Pronari i një banese vret dy grabitës. Ngjarja është shënuar në orët e para të mëngjesit të sotëm pranë nënstacionit të Selitës në kryeqytet.
Në orën 08: 45 minuta vrasja është raportuar në komisariatin nr 2, transmeton OraNews.
Burime të policisë bënë të ditur se pronari i banesës Flamur Ymeri ka pikasur hyrjen në banesën e tij të dy personave të armatosur dhe të maskuar dhe në kushtet e vetëmbrojtjes i ka qëlluar të rinjë duke i lënë të vdekur në vend.
Më pas ai ka njoftuar policinë për ngjarjen dhe është vetëdorëzuar.
Bëhet e ditur se viktimat janë të moshave 22 dhe 27 vjec por policia nuk ka bërë të ditur ende identitetin e tyre.
Policia bën të ditur se ka sekuestruar në vendngjarje një automatik të tipit skorpsions dhe sipas dëshmisë së pronarit të banesës arma ka qënë e dy grabitësve. Në polici është shoqëruar edhe bashkëshortja e Ymerit
Kishte dërguar fëmijët në shkollë, kur u kthye gjeti grabitësit në banesë
Gazetari i Ora News Ledio Halili informon se Flamur Ymeri kishte çuar si çdo ditë fëmijët në shkollë, kur ishte kthyer në banesë kishte gjetur 2 personat e maskuar.
Dyshohet se grabitësit u përleshën me pronarin
Dy persona të armatosur dhe të maskuar janë future brenda në ambientet e vilës dy katëshe në pronësi të Flamur Ymerit. Dy grabitësit kanë hyrë brenda në katin e dytë të banesës ku kanë hasur dhe rezistencën e pronarit.
Flitet se ka pasur përleshje mes grabitësve dhe pronarit, por zyrtarisht nuk konfirmohet. Një tjetër informacion që duhet të verifikohet është dhe nëse pronari ka qëlluar mbi grabitësit me armën e këtyre të fundit apo me një çifte.
Policia ka marrë dëshmi edhe të personave të tjerë që kanë dijeni për ngjarjen e rëndë.
Dita e dyte kur Tirana zgjohet me vrasje
Për të dytën ditë me rradhë Tirana zgjohet me ngjarje të rënda. Një ditë më parë u ekzekutua në Kamëz një 50 vjecar në një atentat që iu bë në sy të djalit të tij të mitur. Ndërsa në Fushë-Prezë gjyshi vrau nipin e më pas veten pas konflikteve të pronësisë.