej pesë anëtarësh, i cili tash i ka të gjitha kompetencat për të punuar dhe për të vazhduar përgatitjet për vazhdimin e Kongresit”, ka theksuar Xhaferi.

Por, Haxhi Arifi ka një tjetër version për rrjedhën e Kongresit. Sipas tij, në sallë kanë qenë të pranishëm 102 delegatë, ndërsa për ndërprerjen e punimeve janë pajtuar shtatë degë të sindikatave, e për shkarkimin e tij kanë votuar më pak se gjysma e delegatëve që kanë mbetur në sallë.

Arifi është këmbëngulës se anëtarë të sindikatës mund të jenë vetëm ata që e paguajnë anëtarësinë. “Me statutin e BSPK-së, i cili është aprovuar në Kongresin IV, është sqaruar mjaft mirë se për t’u kandiduar për kryetar të BSPK-së, kandidati duhet të ketë pëlqimin e degës së vet, së pari dhe plus katër degëve të tjera të BSPK-së”.

Sipas Arifit, Ali Shabanaj nuk i ka plotësuar këto kushte.

Ndërkohë, akuza ndaj Shabanajt dhe Sindikatës së Policisë ka adresuar kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla. Sipas tij, vendimi për ndërprerjen e punimeve është ndërmarrë për shkak të tendencave nga individë të caktuar për të manipuluar. Madje, ai ka implikuar edhe Qeverinë në punimet e Kongresit të BSPK-së, por nuk ka përmendur emra.

“Kemi indikacione mjaft të mëdha që këtu kanë pasur dorë edhe pushtetarët, kanë keqpërdorur edhe detyrat zyrtare, për të cilat me siguri koha do të tregojë”, ka thënë ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu