Thirrje të pakoordinuara për verifikimin e votuesve

0
666

Jehon Gorani nga Kosova, i cili qe shumë vjet jeton dhe vepron në Belgjikë, ka pranuar dy thirrje telefonike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), për të marrë të dhënat e tij që të verifikohet si votues për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 14 shkurt.

Pasi ka aplikuar për votim me postë më 16 janar dhe më 22 janar kishte marrë konfirmimin automatik se aplikacioni i është pranuar, ai është telefonuar.

“Telefonatën e parë e kam marrë një ditë më vonë, të shtunën paradite me ç’rast personi në lidhje i verifikoi të dhënat e mia. Po të njëjtën ditë, disa orë më vonë, prapë më marrin nga KQZ-ja për të njëjtën gjë, do të thotë verifikimin e shënimeve. Ju bëra me dije se tashmë kisha biseduar me zyrtarët e KQZ-së të cilët ma kanë konfirmuar se janë verifikuar shënimet e mia, për çfarë zyrtari i KQZ-së nuk e kishte idenë, por sidoqoftë prapë i dhashë të njëjtat të dhëna”, tregon Gorani.

Telefonatat si duket nuk kanë mjaftuar, pasi ai është kontaktuar përsëri.

“Të nesërmen, të dielën, prapë marrë e-mail nga KQZ-ja ku më thuhet se kërkesa ime është pranuar dhe se do më kontaktojë KQZ-ja për verifikimin e të dhënave. Sipas kësaj i bie se unë ende nuk jam e regjistrin e votuesve nga jashtë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.https://zeri.info/inarticle.html

Pse tri telefonata?

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, nuk jep ndonjë përgjigje se pse ka ndodhur diçka e tillë.

Ai thotë se kontaktimi i aplikuesve përmes telefonit do të ndahet në tri faza dhe se aplikuesit thirren për herën e dytë vetëm në rast që nuk përgjigjen në telefonatën e parë, edhe pse ne rastin e Jehon Goranit ka ndodhur e kundërta.

“Aktualisht shërbimi votues është duke vazhduar punën intensive me regjistrimin dhe verifikimin e aplikacioneve të pranuara. Vetëm pas përfundimit të të gjithë kësaj periudhe të shqyrtimit, vlerësimit dhe verifikimit të aplikacioneve, në fund do të kemi një raport të detajuar ku do ta dimë saktë se sa është numri i aplikimeve për t’u regjistruar si votues jashtë vendit dhe se sa prej do të regjistrohen suksesshëm, pasi kanë plotësuar kriteret ligjore”, thotë Elezi.

Elezi thotë për Radion Evropa e Lirë se telefonatat po bëhen me qëllim të zbatimit të vendimit për verifikimin e aplikuesve të cilët aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.

“Të gjithë qytetarët të cilët regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës do të mundet të votojnë përmes postës duke filluar më 2 shkurt. Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja deri më 12 shkurt”, thotë Elezi.

Telefonatat nga Kosova konsiderohen ‘sulme’ në Norvegji

Më 20 janar, gazeta norvegjeze Aftenpoften raportoi se kompania norvegjeze e telekomunikimit, Telenor, ka konfirmuar se më shumë se 200,000 përdorues të telefonisë mobile në Norvegji janë telefonuar nga Kosova në ditët e fundit.

Kjo ndodhi vetëm pak ditë pas u regjistrua një rast i ngjashëm, në të cilin mashtruesit keqpërdorën numrat e telefonit të Koresë së Veriut.

Thorbjorn Busch, specialist për siguri në Telenor, thotë se dy “sulmet e fundit me numra nga Koreja e Veriut dhe Kosova ishin të mëdha”.

Derisa nga sulmet e tilla sipas tij, mashtruesit mund të arrinin një fitim prej rreth 500,000 kronave norvegjeze.

Regjistrimi për votim jashtë Kosovës ka filluar më 13 janar dhe do të zgjatë deri më 21 janar.

Bazuar në një raport të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, llogaritet të jenë deri në 800,000 qytetarë të Kosovës të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës.

Më shumë se 35,000 qytetarë të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës, ishin regjistruar si votues nga diaspora për zgjedhjet parlamentare që janë mbajtur në tetor 2019.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu