Tirana dhe Prishtina të shqetësuara për MO-, Reçica e vogël, s’ka dert

0
815

Marrveshja e Ohrit

Analistët vlerësojnë se politikanët nga Shqipëria dhe Kosova e kanë vënë re mosinteresimin e faktorit politik shqiptar për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, ndaj dhe e kanë vënë atë në qendër të vëmendjes. Sipas tyre , politikanët shqiptarë përcjellin mesazhe të forta se pa këtë marrëveshje nuk ka përparim të Maqedonisë

Brenda dy ditëve tre politikanë të rangut të lartë nga Shqipëria dhe Kosova, gjatë vizitave të tyre në Maqedoni, kërkuan implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshje kjo që i dha fund konfliktit të vitit 2001 dhe duhej të implementohej katër vjet pas nënshkrimit.

I pari e nisi apelin kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta, pasoi pas tij zëvendës kryeministri , njëherësh edhe ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi si dhe Ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë, Mimi Kodheli.

Me këtë kërkesë politikanët shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova kërkojnë ta vënë në qendër të vëmendjes këtë marrëveshje.

“Ata kanë vërejtur një mosinteresim nga ana e faktorëve politik shqiptar për dokumentin që solli paqen dhe ato normal janë shqetësuar për atë sepse këto parti politike as që fokusohen  në implementimin e asaj marrëveshjeje apo në hapjen e çështjeve që determinon Marrëveshja e Ohrit. Andaj edhe me qëllim e kanë vënë në agjendën ose fokusin e interesit këtë Marrëveshje, sepse tani më dihet se fokusi nuk është tek kjo marrëveshje, bile në disa raste të anashkaluar edhe me  mosimplementimin e një aneksi të tërë (siç ëhstë aneksi C), nuk implementohet edhe në shumë sfera të tjera, siç është përfaqësimi I drejtë, zhvillimi I drejtë rajonal, ndarja e drejtë e buxhetit pra shumë çështje nga fryma e kësaj marrëveshjeje nuk implementohen”, thotë për “Lajm”, analisti Xhelal Neziri.

Ai mendon se ka nevojë partneriteti me partitë ekzistuese dhe me këtë ata dëshirojnë ti japin një shtytje, apo të hapin një terren më të gjerë për implementimin e kësaj marrëveshjeje pasi e shohin edhe pafuqinë e tyre në këtë drejtim.

Ndërsa, historiani dhe publicisti Arben Llalla vlerëson se vizitat e përfaqësuesve të lartë të Shqipërisë dhe të Kosovës përcjellin mesazhin se pa përfunduar e plotë MO nuk ka përparim të Maqedonisë, pra anëtarësim në NATO dhe BE.

“Këta personalitete janë pararoja e mesazheve që do përcjellin në Shkurt përfaqësuesit e SHBA dhe BE. Në Shkurt pritet të fillojë investigimi për zbatimin e MO, si janë menaxhuar dhe ku kanë shkruar milionat e eurove që ka dhënë BE dhe SHBA për MO. Pra, veç fillon hetimi politikë për partitë qeveritare në Maqedoni. Sa për atë që duhet të votohet BDI apo parti tjetër, besoj që Shqipëria, Kosova , BE dhe SHBA kanë mbajtur qëndrim të drejtë, pra indiferentë. Janë votuesit ata që vendosin për kë votojnë dhe për fatin e tyre. Besoj se çdo popull e ka fatin e tij në duart e veta. Kështu, edhe shqiptarët në Maqedoni vetë kanë vendosur se kush duhet ti përfaqësojnë”, thotë për “Lajm” Llalla.

Ndërkaq, Idaver Sherifi, kryeredaktori i portalit “Albeu” thotë se kërkesat e politikanëve nga Shqipëria dhe Kosova që vizituan Maqedoninë ditëve të fundit për zbatim të Marrëveshjes së Ohrit, tregojnë qartë që janë në një linjë më politikat dhe strategjitë e BDI-së.

“Ata japin mesazhe se vazhdojnë të mbështesin BDI-në dhe çdo subjekt që mbështet këtë platformë, edhe në një çështje që realisht ka marrë fund. E dimë të gjithë që implementimi i Marrëveshjes së Ohrit duhet të kishte përfunduar në vitin 2006, gjë e cila nuk ka ndodhur dhe pavarësisht kësaj, BDI vazhdon akoma të thirret në këtë Marrëveshje”, thekson për “Lajm” Sherifi.

Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu